Përtej 'shkëlqimit' të shifrave, molla e krimbur e ekonomisë shqiptare

Përtej 'shkëlqimit' të shifrave, molla e krimbur e ekonomisë shqiptare

Foto ilustruese

Ekonomia shqiptare nuk e ka pasur asnjëherë problem të “shkëlqejë” me shifrat. Rezultati final është gjithmonë më i mirë sesa parashikimi i fillimvitit. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) priste në fillim të 2023-shit që viti të mbyllej me një rritje prej 2%, ndërsa shifra reale mund të rezultojë midis 3.2-3.5%, në varësi të rezultateve të tremujorit të katërt. Në vitin 2022, vendi u zgjerua me 4.8%, rreth 1.15 pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale.

Ecuria e mirë e ekonomisë në shifra befason gjithnjë dhe Menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas.

“2023 ishte shumë më mirë sesa prisnim. Ky është një nga ato raste kur jam shumë i lumtur që gabova”, thotë ai në një intervistë të posaçme për “Monitor”.

Problemi real, në fakt, është cilësia e rritjes ekonomike, që po përjeton vendi.

“Ndërtimi dhe konsumi kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e Shqipërisë në vitet e fundit. Jam i dyzuar për këtë tendencë. Në një anë po, është mirë të ketë rritje, por është e qartë se këta sektorë nuk janë domosdoshmërisht ata që duhet të orientojnë rritjen që Shqipëria do të ketë në bazë afatgjatë – dhe sigurisht ata nuk gjenerojnë vendet e mira të punës, për të cilat aspirojnë njerëzit”, pohon z. Salinas.

Modeli aktual i rritjes ekonomike nuk entuziazmon as FMN-në. “Shqipëria duhet të fokusohet në krijimin e një mjedisi të shëndoshë biznesi, që do të nxiste zhvillimin e prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar dhe do të rriste produktivitetin.

Zbatimi i reformave strukturore për të forcuar qeverisjen, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën, si dhe përmirësimi i infrastrukturës, do të ndihmonte Shqipërinë të tërheqë më shumë investime të huaja dhe të integrohej më shumë në zinxhirët e vlerës globale”, thotë Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e FMN-së, në një intervistë për “Monitor”.

Shifrat nuk kanë “gënjyer” asnjë pjesë të rëndësishme të forcës së punës, që në mungesë të alternativave më të mira të punësimit apo perspektivës e ka gjetur zgjidhjen në emigracion, duke u kthyer gradualisht në një problem madhor të ekonomisë shqiptare, që nuk duket se po gjen zgjidhje.

“Frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale, nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë, duke krijuar më shumë mundësi pune për gratë, të rinjtë dhe njerëzit me disavantazhe, si dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit”, thotë znj. Ekaterina Solovova, drejtuese për Shqipërinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në një intervistë për “Monitor”.

Të dhënat e 9-mujorit 2023 të INSTAT tregojnë se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë udhëhequr rritjen ekonomike në T I dhe T II dhe u renditën të dytët dhe të tretën në T III, pas administratës publike (e ndikuar nga rritja e pagave). Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që janë të lidhura direkt me ndërtimin dhanë një kontribut modest, ndërsa bujqësia dhe industria në pjesën më të madhe kishin efekt negativ.

Praktikisht, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë ndikuar në gati gjysmën e rritjes për 9 mujorin, tregues i varësisë së lartë të vendit nga një model zhvillimi i paqëndrueshëm dhe vlerë të shtuar të ulët.

PENGESAT

Ambienti me interesa të larta nuk pritet të jetë shumë favorizues. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të vijojë të mbajë një politikë të shtrënguar monetare, ndonëse me intensitet më të ulët se më parë. Norma bazë ka arritur në 3.25%, ndërsa FMN ka kërkuar që të arrijë deri në 4.5%.

Inflacioni, që u rrit më pak se mesatarja e BE-së në fillim të krizës së çmimeve, tashmë është rreth 4%, dy herë më i lartë se në BE, për shkak të problemeve të brendshme, kryesisht nga kostot e larta të prodhimeve bujqësore.

