Përse Lulzim Basha ka mbetur pa aleatë në betejën për të shkuarën e tij

Përse Lulzim Basha ka mbetur pa aleatë në betejën për të shkuarën e tij

Lulzim Basha duket se ka mbetur i vetëm në betejën që i ka hapur mazhoranca dhe dëshmitarë të luftës në Kosovë, rreth rolit të panjohur të tij në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Debati që nisi pas arrestimit të krerëve politikë të UÇK-së nga Gjykata Speciale është thelluar me fakte të cilat kanë prodhuar një debat të fortë mbi të shkuarën e Lulzim Bashës, për shkak të përgjigjeve të tij të pasigurta për atë periudhë.

I vetmi që i ka dalë zot deri tani është Sali Berisha. Por ai më shumë se sa me fjalë, i ka dalë zot qëndrimit të PD ndaj gjykimit të krerëve politikë të UÇK-së, duke deklaruar se ata janë fajtorë për krime politike dhe nëse do të ishte për të, Hashim Thaçin e Edi Ramën mund t’i varte në mes të Tiranës.

Qëndrimi i Berishës, i cili godet politikisht krerët e UÇK-së, në të vërtetë është mbrojtja më e mirë për Lulzim Bashën, pasi dhe nëse del që Basha ka raportuar kundër tyre, Berisha ka marrë masat të thotë se ata dihet që janë fajtorë.

Vetë Basha nuk guxon të mbajë këtë qëndrim, por vesh një bluzë të këshilltarit te tij që ka marre hua nga Hashim Thaçi, dhe është bere pjesë e fushatës mbështetëse për krerët e UÇK-së, nën moton “Liria ka emër”. Kjo ka zhvlerësuar dhe mbrojtjen që i ka përgatitur politikisht Berisha.

Të tjerët nuk kanë reaguar. Ilir Meta, i cili së fundmi ka një rritje të dozës patriotike në fjalorin e tij, nuk i ka dalë zot. Jo aq se i prishet biografia nga “tradhtitë” e Bashës, por me sa duket po përpiqet të hakmerret ndaj tij, që e ka pas lënë vetëm në betejat kundër Ramës. Tani për t’ia kujtuar këtë, po i këndon këngën “Fol Luli fol”, me tekst të Nikollës.

As Kryemadhi nuk është se ka bërë ndonjë përpjekje për ta shpëtuar nga ky debat. Dhe këtu nuk besoj se ka lidhje miqësia e tyre me Haradinajn, të cilit Basha i ka pas përgatitur dosjen. Për këtë më lehtë i del në mbrojtje Haradinaj, se sa Meta.

Ky i fundit, duket që dëshiron ta vërë në provë para Ramës dhe ta përdorë këtë sulm ndaj tij, për ta “nxehur” Bashën që të hidhet në aksione radikale. Se ndryshe nga të tjerët, biles ndryshe edhe nga Basha, Meta nuk po thotë injoroje këtë sulm, por përgjigju. Dhe kjo është si ta shtysh njeriun drejt greminës, kur është një hap larg saj.

Aleatët e tjerë të Bashës ndërkohë nuk është se e kuptojnë dhe shume këtë punën e Kosovës, ndaj dhe nuk flasin.

Tani Lulzim Basha ka mbetur vetëm në këtë betejë. Mbrojtjen e Berishës e ka zhvlerësuar, pasi nuk ka të njëjtin qëndrim me të. Ilir Meta dhe LSI nuk po i dalin në krah, se duan ta trimërojnë të bëjë betejë vetë për këtë histori. Aleatët e tjerë e kanë mendjen mos i tradhton tek listat për deputetë, që t’ia falin “tradhtinë” ndaj UÇK-së.

I mbetur vetëm në këtë betejë, Lulzim Basha ka zgjedhur një strategji që nuk bind askënd. Arsyeja është se ai nuk jep asnjë përgjigje për të shkuarën e tij dhe as për të tashmen. Ai kërkon aleatë vetëm për të ardhmen e tij. Ndaj ka mbetur vetëm.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor