Ish-deputeti i PS Petro Koçi, ka shqetësimin e tij për situatën aktuale në Organizatën e Veteranëve të LANÇ, ku sipas tij ditët e fundit ka pasur përjashtime.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, sipas Koçit, situata ka nisur pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit Porodini, duke sjellë përjashtimin e ish-nënkryetarëve dhe shumë anëtarëve të Komitetit.
Koçi shkruan se pas kësaj u shfaqën ndryshime të brendshme të bravave, përdorim i policisë private në mbledhjet e forumit, si dhe fillimi i proceseve gjyqësore dhe mallkimeve ndaj anëtarëve të strukturës.
Sipas ish-deputetit, perjashtimi sjell përçarje dhe se çdo devijim nga statuti i organizatës vetëm sa thellon konfliktet dhe praktikat problematike brenda LANÇ.
Postimi i plotë:
'Si mund të ndodhin fenomene të tilla indinjuese dhe poshtëruese të një organizate që ka marrë titullin Nderi i Kombit? Si mund të katandiset një strukturë vlerash kombëtare në një spektakël të shëmtuar turpi? Cili statut parashikonte ndërrim bravash në zyrat e veteranëve të LANÇ? Kjo video ka vetëm një diçiturë: Djajtë po shkatërrojnë vlerat morale të shoqërisë së sotme!
THIRRJE: Nuk ka arsye për përçarje në atë organizatë vlerash morale. Unë nuk di ndonjë prej saj që ka ide të ndryshme nga programi dhe misioni i saj. Gjithçka e zezë nisi me ndarjen nga jeta të ish-kryetarit Porodini. U përjashtuan gjithë ish-nënkryetarët dhe shumë anëtarë të Komitetit. Filloi ndërrimi i bravave dhe u përdor polici private në mbledhjen e forumeve. Filluan gjyqet dhe mallkimet ndaj ish-nënkryetarëve.
Gjë që nuk kishte ndodhur kurrë. Lufta për karriket e drejtimit të një organizate që merr 2 milionë lekë të reja financim nga shteti solli këtë derexhe. Pati raste kur personeli administrativ i komitetit u përfshi në përbërje të forumeve në konflikt flagrant interesi. Filluan thashethemet për grupe armiqësore që "përcanin", etj. Propozova Shaqir Vukajn si mundësi bashkimi jashtë palëve. Nuk dëgjoi kush dhe u gjet Prof. Hulusiu.
Fatkeqësisht, Partia Socialiste qëndroi INDIFERENTE, megjithëse mund të aktivizohej me këshilla dhe propozime dashamirëse. Mendoj se kjo derexhe kërkon që të gjithë t’i vënë gishtin kokës. Të reflektohet dhe të rikthehet gjithçka nga momenti që filloi lufta e klasave dhe shkeljet e statutitt. Statuti, dhe vetëm ai, garanton harmoni dhe bashkim. Çdo shkelje me përjashtime, pezullime, ngrirje nuk çon askund, veçse në praktika policore dhe berishiane.
Kjo është këshilla ime. Jam tejet i hidhëruar me atë që shoh dhe konstatoj. Angazhoni mendjet akademike që e duan LANÇ-in: Ksenofon Krisafin, Pellumb Xhufin, Fatos Tarifen, etj.
Komente










