Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, ndërsa e lexon këtë si një 'refuzim të fortë' për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie dhe krimet e luftës në Ukrainë. Kryeministri ka komentuar edhe voton pro të Serbisë, duke e konsideruar një lajm të mirë për rajonin faktin që ata u rreshtuan sërish me Perëndimin. 

"Pezullimi i Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë. Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!", shkruan Rama.

Vendimin për pezullimin e Rusisë nga  Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB e ka përshëndetur edhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, sipas së cilës është tregues i izolimit të Rusisë.

Me 93 vota pro, 24 kundër dhe 58 abstenim, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pezulloi Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. I vetmi aleat i madh i Vladimir Putin ishte Kina, ndërsa mes vendeve të tjera që votuan kundër ishin edhe Siria e disa vende afrikane. Ndërkohë mes vendeve që votuan pro janë edhe Serbia e Turqia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:51
OKB pezulloi Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Xhaçka: Tregon neverinë që bota ndjen ndaj krimeve mizore të luftës

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka përshëndetur vendimin e OKB për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Në Twitter Xhaçka shkruan se kjo tregon se sa e izoluar është Rusia, si dhe neverinë që bota ndjen ndaj krimeve të luftës që, për ministren, duhet të hetohen.

"OKB-ja votoi me shumicë dërrmuese se nuk ka vend për Rusinë në Këshillin e të drejtave të Njeriut. Kjo tregon se sa e izoluar është Rusia. Tregon gjithashtu neverinë që bota ndjen ndaj krimeve mizore të luftës të Rusisë në Ukrainë. Këto krime duhet të hetohen", shkruan Xhaçka.