Socialistët kanë provokuar një debat të ri mes Partisë Demokratike zyrtare dhe Partisë Demokratike parlamentare, duke përzgjedhur selinë e PD si negociatore të mundshme deri në datën 5 maj, për disa ndryshime të organizimit teknik të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Damian Gjiknuri ka shkaktuar zemërim tek deputeti Myslim Murrizi, për shkak se thirrja e Gjiknurit i drejtohet Partisë Demokratike zyrtare.
Debati është më interesant, si debat përtej problemit të reformës zgjedhore, e cila ka fare pak gjasa të ndodhë. Debati është interesant për faktin, se edhe socialistët, ende nuk janë mësuar me rutinën e konsiderimit të Partisë Demokratike zyrtare, si parti jo parlamentare.
Në këtë rast, të gjithë e kuptojmë që është diçka më shumë. Shumica po përpiqet të lërë një derë hapur për PD-në, që të marrë pjesë në zgjedhje vendore, pavarësisht braktisjes së Kuvendit. Ajo po kërkon të mos ezaurojë shanset dhe t’ua bëjë atyre të mundur përfshirjen në zgjedhje. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Skenari më pozitiv që mund të ndodhë nga opozita, është futja në zgjedhje e LSI-së dhe partive të tjera të vogla opozitare, me një marrëveshje të heshtur me PD-në, që të kandidojnë njerëzit e saj në zonat me më shumë shanse. Kështu, Lulzim Basha ka shanse të ruajë “burrërinë” duke bojkotuar zgjedhjet, ndërkohë që ka shanse të testojë jashtë përgjegjësisë së tij formale partinë në zgjedhje, në gjithë vendin.
Dhe kjo për Partinë Demokratike është shumë e rëndësishme, pasi ruan strukturat e saj dhe mund të fitojë shumë bashki edhe në qytete të mëdha.
Por nëse për PD, ky është një vendim i diskutueshëm, për LSI dhe partitë e tjera të vogla që kanë dalë nga Parlamenti, mos pjesmarrja në zgjedhje lokale është vdekje e sigurtë elektorale e tyre.
LSI, si partia e dytë më e madhe në opozitë, do të përballet me një asgjesim të sigurtë elektoral, nëse nuk merr pjesë në zgjedhje, pasi strukturat e saj janë shumë fluide dhe shkojnë drejt absorbimit nga PS, apo ndonjë parti tjetër.
Fakti që gjithë lista e deputetëve të LSI në Parlament po plotësohet, do të thotë se ajo parti qysh tani ka probleme serioze me strukturat elektorale, pasi po humb shumë individë që i ka pas përdorur për vota në gjithë Shqipërinë.
Një bojkot i zgjedhjeve lokale, është një asgjesim i sigurtë i saj, dhe më tej humbje e një force politike që shpesh ka luajtur rolin e faktorit vendimtar për formimin e shumicës.
Atë që PD dhe PS nuk e bënë dot me marrëveshjen e heshtur të majit të vitit 2017 kundër LSI, tani po e bën aleanca e PD me LSI për bojkot, duke e shkrirë strukturën elektorale të LSI.
Nga ana tjetër, zgjedhjet do të jenë një shans i ri për partitë e vogla historike si Balli Kombëtar, Legaliteti, apo parti të tjera të vogla, që mund të hyjnë, pasi përveç sukseseve të pjesshmee elektorale, këshilltarëve lokalë, dhe fuqizimit të strukturave, do të kenë fatin të përfshihen në skemën e menaxhimit të zgjedhjeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi mund të dalin nga ky sesion parlamentar, me grup parlamentar dhe të drejtë për komisionerë.
Pra të gjitha ato privilegje që LSI si parti e tretë i ka pas fituar me 15 vjet luftë, u kalojnë atyre, për shkak të kësaj historie absurde bojkoti.
Akoma më shumë shanse në këtë histori do të ketë Partia Demokratike parlamentare, e cila mund të vendosë kandidatë në gjithë qytetet e Shqipërisë, si pjesë e listës së saj, dhe nuk është çudi të ketë supriza. Dhe ky është debati real mes Partisë Demokratike zyrtare dhe Partisë Demokratike parlamentare.
Vërtet PD zyrtare mund të mos njohë Rudina Hajdarin apo Myslim Murizin dhe pasuesit e tyre në Kuvend, si pjesë e tyre, por ajo do të përballet me një parti reale, kur ata të hyjnë në zgjedhje dhe të kenë kandidatët e tyre.
Për ironi të fatit, çdo ndryshim në reformën zgjedhore duhet të votohet nga Partia Demokratike parlamentare dhe jo nga ish- PD. Ndaj sido që të veprojë PD, ajo qysh tani ka punë me Partinë Demokratike parlamentare, të cilën tashmë e urren më shumë se PS.
PD është e dënuar të mbajë hapur një derë me ta, ose për t’i futur Brenda, pasi të kalojë kjo marrëzi, ose për t’u futur brenda tyre në të ardhmen, kur të mbeten rrugëve. Pasi opozitë do ketë, edhe po nuk ka Lulzim apo Sali.
PD dhe LSI jane bo lesh e li....per tu dh...i
Përgjigju