Pesë familje në Mbretërinë e Bashkuar pretendojnë se fëmijët e tyre humbën jetën duke tentuar të kryenin të ashtuquajturën “Blackout Challenge”, një sfidë e rrezikshme që përfshin ndalimin e përkohshëm të frymëmarrjes dhe që mund të shkaktojë dëmtime serioze të trurit apo vdekje.
Prindërit kanë ngritur padi në Shtetet e Bashkuara kundër TikTok-ut, duke e fajësuar platformën për ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjes së rrezikshme dhe duke kërkuar të zbardhin rrethanat e orëve të fundit të jetës së fëmijëve të tyre.
Sipas Sky News, rasti përfshin pesë fëmijë të moshës 12 deri në 14 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja në incidente të ndara gjatë një periudhe disa mujore. Familjet besojnë se ata po imitonin sfidën e rrezikshme që ka qarkulluar prej vitesh në internet.
Mes viktimave janë Maya Walsh (13 vjeç), Noah Gordon (12 vjeç), Jules (14 vjeç), Archie (12 vjeç) dhe Isaac (13 vjeç). Në disa raste, prindërit gjetën prova indirekte në pajisjet elektronike të fëmijëve, përfshirë video të regjistruara që dyshohet se lidhen me TikTok, edhe pse nuk ishin publikuar.
TikTok ka mohuar se “Blackout Challenge” ka qenë ndonjëherë trend në platformë dhe thotë se e ka ndaluar këtë lloj përmbajtjeje që nga viti 2020, duke theksuar se heq 99% të materialeve që shkelin rregullat para se të raportohen. Kompania ka shprehur gjithashtu ngushëllime për familjet.
Seanca e parë dëgjimore pritet të mbahet të premten, ndërsa TikTok do të kërkojë rrëzimin e padisë, duke argumentuar se çështja është ngritur në juridiksion të gabuar, pasi incidentet ndodhën në Britani.
Komente









