TIRANE- Përzgjedhja e teksteve shkollore, sërish do të jetë në duart e mësuesve të shkollave, por tashmë do të merret edhe mendimi i prindërve dhe nxënësve. Përzgjedhja e teksteve deri pak më parë ka qenë edhe një nga pikat e diskutuara për shkak të abuzimit që është bërë me tekstet, ku shpeshherë ato janë përzgjedhur, pasi i përkisnin X autori apo Y shtëpie botuese. Duke parë këtë situatë, në udhëzimin më të fundit që ka firmosur ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, thuhet se pas përgatitjes së katalogut të teksteve, ai duhet të shpërndahet në të gjitha shkollat.

Ndërkohë, udhëzimi parashikon që përzgjedhja e teksteve të bëhet nga mësuesit e shkollës, të cilët duhet të bazohen në cilësinë e tekstit, pritshmërinë e rezultateve etj. Nga ana e tij, drejtori i shkollës zgjedh komisionin e administrimit të procesit, i cili duhet të jetë i përbërë nga 3 mësues, të cilët do të administrojnë propozimet e mësuesve për tekstet. Mbledhja e këshillit të mësuesve për përzgjedhjen e teksteve bëhet e hapur, ku duhet të jetë edhe bordi i prindërve.

“Në shkollat ku ka dy a  më shumë mësues për një lëndë dhe dy a më shumë klasa paralele, mësuesit t'i unifikojnë propozimet duke u mbledhur në bazë klasash ose komisionesh lëndore ose grup lëndësh. Propozimet  duhet të jenë konsensuale. Në rast mosdakortësie, të bëhet votim  i thjeshtë dhe i hapur” thuhet në shkresën e firmosur nga Nikolla. Sipas udhëzimit të MASH, data e përfundimit të procesit të përzgjedhjes së teksteve do të jetë 15 prilli, ndërkohë sa i përket shitjes se teksteve, ato duhet të kryhen në librari të licencuara, përgjatë datave 20 gusht deri në 15 shtator.

Por ajo që parashikohet në udhëzim, është se nxënësit duhet të pajisen me listën e teksteve që duhet të  blejnë në fund të vitit shkollor, ku në listë duhet t’u jepen të gjitha detajet për tekstet e përzgjedhura nga shkolla. Një tjetër pikë që është parashikuar nga Ministria e Arsimit është edhe konflikti i interesit, ku çdo punonjësi të MASH dhe të gjithë institucioneve të varësisë, u  ndalohet ndikimi në procesin e përzgjedhjes.

“Teksti, i cili ka autor mësuesin apo drejtuesin e njësisë vendore arsimore, nuk mund të përzgjidhet në qarkun ku është i punësuar autori. Kur punonjësi ose personi ka konflikt interesi, konflikti zgjidhet në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi” thuhet në udhëzimin e MASH. Sa i përket çmimit të librave shkollore, ato këtë vit do të kenë një rritje prej 1.9 % kundrejt çmimeve të mëparshme, shifër kjo që përfaqëson treguesin e inflacionit vjetor për vitin 2013.

Shkrimi u publikua sot (23.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)