FMN parashikon që inflacioni do të arrijë objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në fillim të vitit 2025. “Ka pasiguri rreth tendencës së inflacionit dhe koha dhe madhësia e këtyre rritjeve duhet të jenë fleksibël dhe të orientuara nga të dhënat, duke marrë në konsideratë perspektivën e përgjithshme makroekonomike”, thotë FMN.

Ndryshimet klimatike janë një tjetër faktor pengues afatgjatë. Ngrohja globale po nxit një seri ngjarjesh jonormale, të cilat ndonëse priteshin, ishin abstrakte, deri kur arritën në një pikë që filluan të ishin të dukshme nga bujqësia, të cilat po ndikohen negativisht nga përmbytjet tek energjia.

Edhe sektorë të tjerë po i ndiejnë pasojat, si fasoni (për shkak të motit të ngrohtë ka ndryshuar kërkesa për veshje, duke krijuar stok për veshjet e dimrit), prodhimi i verës etj. Vendi nuk është ende i përgatitur për t’u përballur me këtë proces.

Problematika e gjetjes së fuqisë punëtore dhe presioni i pagave. Mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht rrjedhojë e emigracionit të lartë po kthehet në një problem real për bizneset, duke penguar planet e tyre për investime. Salinas i Bankës Botërore thotë se teksa humbja e kapitalit njerëzor është një rrezik kritik për Shqipërinë.

Për të frenuar largimin e punonjësve bizneset u detyruan të rrisnin pagat e punonjësve, të nxituar dhe nga lëvizjet e qeverisë për pagat e administratës.

Por, dhe hapësira për rritjen e pagave, që nuk u shoqërua me shtim të produktivitetit, duket se është ezauruar.

Erald Pashaj, Administrator i EPPC Albania & Kosovo, kompani me aktivitet në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të stafit, pohon se ritmi i rritjes do të bjerë.

“Bazuar në analizën që kemi bërë në zyrën tonë, në gjashtë muajt e fundit të 2023, por edhe në rritjet e parashikuara të bizneseve që janë klientët tanë, mund të themi që rritja në vitin 2024 do të jetë në harkun 4% – 8%”, pohon ai.

NGA DO TË VIJË RRITJA NË 2024-n

Institucionet ndërkombëtare presin që rritja të jetë e moderuar edhe këtë vit. Si FMN, ashtu dhe BERZH, parashikojnë që zgjerimi i ekonomisë do të jetë në rreth 3.3% në 2024.

Konsumi i frenuar nga çmimet e larta dhe politika ende e shtrënguar monetare që pret të mbajë Banka e Shqipërisë janë dy faktorë që veprojnë kundër, ndërsa turizmi do të vijojë të ndikojë pozitivisht.

Shpejtësia e rritjes pritet të jetë e ndryshme, në varësi të sektorëve dhe faktorëve specifikë që mund të ndikojnë pozitivisht, apo negativisht.

Bujqësia në territor negativ

Bujqësia, e cila vijon të ketë peshën kryesore në aktivitetin ekonomik, do të vazhdojë të përballet me shumë të papritura, si kapriçot e motit, apo shtimi i kostove. Më pozitive është perspektiva për prodhimet e perimeve dhe serrat, që ndikohen pozitivisht nga kërkesa e lartë në tregjet ndërkombëtare.

Për blegtorinë, situata është krejt e kundërt. Prej disa vitesh, ky sektor po njeh vetëm rënie, si rrjedhojë e emigracionit dhe rritjes së kostove, duke ndikuar negativisht dhe industritë e lidhura me të, si përpunimi i qumështit, duke i lënë terren importit.

Bujqësia është i vetmi sektor që ka qenë në territor negativ në tre vitet e fundit, ndonëse ka peshën më të lartë në ekonomi, në rreth 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Prej vitesh, sektori nuk ka arritur të bëhet konkurrues, si rrjedhojë e problemeve strukturore, si mungesa e ekonomisë së shkallës, ndërsa vitet e fundit po vuan nga rritja e kostove dhe sidomos emigracioni i lartë që po lë fermat dhe ekonomitë lokale pa punonjës.

Paradoksi i turizmit të lartë dhe efektit zhgënjyes në ekonomi

Shqipëria përjetoi në 2023-shin vitin më të mirë historik të saj, duke kaluar për herë të parë shifrën e 10 milionë shtetasve të huaj që hynë në vend. Në kontrast, efekti në ekonomi ishte shumë më i ulët në krahasim me atë që pritej.

Aktiviteti i “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që kontribuon në rreth 17% të ekonomisë (i dyti pas bujqësisë) dhe normalisht duhet të reflektonte efektin e konsumit të shtuar nga turizmi, u rrit me vetëm 0.77% në tremujorin e tretë 2023, kur kulmon turizmi, nga 9.92% në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kjo ishte dhe ecuria më e ulët që nga tremujori i katërt i 2020-s, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Edhe për gjithë 9-mujorin, ky aktivitet është zgjeruar me më pak se 2%, shumë më pak se nivelet dyshifrore që kishte arritur dy vitet e mëparshme.

Disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë tendencë vlerësohet se janë informaliteti i lartë në turizëm dhe shpenzimet e ulëta të të huajve që vijnë në vend, që kryesisht kategorizohen si turistë me çanta shpine.

Në kahun tjetër, vendi ka “humbur” konsumatorë si rrjedhojë e emigracionit të lartë sidomos të të rinjve, që shfaqet në rënien e konsumit të drithërave, sheqernave, sallamet etj.

Gjithsesi, të paktën për ardhjen e turistëve, viti 2024 pritet të jetë sërish pozitiv. Burime zyrtare nga “Tirana International Airport” thanë për “Monitor” se në vitin 2024, përmes këtij aeroporti pritet të fluturojnë 9 milionë pasagjerë, nga rreth 7.3 milionë pasagjerë që u mbyll 2023-shi.

Në 2023, rreth 60% e udhëtarëve ishin të huaj dhe kjo përqindje ka ardhur në rritje vit pas viti. Këtë vit pritet një rritje e turistëve nga Mbretëria e Bashkuar, si rrjedhojë e hyrjes së linjës me kosto të ulët “Ryanair”.

Pritshmëritë janë pozitive edhe për prenotimet në hotele, një model që po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm, me zgjerimin e investimeve për rritjen e kapaciteteve në dhoma e shtretër në të gjithë bregdetin. “Kontratat janë mbyllur që në mes të 2023.

Nga ajo që shoh në përgjithësi nga tregu, është një rritje që shkon deri në 35% ‘e-commitment’, apo angazhimit për të hyrë në marrëdhënie garancie.

Për vitin 2024 janë ezauruar kapacitetet që jepen me garanci dhe disa partnerë kanë siguruar kërkesat e tyre, ndërsa të tjerë nuk kanë arritur të gjejnë kapacitetin e kërkuar. Tregu polak kryeson edhe për këtë vit dhe më pas vjen ai çek e të tjerët me radhë”, thotë Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International Albania, thotë se hoteleria pritet të ndjekë zhvillimin e fuqishëm që pati në vitin 2023, ndihmuar edhe nga shifrat pozitive të turizmit.

Bregdeti shqiptar, dhe veçanërisht Riviera Joniane shqiptare, pritet të ketë interes edhe më të madh, duke u rritur ndjeshëm me hapjen e aeroportit të Vlorës. Ajo shton se pritshmëritë janë pozitive dhe për tregtinë me pakicë në qendrat tregtare, pavarësisht rritjes së çmimeve si pasojë e inflacionit.

Optimist është dhe Julian Mane, zëvendëspresident i Grupit BALFIN, më të madhit në tregtinë me pakicë në vend. “Për shitjet me pakicë, viti 2024 pritet të jetë pozitiv, duke i dhënë një shtysë dhe rritje tregtisë me pakicë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo edhe për faktin se efektet negative të krizës së krijuar prej pandemisë po shuhen, por edhe vetë bizneset kanë fituar një përvojë të caktuar dhe kanë ndërtuar mekanizma që u përgjigjen më shpejt ndryshimeve”, pohon ai.

Ndërsa konsumi për disa produkte vendase pritet të jetë në rënie. Për operatorët prodhues, shkak kryesor i tkurrjes së konsumit mbetet strukturimi i popullatës nga largimi i të rinjve jashtë vendit.

