Kryeministri Edi Rama ka reaguar në profilin e tij në Twitter duke dalë me 3 konkluzione nga mbledhja e grupit parlamentar. Çështja kryesore është ajo e pezullimit të Ballukut nga detyra, ndërsa Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur këtë ngërç institucional.
Ndër të tjera Rama thotë se vetmja palë e përmbushur është SPAK, që mund të vazhdojë qetësisht hetimet.
Sipas Ramës, nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK, të cilët kanë kërkuar arrestimin e saj, por për këtë duhet që Ballukut t’i hiqet nga Kuvendi imuniteti i deputetit.
Reagimi i Edi Ramës:
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga:
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.
Lajmi kryesor:
Pezullimi i Ballukut nga detyra, Rama: Paralizohet funksioni, do të ndërhyjmë në legjislacion! S’ka urgjencë për kërkesën e SPAK për arrestin












