Peshëngritësi shqiptar Briken Calja mban premtimin duke u shpallur kampion Europe në Rumani. Ai triumfoi duke arritur që të rrëmbejë tre medalje të arta, në shkëputje, shtytje dhe në dy garësh në peshën deri 69 kg. Peshëngritësi shqiptar e nisi mjaft mirë garën duke realizuar me sukses të tre provat në shkëputje.
Në provën e parë ai ngriti me shumë lehtësi 141 kg, në të dytën 143 kg, ndërsa në provën e fundit tentoi duke arritur me sukses 146 kilogramë. Sot ishte dita e tij. Pas stilit të shkëputjes, ai triumfoi edhe në shtyje, pasi ngriti 175 kg.
Bashkë me Caljan në kategorinë 69 kg, garoi dhe peshëngritësi tjetër shqiptar Arbër Çerçizi. Ai ngriti 135 kilogramë në provën e parë dhe dështoi në dy të tjerat, për të ngritur 141 dhe 142 kilogramë në shkëputje.
Në shtytje, Çerçizi ngriti 156 kg në provën e parë, ndërsa u dëmtua në tentativën për të ngritur 161 kg në të dytën. Medalja e artë pastron sadopak imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pas problemeve të vazhdueshme me dopingun, e fundit ishte Romela Begaj.