TIRANE - Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla ka reaguar për videon ku mësuesja e matematikës dhunon nxënësin në shkollën 9 vjeçare “Prek Gjoni” në Malësinë e Madhe.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministrja Nikolla ka dënuar këtë akt, të cilën ajo e cilëson të shëmtuar, ndërsa shton se ndaj mësueses së matematikës Suela Piranaj është pezulluar nga detyra.

Gjithashtu Nikolla nënvizon se ndaj mësueses është bërë kallëzim penal si dhe kanë nisur hetimet ndaj saj.  Nga ana e saj, Nikolla fton të gjithë nxënësit dhe prindërit të denoncojnë të gjitha rastet kur mësuesit shkelin etikën e profesionit, duke nënvizuar se asnjë rast i tillë nuk do të tolerohet.

Më poshtë postimi në rrjetet sociale i Ministres së Arsimit Lindita Nikolla:
DHUNA NUK KA VEND NË SHKOLLAT TONA! Si Ministre e Arsimit dhe Sportit jam e keqardhur nga ngjarja e dhunës transmetuar në media dhe në rrjete sociale.
Kemi vepruar menjëherë, pa hezitim, pa mëdyshje. Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video.
Rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 23.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të shkollës 9 vjeçare “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallëzim pranë organeve përkatëse. Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit. Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denocojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës. Dhuna nuk ka vend në shkollat tona! Jam thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)