Në drekën e fundvitit u kërkova shoqeve të mia që kur të bënim fotografitë që do t’i mbajmë si kujtim, të mendonim në atë moment të shkrepjes një gjë të bukur: Një urim, një dëshirë, një mendim pozitiv për njerëzit që na rrethojnë, një lutje për shërim, për dashuri, për shëndet... pra, vetëm një gjë të mirë, qoftë personale, qoftë për të tjerët. Duke e njohur mirë njëra-tjetrën, e duke ditur problemet dhe shqetësimet që secila ka në të përditshmen, në familje, me prindërit e moshuar, me fëmijët, apo me largësitë dhe mallin nga vendet e origjinës, për pak orë, për një çast, dëshiroja të shihja efektin që mendimet e mira krijojnë në atmosferën e një dreke, për të gjithë.
Nuk e di ju, por prej kohësh kam krijuar përshtypjen se mendimet pozitive na përmirësojnë. Na japin një dritë në fytyrë, na shtrijnë rudhat dhe na ndihmojnë të jemi më të lehtë, sikur e mbajmë kurrizin më drejtë e sikur ndjejmë peshën e trupit tonë më puplor. Mendimet pozitive sikur na bëjnë të fluturojmë. Por jo vetëm kaq. Kanë një efekt tek ne, por edhe në atë që na rrethon.
Për herë të parë, këtë formë të veçantë të ekzistencës sonë, e perceptova kur shkova në një vend të mirë në Shqipëri, para disa vitesh, kur po shoqëroja dy shoqet e mia, në Sarisalltik, e ku vetë skeptike, qëndrova nën një arrë të madhe që është aty sipër, duke pritur që dy mikeshat e mia të luteshin e të kërkonin më të mirën për familjen, për veten e për kë dëshironin ato. Duke pritur aty, edhe pse dyshuese, ndjeja një energji pozitive përreth meje, të pashpjegueshme, të ëmbël, të pëlqyeshme. Njerëzit që shihja kishin një buzëqeshje të posaçme dhe një fytyrë të paqtë, plot dritë dhe gëzim. Në pamundësinë nga ana ime për të parë të padukshmen, dola në rezultatin që nëse shumë prej nesh mendojnë pozitivisht,(një lutje, një dëshirë, një ëndërr për të realizuar) mendimi dhe energjia e brendshme, përmirëson dhe çfarë kemi përreth, lehtëson ajrin. Krijon një mjedis magjik, gati të shenjtë. Mendoj se në një vend të shenjtë askush nuk e merr rrugën për të bërë një sharje, një mallkim apo të lutet e t’i urojë të keqen ndokujt, përndryshe teoria ime do të rrëzohej menjëherë.
Kujdes! Nuk e kam fjalën për një mendim pozitiv hipokrit, fals, të pavërtetë, të pandjerë; jo! Diçka që vjen nga thellësia e zemrës dhe që e duam sezbën, sado e parealizueshme mund të duket.
Dhe kjo energji pozitive e krijuar mes nesh këtë 12 dhjetor 2025, pavarësisht se flasim, mendojmë, dëshirojmë, lutemi në gjuhë të ndryshme (jemi nga Italia, Anglia,Turqia, Indonezia, Spanja, Rusia, Shqipëria) i tejkalon të gjitha këto. Sikur del nga mendjet tona dhe merr formën universale të dashurisë duke na ndihmuar që të kalojmë bashkë një ditë të paharrueshme. Me siguri, këtë që unë po shkruaj sot, e keni ndjerë qindra herë në shoqëritë, familjet e me të dashurit e zemrës tuaj. Pesha e lehtë e mendimit pozitiv nuk duhet harruar në këto ditë festash në familje, në shoqëri, me kolegë, me të afërm, e kudo ku të duam e të kemi mundësi.
Komente