Vuajtjet e industrisë do të vazhdojnë

Industria pritet të vuajë pasojat e rritjes së kostove të lëndëve të para, që nga njëra anë mund ta bëjnë industrinë jokonkurruese dhe, nga ana tjetër, mund të nxisin importet.

Industria e çimentos, përpunimit të metaleve, përpunimi i qumështit, fasoni, të gjitha raportojnë se po vuajnë si rritjen e kostove, ashtu dhe mosgjetjen e fuqisë punëtore.

Një ekonomi e pritshme e dobët ndërkombëtare pritet që të shtojë dhe më shumë vuajtjet për këtë segment që kontribuon në gati 11% të ekonomisë.

Për 9-mujorin 2023, për të dytin vit radhazi, industria shënoi rënie, që u thellua në 8.2% në tremujorin e tretë.

Industria po humb avantazhin konkurrues të prodhimit me çmim të ulët, për shkak të rritjes së pagave e kostove të tjera, ndërkohë që si rrjedhojë e këtyre problemeve nuk po arrin të kalojë në një fazë tjetër prodhimi, me vlerë të shtuar të lartë, duke vënë në dilemë ekzistencën për shumë sipërmarrje.

Ndërtimi, edhe sa do të vazhdojë rritja

Ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike në tre vitet e fundit, duke ndikuar shpesh në gati 50% të saj.

Të dy së bashku zënë rreth 16% të PBB-së. Si ndërtimi, ashtu dhe pasuritë e paluajtshme, u nxitën nga bumi i lejeve të ndërtimit që u dha në kryeqytet pas vitit 2017 dhe kulmoi në 2022, duke rënë për herë të parë në 2023.

Ndërtimi pritet të vazhdojë të rritet, por më shumë i orientuar nga turizmi. Ndërsa shitjet e pasurive të paluajtshme është e vështirë të parashikohen, për shkak se një pjesë e tyre ndikohet nga prurjet informale të valutës.

Gjithsesi, operatorët e tregut parashikojnë që shitjet e apartamenteve të shtrenjta të bien.

Një lajm i keq është se ka të ngjarë që rritja e çmimeve të vazhdojë, e ndikuar nga taksat më të larta, që transferohen direkt te blerësi fundor. “Në ndërtim, kostot direkte nuk do të jenë më të larta, ndërsa ndikimi i taksave nga qeveria pritet të jetë në rritje.

Nëse në Tiranë, sot aplikohet maksimumi i taksës së ndikimit në infrastrukturë (8%), disa qytete, si p.sh., Vlora, kanë hedhur në diskutim rritjen e kësaj takse nga 4% aktualisht, në 6%.

Ndryshimet e çmimeve të referencës deri më sot kanë dhënë ndikim vetëm në qytetin e Tiranës, me rritjen e çmimit të referencës në gjithë territorin e kryeqytetit, që pritet të rrisë koston e ndërtimit mesatarisht 40% më shumë. Sigurisht që kjo rritje kostosh do të shoqërohet me çmime më të larta.

Çmimi do të rritet besoj mesatarisht me 20%”, thotë kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi.

Sektorët e tjerë

-Aktivitetet profesionale kishin një ecuri të dobët në 2023, me kontribut negativ në ekonomi në 6 muajt e parë të vitit. Hyrja e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që rrit ngarkesën fiskale për ta, mund ti japë një tjetër goditje negative aktivitetit të tyre.

Ky sektor kontribuon në rreth 6% të ekonomisë, pothuajse njësoj sa pasuritë e paluajtshme.

-Informacioni dhe Komunikacioni: Tregu i telekomunikacioneve është përqendruar, pas hyrjes së hungarezëve të 4iG, të cilët kanë bashkuar ONE dhe ALBtelecom në një të vetme, në funksion nga 1 janari 2023.

Kompanitë janë nën presionin e investimeve në teknologji, ndërkohë që fitimet janë të ulëta, çka po bën që ata të shtrenjtojnë paketat për konsumatorët.

Teknologjia e informacionit pritet të vijojë rritjen, duke u kthyer në një burim punësimi për të rinjtë, pas interesit të lartë të sipërmarrjeve të huaja për të kryer një pjesë të shërbimeve në Shqipëri.

-Arte, argëtim do të vazhdojë tendencën pozitive, e ndikuar dhe nga flukset e larta të pritshme të turistëve.

-Aktivitetet financiare do të vijojnë të ndikohen nga politika ende shtrënguese monetare e Bankës së Shqipërisë, që gjithsesi nuk parashikohet të frenojë kreditimin. “Edhe viti 2024 pritet të karakterizohet nga inflacioni dhe, në varësi të nivelit të tij, mund të kemi edhe ndryshim të normës bazë të interesit në Lek gjatë pjesës së parë të vitit.

Por tashmë besoj se jemi afër pikut të normave të interesit dhe gradualisht, shpresojmë që gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 të fillojë ulja e tyre, sidomos në Euro”, thotë Bledar Shella, kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB).

Ai shton se rritja ekonomike, e mbështetur nga turizmi, ndërtimi si dhe nga projektet e reja në infrastrukturë, pritet të jetë pozitive dhe kjo do të ndihmojë në vazhdimin e rritjes së kredidhënies me ritme të kënaqshme.

Viti 2024 pritet pozitiv dhe për sektorin e sigurimeve. “Aktualisht, tregu i sigurimeve është i mirëkapitalizuar dhe financat e kompanive janë të stabilizuara”, thotë Klaidi Çitozi, kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.

Ai shton se pas sfidave, që kaluan, si tërmeti, apo pandemia, kompanitë treguan që janë të konsoliduara dhe të maturuara mjaftueshëm për të kaluar në një stad tjetër, i cili është mjaft i rëndësishëm për ekonominë e vendit.


DITË TË VËSHTIRA PËR EKSPORTUESIT

2023-shi ishte viti më negativ për eksportet, që nga periudha e pandemisë. Për 11-mujorin, të dhënat e INSTAT tregojnë se shitjet jashtë vendit ranë me gati 10%, me bazë vjetore, nga rritja e fortë prej 32% vitin e mëparshëm.

Në këtë tendencë ndikuan rënia e grupeve kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Materiale ndërtimi, metale” dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji”. “Makineri, pajisje e pjesë këmbimi” ishte në të njëjtat nivele si një vit më parë, ndërsa i vetmi aktivitet me rritje ishin “Ushqime, pije e duhan”.

Rritja e kostove, që po i bën eksportuesit jokonkurrues, koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare dhe sidomos rënia e Euros, që ul të ardhurat e eksportuesve të konvertuara në Lek, ishin arsyet kryesore të kësaj tendence. Parashikimet mbeten pesimiste dhe për 2024.

“Tekstile dhe këpucë” është grupi më i madh i eksporteve në vend, me rreth 29% të totalit. Pas tkurrjes me 6% të eksporteve për 9-mujorin 2023, industria fason nuk është fare entuziaste dhe për vitin 2024.

Kriza ekonomike do të frenojë konsumin dhe porositë, kurse moti i ngrohtë në dimër po krijon stoqe në magazina, gjë që do të ndikojë në kërkesa më të pakta për dimrin e ardhshëm.

Zhvlerësimi i Euros ul të ardhurat dhe fitimet, pasi arkëtohen më pak në lekë.

Eva Laro, nga “Prodyn”, prodhuesi më i madh i këpucëve në vend, tha se investimet në mënyrë absolute janë në rënie për vitin 2023 dhe situata do të jetë e ngjashme edhe në vitin 2024.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur ishte problem gjetja e fuqisë punëtore, situata është përmbysur. Industria është aq keq, sa po shkurton punonjës.

“Ecuria e punësimit do të jetë shumë dramatike, duke pasur edhe ndikim social dhe sidomos në zonat rurale, ku aktivitete të tjera ekonomike, përtej sektorit manifakturë të veshjeve dhe këpucëve, nuk ekzistojnë, dhe parashikimi është i kuptueshëm për të gjithë”, thotë kryetari i Shoqatës Pro-Eksport, Edvin Prençe.

