Persida Asllani dhe Kujtim Prodani rrëfejnë këngën për koronën edhe lidhjen familjare (VIDEO)

Kush e kishte menduar se në shekullin XXI, kur të gjithë flasim për kulmet e suksesit të teknologjisë e shkencës, një virus, me shumë të panjohura, thuajse do të ndalte ritmin e jetës në mbarë globin. Por, ndërsa në këto ditë, shoqëria mbingarkohet me të dhëna që prekin ekonominë dhe shëndetin fizik, më pak kemi dëgjuar për atë që ndodh me brendinë e njeriut.

 “Ka qenë një periudhë e tensionuar. Kam ndjerë brenda shpirtit një lloj ofeze, kam qenë i fyer, sepse jam munduar të jem i lirë, sepse liria është gjithçka për krijuesin, edhe pse kam zbatuar të gjitha rregullat e instancave të larta”, rrëfen kantautori Kujtim Prodani.

“Është një ndryshim drastik i mënyrës së të vepruarit, se si i shkojmë gjërat, se si po kujdesemi për njerëzit e afërt apo edhe për lidhjet tona miqësore në këtë periudhë. Megjithatë, njerëzit e letërsisë janë mësuar që herë pas here të kenë periudha “karantinimi”, izolimi, që lidhen me mënyrën si lexojmë, si shkruajmë. Nevojë që nuk mendoj se vetëm letrarët, por edhe njerëzit në përgjithësi duhet ta kenë këtë moment me veten e tyre, që të rigjejnë kontaktin me veten”, tregon ndër të tjera studiuesja Persida Asllani.

Tablonë e gjendjes shpirtërore, e asaj çka shqetëson mendjen e individit që duhet të privohet nga shumëçka përbën në thelb jetën, e sjell përmes poezisë Persida Asllani. Në një bashkëpunim me muzikantin Kujtim Prodani, me të cilin kanë edhe lidhje familjare, fëmijë tezesh, ata sjellin këngën "Ju flet Korona", të cilën e rrëfejnë për "Report tv".

“Është tamam momenti i një refleksioni. Dalëngadalë të gjitha ndjeshmërit mblidhen, përqendrohen edhe të japin dëshirën për ta shprehur këtë. Unë e shpreh me fjalë, shkoj drejt një lirike, por kompozitori Kujtim Prodani, që shumë njerëz e dinë që është  kushëriri im i afërm, djali i tezes, e shpreh këtë gjë më muzikën e vet. Ishte ky komunikim, që na çoi natyrshëm në këtë bashkëpunim”, thotë studiuesja Asllani.


“Populli thotë: “Më jep një dhimbje, që të të dhurojë një këngë. Unë tani qesh, se kanë kaluar 7 javë, por ditët e para shqiptarëve edhe globit iu verit buzëqeshja. Tmerri, që na preku të gjithëve nuk mund të harrohet kaq shpejt, se është  një virus, grip, sëmundje që tronditi shpirtin njerëzor. Edhe jam i bindur, që në fund fiton njerëzimi, fiton njeriu”, shprehet Prodani.

Një këngë që pasqyron melankolinë e njeriut, prej mendimit që edhe dashuria, ajo e një përqafimi, apo puthje mund të lëndojë. Trishtimin, ndërsa ndjen mungesën e ecejakeve rrugicave të qytetit, të pemëve natyrës madje edhe të zhurmave të bezdisshme.

“Mesazhi ynë është i qartë, “kush do të reflektojë, reflekton, kush s’do veten pastë në qafë thotë populli” (qesh). Është mirë që mos ta harrojmë gjithçka që la kjo gjendje”, përfundon kantautori.

E mbi të gjitha kjo poezi vjen si një thirrje, që njeriu të shikojë brenda vetes, të bëjë dashurinë e humanizmin, kryefjalë të ditëve të tij. Pasi dashuria, ndjenjat pozitive, veprat e mira janë ato përmes së cilave fitohet përjetësia.

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë