Kur Sali Varri vetëm vidhte dhe bënte sikur qeveriste, shqiptarët protestën nuk guxonin as ta ëndërronin. Po të protestoje, Sali Killeri të vriste, siç i vrau ata që e provuan.

Sali Spiuni nuk ka lejuar kurrë protesta. Për Sali Surratin protesta kundër tij është mollë e ndalume.

Mitingjet e para nga dhjetori '90 e tëhu, ishin yxhyme haxhiqamiliste prej të cilave Sali Balta zgjodhi spiunët, halabakët, ordinerët, gangsterët, rrugaçët, me të cilët pas pak nisi të menaxhonte interesat kleptokratike të vetat dhe të klientëve nepotikë, krahinorë e të tjerë. Në euforinë e atij fillimi kjo hile kriminale nuk ra fort në sy. Por më vonë, kur shqiptarëve u doli rakia, vunë duart në kokë kur konstatuan se i kishin varur ujkut mëlçitë në qafë. Në krye kishin vënë komunistin Sali Voloreka, atë të varkës idilike me lopata "mbi liqenin pa kufir" të familjes së Diktatorit. Mitingjet u ftohën. Partia u tkurr. Sot Sali Dallaverja ka mbetur me çetën e besnikëve që i paguan me para të vjedhura, në krye të së cilës çetë Sali Rriqna ngrefet si pelikani majë bërllokut në Gjirin e Porto Romanos, te tokat e vjedhura me Fazlliçin.

Si i tillë, Sali Zuzari mundet me qenë promotor i frymës së komunizmit, fashizmit, feudalizmit, skllavërisë, por kurrë i frymës së Lirisë.

Frymën e Lirisë në Shqipëri e solli iluministi Edi Rama.

Edi Rama kultivoi prototipin e njeriut të lirë, të ngjashëm me veten, protestuesin e sotëm që ka shaluar flamingon si kalë fluturues që rreh krahët e ngjitet në qiejt e shpresave, ëndrrave, lirive.

Paska prerë degën ku qëndronte vetë, mund të thuash me vete në ngut e sipër ti, i dashur lexues paksa naiv.

Edi Rama nuk ka hipur në asnjë degë dhe, përveç të vetmit rast kur "many tears ago" preu me sëpatë një shtyllë korrenti në mes të asfaltit, s'është parë kurrë me sharra dhe sqepara në duar.

Edi Rama e kultivoi protestuesin mik të flamingove që të ishte i lirë. Jo të vepronte me urdhra: "Shkoni protestoni!", as nga Geppetto-ja i tij Edi Rama.

Frymën e lirisë që më pas do të mishërohej te adhuruesit e flamingove, Edi Rama e mbolli qysh herët.

Protoprotestën, gjenezën e protestës së sotme me flamingo, fjalime, peticione, e ka bërë MJAFT-i me frymëzimin e Edi Ramës.

Partia e Sali Zgjyrës i ka kopjuar mënyrat e protestës së MJAFT-it me kartonë, sagoma, dordolecë etj., me qindra herë.

Në fakt, partia e Sali Këllirës deri sot e kësaj dite nuk ka model tjetër proteste përpos protestave të MJAFT-it, frymëzuar nga komunikatori më brilliant në historinë e Shqipërisë, Edi Rama.

Dallimi mes Edi Ramës dhe Sali Çorbës është kolosal.

Protestuesin e lirë, pa frikë, të pakushtëzuar, e ideoi dhe e zbatoi Edi Rama.

Pse sot askush nuk e zë në gojë se protestuesve flamingo u dha jetë Edi Rama, arsyeja është se sa kohë flasim për liri dhe jo për skllavëri, zbatuesi dhe ruajtësi fanatik i këtij principi të lartë, Edi Rama, refuzon t'i njihet kjo meritë.

Duke mos kuptuar thellësinë e retorikës së Edi Ramës dhe duke përfituar nga mungesa e vullnetit të Tij për t'u marrë me vogëlsira, Sali Kusari dhe tarafi i tij kopjojnë gërmë për gërmë periferinë e atyre retorikave, thirrjet, batutat, talljet, shpotitë, që Edi Rama i ka bukë e djathë. Ja një shembull nga majmunllëku i demokratëve që kanë mbetur nën hyqmin e Sali Mesjetës: Shumica e demokratëve, selinë e partisë së tyre, sikur të ishte kafene ose birrari, e quajnë me nofkën tallëse shvejkiane që ua ka lënë peshqesh Edi Rama "Te SHQUP-i". "Ejani te SHQUP-i të pimë ndonjë kafe, të bëjmë ndonjë thashethem, të thurim ndonjë intrigë, të shohim ndonjë ëndërr sikur erdhëm në pushtet me garuzhde në brez etj., etj." janë më se të zakonshme... Te SHQUP-i. Pa folur këtu për pankartat e sotme të çetës së Doktor Lanetit, që janë kopje identike të pankartave të MJAFT-it të kohës së qepës, frymëzuar nga Edi Rama etj., etj., që mos e zgjasim, se e ka ish-Kryetarin në burg; i urojmë lirim të shpejtë dhe e ruajtë Zoti nga ndihma e Mero Bazes.

"As lodhet, as mërzitet, është i Besës, është i fjalës, për Fjalën ther Djalën", thonë mercenarët e Sali Thepit.

Kujdes ! Është përkthim nga "traduttori traditori". Në origjinal është: "As skuqet, as zverdhet. Pabesinë e ka në gjak. Djalin nuk e ther, jo për fjalën, por as për gjithë floririn e botës."

Qytetari Dixhital, kreatura monstruoze aq e dashur për Sali Piovrën, u mbyt në ujërat e cekëta të Zvërnecit. S'mbeti njeri pa e mallkuar e pa e pështyrë. Prite tani kur Sali Kulla të shpikë fantazmën tjetër: Qytetarin shpellar.

Sali Shuli është një qenie primitive njëqelizore, për të cilën bota është lineare, proporcionale, koha rrjedh në një sens, çka është një botëkuptim banal, arkaik, primitiv.

Edi Rama nuk është euklidian, niutonian, galilean. Për Edi Ramën, pa folur për jetën dhe vdekjen që venë e vijnë, koha shpejtohet, ngadalësohet, madje edhe ndalet.

Sali Qesharaku është shpellar, mesjetar, haxhiqamil.

Edi Rama është sensitiv, serioz, dramatik.

Sali Bermuda është produkt i trekëndëshit: Haxhi Qamili, Zani Çaushi, Fahri Balliu.

Qytetari, fisniku, aristokrati, Prometeu Edi Rama i triptikut: Picasso, Michelangelo, Collodi.

Sali Gjiza paguan rrugaçë me para të vjedhura për të hedhur molotove.

Edi Rama, me ngjyrat dhe trekëndëshat e Pablo Picasso-s dhe Guernicës, ngjalli qendrat e vdekura të qyteteve.

Sali Shqekëza kurdisi vandalë me kazma e lopata e qysqi, dhe pushtoi veten e vet, selinë e SHQUP-it, ku adhuruesit e Sali Kundragazit pijnë kafe dhe presin ditën e fitores më 36 gusht të vitit të peshkut në det dhe tiganit në zjarr, sipas kalendarit kinez.

Edi Rama, me daltën dhe çekiçin e Michelangelo-s, gdhendi Moisiun tonë, Profetin shqiptar të së ardhmes europiane. Aq të gjallë e bëri, sa, kur e mbaroi së gdhenduri, i tha: "Fol!". Dhe Moisiu i Edi Ramës foli. Tha: "Sali Kullën do e hedh tutje si leckë".

Së fundi, me sharrë e sqepar në dorë, armatosur me fantazinë dhe kreativitetin gjenial të Carlo Collodi-t, Edi Rama, nga një baba prej mishi, me partenogjenezë, krijoi një djalë prej druri që ndryn të gjitha problematikat e epërme të etërve dhe bijve që nga mjegullat e kohëve kur stërgjyshat e Fatos Lubonjë Këllirës ende s'kishin lindur.