Përplasje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, opozita- kreut të ri të LSDM-së: Nuk ke legjitimitet të drejtosh qeverinë, qytetarët nuk të kanë votuar  

Përplasje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, opozita- kreut të ri të LSDM-së: Nuk ke legjitimitet të drejtosh qeverinë, qytetarët nuk të kanë votuar  

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të dielën, më 16 janar, ka vazhduar debati për zgjedhjen e qeverisë së re, që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Sociale Demokrate.

Debati pritet të zgjasë deri në mesnatë kur edhe do të votohet për përbërjen e re të qeverisë. Qeveria e re do të ketë 21 anëtarë, 17 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate do të ketë 12 anëtarë të Qeverisë, 6 Bashkimi Demokratik për Integrim dhe 3 partia Alternativa.

Të dielën debati ka nisur me fjalimet e deputetëve të VMRO DPMNE-së, të cilët thanë se qeveria që do të drejtohet nga Dmitar Kovaçevski nuk ka legjitimitet, pasi sipas deputetes së VMRO DPMNE-së, Bllagica Lasovska, “mandatari Kovaçevski nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka kërkuar besimin e qytetarëve dhe nuk ka marrë asnjë votë prej tyre andaj edhe nuk ka legjitimitet për të drejtuar qeverinë”.

Ajo tha se “shumica e ministrave janë vazhdimësi e regjimit hibrid” që u mund në zgjedhjet lokale disa muaj më parë”.

“Në kohën kur kemi krizë të rënë ekonomike, shëndetësore, energjetike dhe mungesë të ngrohjes qëndrore, mandatari për kryeministër flet për gjendje të mirë ekonomike dhe rritjen e Prodhimit Bruto Vendor. Si mund të harrojmë se kemi inflacion, se qytetarët nuk kanë as bukë për të ngrënë, kur çmimet e produkteve po rriten, kur paraja po humb vlerën?. Kjo është tallje me ndjenjat e qyetarëve”, deklaroi deputetja Lasovska.

Ndërkaq, Marija Georgievska, deputete e LSDM-së, tha se partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re kanë legjitimitet të plotë ta udhëheqin vendin, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë mbështetjen e qytetarëve.

“Hristijan Mickoski në zgjedhjet parlamentare nuk ishte bartës i listës dhe kandidat për deputet, pra a do të kishte legjitimitet për të formuar qeveri nëse do të fitonte VMRO-DPMNE dhe koalicioni i tij?” tha Georgievska duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se qeveria nuk ka legjitimitet.

Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët tha se “qeveria mund të quhet e re, por të gjithë anëtarët e saj janë fytyra të vjetra të qeverisë së kaluar të korruptuar dhe të paaftë të përballet me shumë probleme me të cilat përballet vendi".

Ai tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për dalje nga gjendja në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut.

Dimitar Apasiev, deputet i partisë “E Majta”, kritikoi përbërjen e qeverisë, respektivisht numrin e madh të ministrave shqiptarë, që sipas tij, flet për tendencën për “shqiptarizimin e Maqedonisë”.

“11 poste ministrore për maqedonasit dhe 10 për shqiptarët. Pra, kjo është një tirani kornizë, një gjysmë protektorat, një shtet paralel në një shtet ku të rinjtë maqedonas dhe shqiptarë nuk komunikojnë, mosrespektimi i himnit, gjuhës, kurse Bujar Osmani (Ministri i Punëve të Jashtme) duhet të ketë kujdes se çfarë bën me Bullgarinë”, deklaroi Apasiev.

Ndryshe, mandatari për formimin e qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij para deputetëve tha se ka plan konkrete për zhvillimin e vendit dhe se puna e Qeverisë së re do të përqendrohet në tri prioritete: përballjen me krizën energjetike, pandeminë e koronavirusit, rritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe realizimin e investimeve strategjike.

Ai tha se qeveria do të angazhohet seriozisht edhe për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, por përjashtoi çdo mundësi që të bisedohet edhe për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin. Kovaçevski hodhi poshtë edhe kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme.

Ai në postin e kreut të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të zëvendësojë ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mala: 18/01/2022 09:50

    Asnje president nuk eshte legjitim,nese nuk zgjidhet nga populli.Keshtu sic i kemi presidentet pervc IRJM, edhe ne Kosove edhe ne Shqiperi.Po ju konvenon tregtia partiake dhe po vazhdojne te perkushtohen Zgjedhjeve parlamentare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)