Grupi i tretë më i madh i eksporteve “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, me 21% të totalit, është më optimist. “Bankers Petroleum”, eksportuesi i dytë më i madh në vend, pas “Kurum”, pret ecuri konstante të aktivitetit për sa kohë që çmimet e naftës do të vijojnë të jenë të larta.

“Bankers” pret që të prodhojë 500 mijë tonë fuçi naftë. Por kompania është optimiste se, pas përfundimit të investimit të injektimit me avull, prodhimi mund të arrijë deri në 800 mijë tonë në 2029-n.

“Materialet e ndërtimit dhe metalet”, grupi i tretë më i madh, me 19% të totalit, janë pesimistë.

Ilda Baraj, nga fabrika e prodhimi të tullave KID-Alb, pohon se rënia drastike e Euros ka ndikuar eksportet, ndërsa kostot janë rritur, duke i bërë jokonkurrues në treg.

“Kemi kosto shumë të larta dhe duhet shtuar këtu edhe ndikimi i kursit të këmbimit, ku Euro është zhvlerësuar ndjeshëm përballë Lekut, duke e bërë edhe më të vështirë.

Nuk konkurrojmë dot më në rajon, sepse i kanë kostot e prodhimit shumë më të ulëta sesa tonat, duke filluar nga akciza për prodhuesit te regjimi i natës për energjinë elektrike dhe elemente të tjera si këto”.

“Ushqimet, pijet dhe duhani”, që kontribuojnë në 13% të eksporteve, kanë shënuar rritje të qëndrueshme vit pas viti dhe ishin të vetmet me tendencë pozitive edhe në vitin 2023.

Sektori është optimist për vitin 2024, për zgjerim me të paktën 10%. Rritja e sipërfaqeve të serrave, por edhe shtimi i prodhimit të disa pemëve frutore, pritet të ndikojë pozitivisht.

Për bimët mjekësore, produkt që ka një peshë të rëndësishme në eksportet bujqësore, situata nuk është aq optimiste.

“Nuk presim ecuri pozitive për sektorin në 2024, nëse do të vazhdojmë me të njëjtat probleme që kemi pasur gjatë vitit të kaluar”, pohon për “Monitor”, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, z. Filip Gjoka.

Sektori ka vuajtur nga rënia e kërkesës për bimë mjekësore mbi 50%, për shkak të mbingopjes së tregjeve të huaja nga pandemia e COVID-19 dhe pasojave të zhvlerësimit të Euros dhe Dollarit.

“Makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit” ishin një ndër grupet me rritjen më të shpejtë vitet e fundit, pas hapjes së disa fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive.

Në Shqipëri janë aktive kompani si “Forschner Albania”, “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”, “Yura Corporation” dhe “SEWS Cabind Albania”, të cilat prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si “Mercedez Benz”, KIA, “Hyundai”, “Peugot”, “Renault”, “Fiat Group”, apo të tjera si “Sumitomo Electric Industries”.

Përfaqësuesit e këtyre kompanive janë optimistë për vitin 2024, ndonëse po vuajnë si të gjithë nga rënia e Euros dhe mungesa e fuqisë punëtore që nuk u mundëson zgjerim. Mario Scarfalloto, menaxher i “SEWS Cabind Albania” thotë se Shqipëria mund të përfitojë nga orientimi i prodhimit drejt makinave elektrike.

Ai pohon se rritja e peshës së makinave elektrike në totalin e mjeteve duket se do të japë efekte edhe në Shqipëri, ku një fraksion i vogël i produkteve prodhohen nga fabrikat e vendosura këtu.

Kriza e fuqisë punëtore, vetëkënaqësia e turizmit dhe dilema e modelit ekonomik të vendit

Zhvillimet demografike, emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore po kthehen në një problem sistemik të ekonomisë: Për të katërtin vit radhazi, sipërmarrësit shfaqin si një nga problemet kryesore jo vetëm mungesën e fuqisë punëtore, por dhe ndikimin që emigracioni po jep në konsum.

