Petro Koçi: Opozita, anemike
populli është sehirxhi

Petro Koçi: Opozita, anemike<br />populli është sehirxhi
Në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" kryetari i PSV '91 Petro Koçi është shprehur se kryeministri Berisha me 20 vjetët e tij shqiptarët i ka koritur para botës, nga njëra anë si popull i nënshtruar dhe sehirxhi dhe nga ana tjetër si opozitë anemike dhe nganjëherë bashkëpunëtore e koniukturës aktuale politike. Ai është shprehur se në këtë situatë vendi ka nevojë për krijimin e një fronti të gjërë opozitar për largimin e këtij kryeministri nga qeverisja dhe për sjelljen e një mentaliteti të ri. Duke evidnetuar faktin se tashmë Berisha nuk mund të vjedhë më votat si më 1996 por i blen ato përmes parave të fituara padrejtësisht, Koçi kërkon që përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve zgjedhore të jetë e kujdesshme. Ai s'përjashton koalicionin me LSI, FRD e AK.

Jemi në vitin elektoral, të gjitha partitë politike po kalkulojnë taktikat e tyre elektorale. Po opozita si po ecën në këtë drejtim?

Për këtë çështje opozita ka konsumuar shumë diskutime të dobishme. Ndërkohë ne kemi në dispozicion dy eksperienca të rëndësishme elektorale, njëra e 2009 e tjetra e 2011-ës. Secila prej tyre na mëson se duhet ndërtuar një taktikë elektorale bashkëpunimi dhe e integruar. Sistemi elektoral ka frymë përjashtimi të qartë dhe nuk lejon taktika të pavarura zgjedhore. Gjithësesi brenda strategjisë së përbashkët të opozitës mund të ketë taktika elektorale ku disa parti mund të kombinojnë përqëndrim votash e kandidatësh në qarqe të caktuara. Këto taktika do të varen nga strategjia e përbashkët e opozitës. Dhe në këtë pikë nuk mund të lejohen gabime.

Edi Rama por dhe eksponentë të tjerë të PS janë shprehur për krijimin e një koaliconi të gjërë anti-Berishë. Cilat do të ishin kordinatat e këtij koalicioni dhe sa mendoni se ekziston vullneti për të realizuar një gjë të tillë?

Duke patur në krye një kryeministër që ka 20 vjet në drejtim të politikës së vendit ne po hyjmë në histori si shoqëri dhe klasë politike e paaftë për të prodhuar ndryshimin. Prandaj besoj se është pjekur ndërgjegjia politike që në këtë edicion politik duhet një aksion elektoral gjithëpërfshirës që garanton ndryshimin e qeverisjes dhe ndërrimin e kryeministrit. Berisha me 20 vjetët e tij na ka koritur para botës, nga njëra anë si popull i nënshtruar dhe sehirxhi dhe nga ana tjetër si opozitë anemike dhe nganjëherë bashkëpunëtore e koniukturës aktuale politike. Ka ardhur koha për të bërë një kapërcim historik si ai i viteve të para '90. Përmbysje të kësaj paaftësie dhe të këtij realiteti politik ku një grusht oligarkik grabit demokracinë, Republikën, arkat publike dhe truallin kombëtar. Mafia ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare ka më shumë pushtet se sa populli mbi qeverinë. Shenjat e ndërgjegjes së re politike po ndihen. Rinovimi moral, politik, institucional dhe demokratik do të bëhet!

Eshtë folur shpesh për përfshirjen në koaliconin opozitar dhe të dy partive të reja, FRD të Topit dhe AK të Spahiut. Mendoni se do të ishte një vlerë e shtuar në zinxhirin e partive opozitare pë rtë mundur Berishën, i cili ka pushtuar të gjitha institucionet?

Partitë politike janë të pavarura për t'u përcaktuar se ku bëjnë pjesë, në opozitë apo në krah të pushtetit. Nevoja historike për të përmbysur rregjimin politik dhe në veçanti rregjimin financiar antipopullor Berisha duhet të bashkojë çdo faktor progresist dhe çdo fraksion politik atdhedashës. Kapja e shtetit i ka zënë fytin demokracisë dhe institucionalizmit. Politika feudale e krahinore e qeverisë Berisha është një alarm për çdo politikan normal dhe qytetar. Prandaj opozita duhet të zgjerohet në aksion dhe në përbërjen politike.

Në debatin për heqjen e imunitetit të deputetit Berisha ka hedhur dorashkën duke kërkuar referendum për ndryshim kushtetues, ndërsa opozita është dakord, por kërkon ndryshime më të thella. Vlerësimi juaj për këtë lëvizje të Berishës, që e shpjegon me faktin se mosvotimi i heqjes së imunitetit dëmton marrjen e statusit të vendit kandidat?

Lojë kaq e trashë politike lejohet vetëm në Shqipëri mesa duket. Berisha në këtë rast ngjan si e "ëma e Zeqos majë thanave" të KQZ-së. Opozita nuk ka arsye të bjerë në lojën antiinstitucionale të Berishës përsa i përket referendumit. Për imunitet nuk ka diferenca dhe kundërshti politike. Për çështjen e kufirit detar me Greqinë po! Referendumi nuk është një leckë me të cilën kryeministri fshin prapanicën e vet politike. Por një institucion gjithëpërfshirës në vendimmarrjeje për çështje me interes kombëtar e jo për ato kryeministrore. Statusin nuk e meritojmë, prandaj nuk e kemi marrë. Imuniteti është vetëm një pikë ujë në detin me detyra europiane të Shqipërisë.

Në të njejtën linjë me Ramën për heqjen e imunitetit përmes një votimi në Kuvend është dhe aleati i Berishës në qeverisje, Ilir Meta. Mendoni se ka çarje te mazhoranca?

E gjykoj si një lëvizje shumë racionale të LSI përcaktimin e saj politik për këtë çështje. Aleatët e Berishës e kuptojnë se gjoja referendumi është një aventurë talljeje me popullin. Nëse kjo është një shenjë çarjeje mbetet për t'u provuar më tej. Politika nuk bëhet me iluzione. Gjithësesi të shpresojmë gjithnjë e më shumë faktorë t'i largohen rrugës antirepublikë të Sali Berishës.

A e shihni si LSI e Ilir Metës në bllokun e partive anti-Berishë më 2013?

Do të ishte normale, por këtë e vendosin forumet e LSI.

Ish-kryetari socialist Fatos Nano ka deklaruar se në shtator starton fuqishëm lëvizje e tij për bashkimin e së majtës. Si e vlerësoni këtë lëvizje dhe sa shpresë ka?

Pyetja është se a do ti bashkohet Fatos Nano të majtës socialiste nga e cila është arratisur? Bashkimi i së majtës ka faktor kryesor PS. Nga ajo varen kryesisht dhe natyrisht dhe partitë dhe fraksionet e tjera politike socialiste. Pra është një projekt që nuk varet nga një njeri dhe bëhet në mënyrë institucionale.
Nano ka nevojë të rrëfehet publikisht për lojërat e tij politike të viteve të fundit, pastaj të qaset te projektet opozitare. Në këtë gjykim përfshij dhe argumentin që gabimet e Fatos Nanos nuk justifikojnë gabimet e të tjerëve, ashtu si gabimet e të tjerëve nuk justifikojnë dot Nanon.

Si mund të mundet Berisha, kur ju e akuzoni se ai nuk e ka për gje të prekë dhe votën?

Duhet një politikë e kombinuar dhe e fortë e opozitës. Institucionalizëm pa kompromise dhe taktikë e mirëkalkuluar. Berisha mundet lehtë nëse nuk bëhen më gabime. Natyrisht që duhet një bashkim i madh politik, i cili garanton qytetarizim të shtetit dhe ekzekutivit dhe rivendos unitetin kombëtar në raportin e krahinave me shtetin dhe politikën. Ekipet konkurruese të opozitës kanë nevojë të ripërtërihen me shtetdashës.

Pandeli Majko ish-kryeministër i Shqipërisë ka lëshuar alarmin se Berisha po përgatitet të vjedhë votën si në vitin 1996. Si mendoni se mund të përballohet një mundësi e tillë dhe si mund të çmontohen, ata që opozita i cilëson "detashmentet" lëvizëse elektorale të Berishës që tjetërsojnë dhe dhunojnë votën?

Berisha nuk e dhunon më votën me kërbaç por me kulaç. Pra ai e blen votën me pushtetin e rrezikshëm financiar që zotëron. Komisionerët e opozitës duhet të përzgjidhen si dikur. Duhen njerëz me zemër dhe patriotë. Regjimi financiar antipopullor i Berishës rrëzohet me ideal kombëtar dhe shtetar.

Për Nanon

"Nano ka nevojë të rrëfehet publikisht për lojërat e tij politike të viteve të fundit, pastaj të qaset te projektet opozitare. Në këtë gjykim përfshij dhe argumentin që gabimet e Fatos Nanos nuk justifikojnë gabimet e të tjerëve, ashtu si gabimet e të tjerëve nuk justifikojnë dot Nanon".
Intervista u botua në gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Protesta e PD-së, sherr i ashpër mes protestuesit dhe qytetarit! Ndërhyn policia

VIDEO/ Protesta e PD-së, sherr i ashpër mes protestuesit dhe qytetarit! Ndërhyn policia