Petro Marko rikthehet në
panteonin e letrave shqipe

Petro Marko rikthehet në<br />panteonin e letrave shqipe
TIRANE- Është rikthyer më në fund në vendin e merituar. Akademikët e rendisin në panteonin e letrave shqipe shkrimtarin e shquar Petro Marko. Rikthimi mes personaliteteve të shquar të letërsisë shqipe, këtij shkrimtari të shumëvuajtur, i bëhet pasi kalon plot një shekull nga dita e lindjes së tij (1913-1991). 100-vjetori i lindjes së shkrimtarit është shoqëruar përgjatë një muaji me një varg aktivitetesh në Shqipëri dhe diasporë, ku si pikënisje shërbeu edhe një ekspozitë e veprave që u çel në ditën e lindjes më 25 nëntor në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë ekspozitë u panë dhjetëra vepra të censuruara nga diktatura dhe dorëshkrime të shkrimtarit.

Fill pas prezantimit të këtyre veprave, Petro Marko është kujtuar me aktivitete të shumta, të cilat janë vulosur dje me konferencën e akademikëve, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, më synim për t’i dhënë vendin e merituar mes shkrimtarëve dhe personaliteteve më të shquara të letrave shqipe. Petro Marko - shkrimtari në tri kohë ka qenë tema e Konferencës shkencore, e cila i filloi punimet dje paradite në  mjediset e Bibliotekës Kombëtare.  Shkrimtari i vështruar në tri kohë; Petro Marko para luftës, Petro Marko pas luftës dhe Petro Marko në çastet që filloi demokracia, i bashkohet me veprën e tij tërësisht historisë së letërsisë shqipe të shekullit të 20-të.

Petro Marko tashmë mbetet një yll që ndriçon një shekull letërsi shqipe, “Edhe pse u nda nga jeta 27 dhjetor 1991, Petro Marko është i përfshirë edhe në kohën e tretë të demokracisë”. Kështu shprehet drejtori i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë, Valter Memishaj. Për Petro Markon është shkruar, por ka gjithmonë diçka për të shkruar. “Ajo që është për të shkruar nuk kushtëzohet nga pozita e studiuesit, apo reflektuesit, por në radhë të parë nga vlerat e veprës palimpsestore, shumështresore, shumëdimensionale, shumëpërmasore”, shprehet Valter Memishaj për Shqiptarja.com.
 
Petro Marko, më humani i të gjithë krijuesve shqiptarë të shekullit të 20-të.
Qëllimi i konferencës shkencore ishte për ta parë veprimtarinë e Petro Markos si pasuri në arkivin e kulturës tonë kombëtare, për të pohuar vlerat e reja, por edhe për të ripohuar apo rikonceptuar vlerat e panjohura të tij përmes një vështrimi të ri shkencor. Ndaj studiuesit që ishin nga Qendra e Studimeve Albanologjike, si dhe nga Universiteti i Vlorës, trajtuan me seriozitet dhe me prurje të reja shkencore veprat e tij si tekst, por edhe kontekstin kur ato u shkruan. “Petro Marko ishte idealist, ai njohu kulme, pati ngritje, por në jetën  e tij ai njohu edhe burgime dhe internime nga regjimi i kohës.

Megjithatë, në të gjithë veprën e tij artistike, në poezi dhe në prozë, në kujtimet apo në publicistikë, si dhe në jetën e tij vetjake, ai mbetet me humani, më njerëzori i të gjithë krijuesve shqiptarë të shekullit të 20-të. Vepra e tij përcjell mesazhe politike, ideologjike, filologjike, sociologjike, familjare, pedagogjike, internacionaliste, aq sa përcjell mesazhe estetike, përmes një forme të përsosur artistike”, shprehet drejtori i IGJL, Valter Memishaj, i cili shton se “Petro Marko ka një sintaksë të të shprehurit,të pastër e të kristaltë, si vetë ujët e detit Jon. Ai e qëmton me kujdes fjalën shqipe dhe përmes saj, jep informacion por krijon edhe art”. Studiuesit e kanë parë veprën në marrëdhënie me shoqërinë shqiptare me kohën, siç pati studiues që e panë në përqasje me autorë të letërsisë botërore, siç ishte në Amerikë Heminguej. Ngjashmërinë si personalitet me shkrimtarin dhe gazetarin amerikan e kanë konstatuar studiuesit Virion Grace dhe studiuesja italiane Rafela Marteta.

Studiuesi Shaban Sinani u ndal te romani “Ara në mal”, Bardhosh Gace trajtoi poezinë e Petro Markos shkruar në vitet e rinisë. Ndërsa Valter Memishaj u ndal te regjistrat gjuhësorë në veprën e Petro Markos, në mjeshtërinë e përdorimit të fjalës shqipe dhe në pasurimin që i bëri gjuhës shqipe Petro Marko. Vilma Bello pasqyroi leksikun, me vlerat e fjalës e të frazeologjisë, kurse studiuesja Migena Shkëmbi u mor me vlera etnolinguistike, onomastike dhe toponomastike në veprën “Retë dhe gurët”.

Laura Smarçi trajtoi nga një këndvështrim interesant prozën e shkurtër të Petro Markos në vitet ‘50 kurse studiuesja Merita Bruci filologe, duke kërkuar nga arkivat në Itali ra në gjurmë të prototipave njerëzorë të burgosur dhe që ishin bashkëvuajtës me Petro Markon në ishullin e Ustikës, prototipa të cilët Petro Marko i kthen në personazhe të romaneve të bukura të veprës shqiptare. Interesante ishte përshëndetja e drejtorit të QSA-së Ardian Marashi, por edhe kujtimet e akademik Kolec Topallit, në shtëpinë e të cilit, në vitin 1945-1946 jetoi Petro Marko, kur ishte gazetar i gazetës “Bashkimi” për Shkodrën. 

Shkrimi u publikua sot (21.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris