Një i ri, i cili ishte arrestuar në Vlorë për vjedhje, ka ndërruar jetë në spital pas një arresti kardiak. 32-vjeçari Enea Shparthi ishte në gjendje të rënduar shëndetësore në komisariat dhe është dërguar menjëherë në spital, por pavarësisht ndihmës së bluzave të bardha, s’ka mundur të shpëtojë.

Ai ishte arrestuar mbrëmjen e 29 gushtit dhe ishte në pritje të masës së sigurisë. Sipas burimeve, ishte përdorues i lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë:

Sot rreth orës 09:50, në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Policisë Vlorë, është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore shtetasi i arrestuar E. Sh., 32 vjeç, banues në Vlorë.

Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe 32-vjeçari është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar se ky shtetas ka humbur jetën.

Paraprakisht dyshohet se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiak.

Shtetasi E. Sh. ishte arrestuar në flagrancë më datë 29.08.2026, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.