Një tjetër zhvillim ka shoqëruar përplasjen ligjore për administrimin e Aeroportit të Vlorës. Biznesmeni Behgjet Pacolli njofton se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka hequr masën e sigurimit që, sipas tij, pengonte administrimin e shoqërisë VIA nga ortaku mazhoritar, MABCO.
Vendimi vjen pasi kompania Mabco kishte kallëzuar në SPAK gjyqtaren Miranda Nakaj, duke pretenduar se vendimet e saj ishin në kundërshtim me atë të Gjykatës së Lartë dhe kishin bllokuar ndryshimin e administratorit të shoqërisë, duke sjellë edhe pezullimin e punimeve në aeroport.
"Një tjetër vendim i drejtësisë u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila hoqi masat kufizuese të vendosura në mënyrë të paligjshme për administrimin e shoqërisë VIA. Gjykata e cilësoi të paligjshëm vendimin e mëparshëm dhe hoqi çdo kufizim për administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar”, shkruan Pacolli.
Pacolli pretendon se pikërisht për shkak të masës së sigurimit ishte bllokuar mbledhja e Asamblesë së VIA-s për ndryshimin e administratorit, ndërsa kjo situatë, sipas tij, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka penguar nënkontraktorët të vijojnë punën në kantierin e aeroportit.
"Nga sot, asnjë masë apo vendim gjyqësor nuk ka më fuqi kundër shoqërisë sonë. Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, shkruan Pacolli.
Në përfundim të reagimit të tij, Pacolli u bëri thirrje institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë, Avokaturën e Shtetit dhe Policinë, të zbatojnë vendimet e gjykatave dhe të garantojnë aksesin e MABCO-s, punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier, me synim përfundimin sa më të shpejtë të projektit të Aeroportit të Vlorës.
Deklarata e Pacollit
Një tjetër vendim i drejtësisë u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila hoqi masat kufizuese të vendosura në mënyrë të paligjshme nga gjyqtarja Miranda Nakaj përsa i përket administrimit të shoqërisë VIA.
Gjyqtarja Nakaj është kallëzuar në SPAK për vendime që, sipas pretendimeve, janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë.
Pikërisht përmes asaj mase të kundërligjshme u bllokua mbajtja e Asamblesë së VIA-s, e paraparë për datën 06.06.2026 për ndryshimin e administratorit. Si pasojë, u vijua paligjshmëria dhe shkaktimi i dëmeve të konsiderueshme të vendosura prej Tetorit të vitit 2025, të cilat kulmuan me bllokimin e hyrjeve në Aeroport për muaj të tërë, duke privuar nënkontraktorët e Mabcos nga e drejta e tyre për të punuar për kryerjen e punëve të projektit dhe përfundimin e punimeve.
Jam falënderues sot ndaj Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila cilësoi si të marrë në kundërshtim me ligjin vendimin e gjyqtares Nakaj dhe vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit të datës 05.06.2026, duke hequr çdo kufizim për sa i përket administrimit të shoqërisë VIA nga ortaku mazhoritar.
Në deklaratën e saj sot, gjatë shpalljes së vendimit, Gjykata u bazua edhe te arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili i kishte rikthyer ortakut mazhoritar ( MABCO) të drejtën për të administruar shoqërinë dhe për të ushtruar të drejtat që burojnë nga kuota e tij.
Ky është një vendim tjetër që dëshmon në mënyrë të qartë, përmes fakteve dhe grupfakteve tashmë të provuara, se të gjitha masat e sigurimit të vendosura më parë ndaj Mabco kanë qenë të paligjshme. Siç deklarojnë gjykatat, këto masa të paligjshme janë përpjekur të neutralizojnë Mabco-n në hapjen e aeroportit.
Nga sot, asnjë masë apo vendim gjyqësor nuk ka më fuqi kundër shoqërisë sonë.
Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Një falënderim i veçantë për ekipin ligjor Halimi & Ahmetaj që na ka qëndruar pranë mua dhe familjes sime, si dhe për këtë fitore të merituar ditën e sotme.
Ne u bëjmë sërish apel të gjitha institucioneve publike, përfshirë Ministrinë, Avokaturën dhe Policinë, të ndërmarrin të gjitha masat në zbatim të vendimeve të gjykatave, me qëllimin e vetëm: garantimin e aksesit në kantier të shoqërisë Mabco, punonjësve, nënkontraktorëve dhe mjeteve të punës, si dhe përfundimin sa më parë të këtij projekti me interes publik
Konflikti mes Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit
Vendimi i Gjykatës së Lartë i riktheu MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke ndryshuar vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjyqësorit. Përplasja mes MABCO dhe 2A Group krijoi një ngërç që solli vonesa në ecurinë e punimeve të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse rikthimi i MABCO-s në kantier do t’i japë fund konfliktit dhe do të përshpejtojë përfundimin e aeroportit.
Si shkak i mosmarrëveshjeve, afatet për ndërtimin e aeroportit të janë shkelur. Më 29 maj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi deklaroi se kompanitë kontraktore kanë 30 ditë afat për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre. Ky ultimatum është drejt skadimit dhe siç ministri ka deklaruar për çdo ditë vonese, do të ketë gjoba e deri në prishje të kontratës koncesionare.
Tri ditë para ultimatumit, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group” duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli. Kësisoj u rrëzuan vendimet e mëparshme të Shkallës së Parë dhe Apelit. E gjithë përplasja mes tyre ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.
Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranoi aso kohe dhe bllokoi veprimtarinë e “Mabco”-s që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.
Komente









