Petrit Ymeri: Piratët më të mëdhenj
janë universitetet private

Petrit Ymeri: Piratët më të mëdhenj <br />janë universitetet private
Dita Ndërkombëtare e të Drejtave te autorit, dje, në Tiranë startoi me një seminar, i cili përkoi edhe me 5-vjetorin e krijimit dhe funksionimit të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autori (ZSHDA). Ishte i pranishëm kryetari i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, z. Mihaly Ficsor, për të dhënë mbështetjen e tij në ndihmesë të ligjit të ri për të Drejtën e Autorit. Përfaqësuesja e MKRS-së, zj. Zana Turku pohoi se ishte aty “për të diskutuar publikisht Ligjin e Ri për të Drejtën e Autorit”. Ndërsa drejtoresha e Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit, zj. Nikoleta Gjordeni, pasi tregoi përpjekjet që janë bërë për të ndërgjegjësuar publikun dhe ndjekur rrugët ligjore, theksoi se është bërë inkurajimi për të përdorur mjetet dhe rrugët ligjore- administrative për çdo cenim konkret të së drejtave, e cila sipas saj me krijimin e agjencive të administrimit, si e vetmja mënyrë për të siguruar që vlerat e tyre intelektuale krijuese do të shpërblehen. “Si rezultat i kësaj pune sot kemi 4 Agjenci Administrimi Kolektiv si ALBAUTOR , FMAA, AKDIE dhe AMP”, pohon zj. Gjordeni, duke shtuar që “beteja e respektimit të së drejtës së autorit në Shqipëri është një betejë, e cila nuk fitohet vetëm nga ZSHDA, sado e përkushtuar dhe profesionale ajo te jetë.” Ajo tha se duhet të veprojnë e bashkërendojnë me çdo institucion “që situata të përmirësohet”. Seminari ka vijuar edhe në pjesën e pasdites ku janë shtruar edhe disa nga çështjet më konkrete, për të cilat vetë Kryetari i Shoqatës së Botuesve , z. Petrit Ymeri është shprehur në intervistën e tij për Shqiptarj.com.


Zoti Ymeri, çfarë u trajtua sot në seminarin për të drejtat e autorit?
-Çështja që u diskutua sot pas një ripunimi të thellë dhe disa ndryshime të thella që janë bërë në të drejtën e autorit. Ka gati 80 aktivitete të Zyrës Shqiptare të së Drejtës së Autorit, që kanë qenë një rrugë e gjatë e punës që ka bërë kjo zyrë, por edhe ne të tjerët, operatorët e interesuar të librit, të televizioneve dhe gjithë krijuesit e të tjerë audio-vizivë dhe të shkruar. Ka ecje përpara, ka arritje, por natyrisht ka edhe shumë probleme në Shqipëri. Këtu janë diskutuar probleme të të gjitha fushave të së drejtës së autorit.

A evidentohen shumë pirateri?
-Ka shumë, por ka edhe evidentim të të drejtave të autorëve. Është një terren ku ende ka shumë punë.

Problemet kryesore që dalin për të bërë këto punë, cilat janë?
-Unë mund të them vetëm problemet që ka libri në Shqipëri. Neve në Shqipëri, nëse flas si Kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë jemi promotorë të së drejtës së autorit që nga themelimi i saj. Bëhen 20 vjet që kur është krijuar. Kemi bërë shumë punë për këtë. Dhe, unë them që kemi arritur suksese, derisa u bë edhe Ligji i Librit, edhe Ligji i Të drejtës së Autorit, por ka edhe probleme. Një nga problemet më të mëdha sot vjen nga operatorët më të mëdhenj që janë hedhur në fushën e librit, të cilët janë universitetet. universitetet private dhe ato shtetërore. Por, veçanërisht universitetet private botojnë literaturë pa fund, pa marrë të drejtën e autorit. Sot shumica e universiteteve private dhe disa shtetërore me autorët bëjnë si të duan. I marrin dhe bëjnë të vetën: është futur termi përshtatje dhe kompilim. Këta janë piratë shumë të mëdhenj.

A mund të na i thoni disa emra universitetesh ose autorësh piratë?
-Nuk dua të nominojë unë emra universitetesh, por nëse e them këtë gjë, mund të vij deri tek shembulli më i fundit, tek libri famëkeq “Mein Kampf” i Hitlerit, që botohet në disa versione. Nuk ndërhyn njeri, ndërkohë që duhet ndaluar edhe nga ligji i të drejtës së autorit. Duhet ndaluar edhe nga Kodi Penal. Megjithatë, ky libër reklamohet nëpër publik, nëpër gazeta nëpër tubime televizive, edhe pse është një libër pirat.

Asnjë nga botuesit e librit “Main Kampf” të Hitlerit nuk ka marrë të drejtën e autorit?
Nuk ka të drejtë autori asnjëri version. Është e qartë që nuk kanë marrë të drejta autori. E para e punës ata nuk mund ta botonin se s’ka të drejtë ligjore botimi, por nuk flas unë për atë. Unë flas se nuk kanë marrë të drejtë autori, por sepse kemi dy aspekte të së Drejtës së Autorit në Shqipëri: a) kur botuesit profesionistë punojnë, përpiqem ta shfrytëzojnë ligjin dhe b) është ajo masë që nuk shqetësohet fare për këtë punë. Bënë çfarë bënë, madje edhe i boton me nivel të dobët. Paguan pak për librin dhe nuk bën asgjë për sa i përket cilësisë. Instancat që merren me këtë punë flasin, por kush i dëgjon.

Nuk e gëzojnë instancat statusin dhe të drejtën e gjobëvënies ose ndëshkimit për shkeljen e të drejtave?
-Ky është një problem. Kush do ta vërë gjobën dhe kush do ta mbledh. Është një problem I madh. Këtu pastaj kjo gjë nuk funksionon, nëse nuk bëhen hallka të një zinxhiri, varg. Edhe operatorët që merren me këtë punë, edhe zyrtarët e të drejtës së autorit, edhe Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, edhe Zyra e Tatim-Taksave, edhe Prokuroria, edhe Gjykata duhet të jenë të gjitha që të komunikojnë me njëri-tjetrin si enët komunikuese. Pa arritur këtë funksion që ne të komunikojmë si hallkat e një zinxhiri, nuk do të bëjmë dot një ndërhyrje përfundimtare ndaj piraterisë.

Ka realisht denoncime për të drejtat e autorit?
-Ka. Por, është një gjë aq e vështirë kur ke të bësh me gjykata për shkeljen e të drejtës së autorit, saqë shumë subjektet shpesh herë hezitojnë ta bëjnë këtë gjë apo dhe shpesh herë zgjedhin rrugë të ndryshme. Por ky është një problem i madh shoqëror dhe unë them që është mirë që bëhen këto mbledhje, këto diskutime, që njerëzit dhe shoqëria të bëhen më shumë të ndjeshëm sepse ne ende jemi në fillim të një rruge, por shpresojmë të lidhim hallkat e zinxhirit të këputur për të drejtat e autorit.

Është vënë se libra të tillë si ai i Hitleri apo “Vragjet Satanike” të Salman Ruzhdie, duke bërë bujë mediatike si libra tabu, ndihmojnë më shumë shitjen. Cili është mendimi juaj për këta lloj librash?
-Unë mendoj se nëse një libër e ndalon ligji, ky libër nuk duhet të botohet. Nëse them se është një gjë ende e ndaluar, kjo lidhet me përkatësinë e ligjeve në fuqi.

E ndalon ligji botimin e librave të tillë?
-Sigurisht që janë të ndaluar. I ndalon Kodi Penal.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza