Sipërfaqja e tokës së tjetërsuar në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, për të cilën u dënuan me burg ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-zyrtar të tjerë lokal nuk i është kthyer shtetit siç pretendon organi i akuzës, i cili pezulloi nga detyra 11 punonjës të Kadastrës së Lezhës, për mos zbatim të vendimit të gjykatës.

Gjykata e Lezhës e kishte rrëzuar kërkesën e prokurorisë që kjo pronë me sipërfaqe 234 548 katror të konfiskohet dhe kalimin e tyre në favor të shtetit, pasi gjatë gjykimit të kësaj çështje në themel organi i akuzës nuk e kishte kërkuar diçka të tillë.

Report Tv ka siguruar vendimin për këtë çështje, ku thuhet se këto pasuri nuk ishin sekuestruar në cilësinë e provës materiale, por ndaj tyre ishte vendosur sekuestro preventive si masë sigurimi pasuror, e për rrjedhoje ato nuk mund të trajtohen sipas regjimit juridik sepse nuk kanë qenë të tilla gjatë gjykimit, por si masa sigurimi.

Në zbatim të këtij vendimi Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Lezhë i ka kërkuar prokurorisë që vendimi të plotësohej duke bere të mundur identifikimin e pasurive nga gjykata duke i relatuar hollësisht se këto pasuri kishin pësuar transaksione me akte noteriale te ligjshme përpara noterit, për të cilat gjykata nuk ishte shprehur në vendim.

Në përfundim të gjykimit të themelit për këtë çështje, krahas dënimit te disa personave ka deklaruar te falsifikuara dhe ka kërkuar asgjësimin e dokumentacionit qe janë përdorur për tu regjistruar këto pasuri nga zyrtaret e dënuar, por jo kthimin e kësaj pasurie në pronë shtetërore, siç pretendon prokurori Erjon Shehaj i cili ka nisur hetimet për punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, duke pezulluar nga detyra 11 punonjës.