Peza: Prokuroria dhe gjykatat, si 
opozita kundër reformës në drejtësi

Peza: Prokuroria dhe gjykatat, si <br />opozita kundër reformës në drejtësi
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, u shpreh në "45 minuta" nga Denis Minga se Prokuroria dhe gjykatat po bëjnë lojën e opozitës. Duke iu referuar pezullimit nga gjykata të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, Peza tha se organi i akuzës ka bërë dy lëvizje para dhe pas takimit Rama-Meta. Ai akuzoi si prokurorët ashtu edhe gjyqtarët se janë rreshtuar në anën e të keqes, kundër reformës në drejtësi.
 
"Prokurori i Përgjithshëm sot i tregoi të gjithëve se në anën e kujt është. Me veprimin dhe mosveprimin e tij, në këto tre vjet, në çdo sezon betohet se do ketë arrestime e kurrë s'e kemi parë këtë gjë. E vetmja gjë qe kemi parë është se ka një rreshtim të qartë, të pozicionuar dukshëm të gjithë atyre që janë kundër reformës, në anën e të keqes, në anën e rezistencës kundër kësaj reforme. Në 48 orë kemi parë dy veprime të kundërta të Prokurorisë, krejt të dukshme. Një ditë përpara takimit të Ramës, Bashës dhe Vasilit, kemi pasur pushimin e çështjes në ngarkim të Sali Berishës për thirrje për armatosjen e popullsisë, me të njëjtat argumente që opozita ka dhënë për këtë çështje. Pak orë pas dështimit të përpjekjeve për një marrëveshje që do të çonte në konsensusin për reformën, kemi parë një vendim, për të gjithë ato akuza të opozitës për Policinë e Shtetit, për përgjimet, të rreshtohen dhe të argumentohen si një masë, vendim, argumentim, si një çështje Prokurorie. Kaq mjafton për të kuptuar se këto organe janë vënë në dispozicion të axhendës së lojës politike të opozitës", u shpreh Peza.
 
Deputeti socialist hodhi poshtë gjithashtu akuzat se janë kryer përgjime nga pajisja e Interforcës italiane.   

Përplasja mes qeverisë dhe prokurorisë. Çfarë po ndodh, a ka realisht indicie për përgjime?
Unë mendoj se kohët po ndryshojnë, po fillon një epokë e re. E ardhmja e qytetarëve do të ketë institucione të pavarura. Kurrë një shtet nuk është bërë një shtet i zhvilluar në qoftë se nuk ka kaluar më parë nga rruga e vështirë por e pandalshme e reformimit në drejtësi.
 
Cili është qëndrimi juaj ndaj Prokurorisë?
Prokurori i Përgjithshëm sot i tregoi të gjithëve se në anën e kujt është. Me veprimin dhe mosveprimin e tij, në këto tre vjet, në çdo sezon betohet se do ketë arrestime e kurrë s'e kemi parë këtë gjë. E vetmja gjë qe kemi parë është se ka një rreshtim të qartë, të pozicionuar dukshëm të gjithë atyre që janë kundër reformës, në anën e të keqes, në anën e rezistencës kundër kësaj reforme. Në 48 orë kemi parë dy veprime të kundërta të Prokurorisë, krejt të dukshme. Një ditë përpara takimit të Ramës, Bashës dhe Vasilit, kemi pasur pushimin e çështjes në ngarkim të Sali Berishës për thirrje për armatosjen e popullsisë, me të njëjtat argumente që opozita ka dhënë për këtë çështje. Pak orë pas dështimit të përpjekjeve për një marrëveshje që do të çonte në konsensusin për reformën, kemi parë një vendim, për të gjithë ato akuza të opozitës për Policinë e Shtetit, për përgjimet, të rreshtohen dhe të argumentohen si një masë, vendim, argumentim, si një çështje Prokurorie. Kaq mjafton për të kuptuar se këto organe janë vënë në dispozicion të axhendës së lojës politike të opozitës.
 
Mikele Grillo, kreu i Interforcës, largimi i tij a hedh hije dyshimi?
Përgjigjen për largimin e Grillos mund ta gjeni tek prononcimi i kryeministrit për këtë çështje, ku kërkon falje palës italiane që ka bërë kaq shumë për shtetin shqiptar për luftën kundër krimit. Mos të harrojmë vitet e vështira për Shqipërinë.
 
Ju po ngrini akuza ndaj Prokurorisë?
Nuk ngre akuza ndaj prokurorisë, shërbimi informative, gjykatat me gjithë veprimet dhe mosveprimet e tyre tregojnë nevojën ulëritëse për reformën në drejtësi. Aq më shumë i afrohemi reformës në drejtësi aq më shumë e kundërshtojnë atë.
 
A keni informacion se do të ketë dhe ndaj ministrit Tahiri, akuza zyrtare nga prokuroria?
Ministri Tahiri është akuzuar që në minutën e parë që ka marrë detyrën, dhe do vazhdojnë për sa kohë është në detyrë. Akuzat ndaj tij janë politike. Ajo çfarë ka ndodhur për pajisjen e përgjimit ka një fillim kur shefi i shërbimit shtetëror ketë informacion e ka bërë të ditur tek prokurori dhe presidenti. Nuk ia dërgoi informacionin Kryeministrit sepse sipas ishte në formën e thashethemit. Morali është se kur ka thashetheme shkohet tek presidenti dhe prokurori.
 
A ka indicie që edhe Tahiri do të akuzohet me një vepër konkrete?
Nuk ka asnjë provë zyrtare, por nga kjo prokurori çdo gjë mund të pritet. Kjo prokurori është një institucion i pabesueshëm. Nuk është më kundër krimit.
 
Këtë prokurori mendoni ta rrëzoni me reformën në drejtësi apo më një votim në Kuvend? Çfarë rruge mendoni të ndiqni?
Rruga që ne do të zgjedhim është reformimi i plotë dhe i thelle për të krijuar të gjitha premisat, që Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Europian.
 
Ju nuk do të kërkoni largimin e Llallës me votim në Kuvend?
Pyetja që bëni ju, e bëjnë shumë qytetarë. PD kur erdhi në pushtet largoi të gjithë. Ne nuk mund të sillemi si partia demokratike, aq më shumë me institucionet e drejtësisë. Jemi për rrugën europianiste. Ne jemi për reforma në sistem, jo ndaj individëve të përveçëm apo institucioneve të përveçme.
 
PD ka lënë të kuptohet se nuk do ta votojë reformën? Si do ta zgjidhni këtë ngërç?
Të bësh reformën më të thellë në drejtësi do të thotë se nuk ke vullnet. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Kjo është një reformë që e kemi filluar prej 1 vit e gjysmë. Rezistenca e PD është frika për korrupsionet e së shkuarës, për Gërdecin dhe shumë krime te tjera.
 
Ju do ta pranoni modelin e Kroacisë ku përfshihen vendet e rezervuara për hir të reformës në drejtësisë?
Ata në Kroaci kanë një vend të rezervuar, jo siç e kërkojnë këta për 5 vende të rezervuara.
 
Pse nuk e pranoni kërkesën e PD? Në institucionet e reja që ngrihen do të ketë 11 anëtare 6 gjyqtarë dhe 5 jo gjyqtarë, ndërkohë PD kërkon të propozojë 2 nga këta 5. Përse nuk e pranoni këtë kërkesë kur kërkohet 2 nga 11 anëtarë?
Po marr një shembull konkret, ajo çfarë kërkoni ju është si funksionin radio televizioni shqiptar. Fakti tregoi që nga një mekanizëm për konsensus u shndërruar për të prodhuar një krizë në drejtimin e radio televizionit shqiptar. Këto janë eksperienca të dështuara. Dje opozita në takim e kishte paralajmëruar dështimin. Berisha në një intervistë kishte treguar se nuk do ta votojë reformën në drejtësi. E mbani mend e-mailin e Bashës që i dërgoi ambasadorit, që thoshte që do e votonte reformën por nuk e bëri. Opozita tregon që nuk e do reformën në drejtësi.
 
Do e lini vendin pa reformë apo keni një rrugëdalje?
Rrugëdalja ka filluar që sot, drafti do kalojë në parlament. Ka filluar sot dhe do jetë brenda qershorit në parlament. Jam i bindur se kjo reformë do të miratohet pavarësisht se drejtuesit e PD nuk do e pranojnë.
 
Ju thoni që PD nuk e do, por do e votojnë d.m.th-n ju po luani një bllof?
Nuk ka asnjë bllof, me gjithë betejat parlamentare në momente të caktuara deputetet të çdo grupi kanë tejkaluar interes partiak dhe kanë menduar për të ardhmen e vendit.
 
Ka filluar një tërheqje e deputetëve nga PD?
Nuk besoj se ka deputet se do të dalë kundër të ardhmes së fëmijëve të tyre. Nuk mund të dalë kundër një ëndrre 25-vjeçare të Shqipërisë.
 
Si do votohet për reformën?
Ky është një teknikalitet, thelbi ndan ata që janë pro BE dhe ata që janë kundër BE, ata që janë pro dhe kundër Amerikës.
 
Janë disa deputetë që janë larguar nga ju, si Tom Doshi, apo deputetë si Ferracaku dhe Nard Ndoka a do ti bashkohen ata reformës në votim?
Nuk shoh ndonjë problem, të gjithë këta janë europianistë. Unë nuk dyshoj as të grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ka momente të rëndësishme që vihen në lojë gjëra më të rëndësishme se interesi personal.
 
Nëse nuk votohet a do ta çoni vendin në zgjedhje të parakohshme?
Reforma do të votohet, dhe do të behet reformimi thelbësor në drejtësi. Qytetarët do të kenë një drejtësi të vërtet, një drejtësi të merituar. Reforma do hapte rrugën për në Bashkimin Europian.
 
Pse duket katastrofë ta çosh vendin në zgjedhje të parakohshme?
Nuk është katastrofë. Teorikisht zgjedhjet e parakohshme mund të bëhen por ky nuk është rasti.
 
PDIU është afruar, çfarë do të thotë kjo? Afrimi vë në pikëpyetje marrëdhënie me LSI?
Jo nuk ka lidhje, raportet tona janë shumë të mira me PDIU. Janë raporte më të hershme se Kongresi i fundit i kësaj forcë politike. LSI ka vendin e vet, PDIU ka vendin e vet.
 
Si janë marrëdhëniet me LSI-në?
Marrëdhëniet mundët t’i shikoni edhe dje në takimin e Ramës me Bashën. Koalicioni është më i fortë se kurrë.
 
Cili do të jetë qëndrimi ndaj Elvis Roshit?
Gjërat nuk janë sqaruar pasi zhvillimet kanë qenë të vrullshme, Shqipëria është vend interesant për gazetarët. Zoti Roshi ka konfirmuar publikisht që është i pafajshëm. Nuk jemi distancuar, thamë se u vetëlargua për të sqaruar pozicionin e tij politik. Kjo është situata, prokuroria do e verifikojë dhe pastaj do marrim një qëndrim.
 
Fati i Blushit, do vazhdojë të qëndrojë në PS apo do largohet?
PS vazhdon ta ketë në gjirin e vet Blushin, por n.q.s do të krijojë një parti të re së bashku me Mimoza Hafizin, Shqipëria është gjithmonë e hapur për parti të reja.

Redaksia Online
l.q-xh.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi