Jonida Metushi studente e Universitetit të Mjekësisë nuk e sheh si zgjidhje për një sistem më të mirë shëndetësor për Shqipërinë pr/ligjin e qeverisë që parashikon punësimin e detyruar pas diplomimit. Nuk beson gjithashtu se ky pr/ligj do e frenojë largimin e mjekëve.

“Ata studentë që e kanë ndarë mendjen do ikin. Ata që duan të largohen do ti gjejnë mundësitë të largohen. Por dëshira është që të qëndrojmë këtu ti shërbejmë popullit. Kërkojmë kushte për të punuar. Nga medikamentet, aparaturat mjekëspore deri tek liria për të zgjedhur vendin ku duam të ushtrojmë profesionin tonë” tha Jonida Metushi në një intervistë për emisionin “Studio Live” të Arbër Hitajt pasditen e sotme në Report TV.

Kërkon të ngrejë zërin kërkon përmirësimin e infrastrukturës në qendrat shëndetësore.

“ Mjekët e rinj nuk duan të largohen por qeveria po e bën edhe më të vështirë qëndrimin” thotë ajo.

Sipas pr/ligjit studentëve aplikantë në Mjekësi, që futen këtë vit në sistem, janë të detyruar të firmosin një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 5 vjeçare pas diplomimit. Ndërsa për ata që vijojnë studimet nga viti i dytë deri në të gjashtin, kanë mundësi të firmosin marrëveshjen që i detyron të punojnë 2 ose 3 vite në Shqipëri. Në të kundërt do të paguajnë tarifë të plotë studimi.

Studentët e mjekësisë kanë paralajmëruar se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin. Në një protestë të organizuar para Kuvendit paraditen e sotme studentët thonë se kanë mbledhur 1500 firma, por nga ana e Qeveria duket se s’ka kthim pas.