Ndryshe nga qeveria, që e quan një proces normal emigracionin, institucionet ndërkombëtare janë shumë më të shqetësuara. “Shqipëria ka shkallën më të lartë të migracionit, në krahasim me popullsinë e saj, në Europën Qendrore dhe Lindore, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.

Po largohet kryesisht popullsia e re mashkullore dhe e arsimuar në moshë pune, duke zvogëluar forcën e punës në dispozicion në vend”, thotë znj. Ekaterina Solovova e BERZH.

“Plakja e popullsisë dhe emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore përfaqësojnë dy nga burimet kryesore të shqetësimit për perspektivën afatmesme. Këta faktorë ushtrojnë presion mbi shpenzimet e qeverisë për pensionet dhe shëndetin. Emigrimi i vazhdueshëm i punëtorëve mund të përkeqësojë mospërputhjet mes aftësive dhe kërkesës dhe të shtrëngojë më tej tregun e punës”, thotë Anke Weber e FMN-së.

Z.Salinas i Bankës Botërore pohon se “duhet të përqendrohemi të gjithë (dhe me vendosmëri dhe shpejtësi) në forcimin e kapitalit njerëzor dhe të sigurohemi që ai të mirëpërdoret”. Ai këshillon se duhet të orientohen urgjentisht investimet në kapitalin njerëzor, si prioriteti më i rëndësishëm për Shqipërinë.

Problematika e fuqisë punëtore, cilësisë dhe edukimit të saj lidhet ngushtësisht me dilemën tjetër, atë se ku po shkon modeli ekonomik i vendit.

Për tre dekada, avantazhi kryesor konkurrues i ekonomisë vendase ka qenë kostoja e lirë e fuqisë punëtore, që ka nxitur sektorë me vlerë të shtuar të ulët dhe paga minimale.

Tashmë, ky model nuk po funksionon më. Emigrimi ka krijuar ngërç të vërtetë në tregun e punës. Të gjithë sektorët raportojnë se po vuajnë që të gjejnë punonjës dhe po detyrohen të rrisin pagat, në pjesën më të madhe pa e shoqëruar me përmirësim të produktivitetit, duke ndikuar në uljen e konkurrueshmërisë në raport me fqinjët.

Qeveria është e qetë, duke e quajtur “normal” këtë zhvillim, teksa disa aktivitete e kanë mbaruar tashmë ciklin dhe ekonomia po orientohet drejt sektorëve të tjerë. Në fakt, orientimi më i madh i investimeve është në ndërtim, një sektor i përkohshëm dhe pa vlerë të shtuar në ekonomi.

Industria nuk po arrin të investojë në përmirësimin e teknologjisë, duke humbur përparësinë e kostos së lirë të fuqisë punëtore, pa krijuar avantazh tjetër. Shqipëria mbetet pas në teknologjinë e informacionit, i cili po zhvillohet kryesisht si shërbim për të tretët.

“Vetëkënaqësia” është e lartë dhe për turizmin, që siç u pa dhe nga shifrat e 2023 nuk arriti të sjellë vlerë të shtuar në ekonomi. Përveçse ka ndikim sezonal, nuk shihet të bëhen përpjekje për të ndërlidhur sektorët e tjerë, si industria e përpunimit të ushqimeve.

Për më tepër që ky sektor është mjaft i brishtë, si ndaj zhvillimeve të papritura, ashtu dhe ndaj një përkeqësimi të imazhit, në kushtet e një infrastrukture jo shumë funksionale dhe një rritjeje të shpejtë çmimesh në vendin që është marketuar si ndër më të lirët e Europës./Monitor

SI.E./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pena: 14/01/2024 17:59

    Analize ekonomike- financiare e ceket! Aq me keq kur nuk e sintetizon me analize sociale te shoqerise shqiptare. Eshte e prirur per negativitet dhe Jo transparence!

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 14/01/2024 16:38

    Cfare u be me ate fermen e buallicave qe do prodhonin qumesht qe mashtronte katunaret ne Berat vellai i kesaj ekspertes se ekonomise?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Azerbajxhani thotë se Rusia po tenton 'të fshehë' shkakun e rrëzimit të avionit

Azerbajxhani thotë se Rusia po tenton 'të fshehë' shkakun e rrëzimit të avionit