Një mbështetës i PD në protestën e sotme ishte veshur si kryeministri Edi Rama. Ai shfaqet para gardhit policor tek kryeministria duke marrë intervista pune për Ministër të Brendshëm. Qytetarët ironizuan situatën me Ministrin e Brendshëm, ku PD e akuzon si të përfshirë në mbrojtjen e vëllait, duke hapur portalin Kryeministri.com.
Jam sot në protestën e opozitës për të dëshmuar që qeveria ime është e fortë. Kemi dy ministra të brendshëm që janë njeri më I zotë se tjetri në trafikimin ndërkombëtar të drogës. Nëse është e nevojshme për të zëvendësuar ministrin aktual ne sot po shohim me gjasa për një ministër tjetër që të jetë po aq i zoti sa dy të mëparshmit.
Simpatizani i PD qe imitoi Ramën
Sakaq, protesta u shoqërua edhe me simbole e pankarta. Për pjesëmarrësit e protestës, ky ishte një moment, ku mund të tregonin arsyen përse e kundërshtojnë qeverinë.
Do të protestoj kundra qeverisë, kundër Saimir Tahirit, kundra drogës. Unë jam i majtë, jam i kuq, po ç’më duhet mua? Unë kam dy krahë. Unë jam popull shqiptar.
Protestuesit
Përse po mban flamurin gjerman?
Sepse vetëm atje i kena shpresat ne. Unë jam Agron Sopjani, ish- punonjës i policisë, me shkollë të lartë dhe më kanë hequr. Në fund të 2013 më thanë je me leje të zakonshme dhe ma dhanë për të mos kapur unë ankimimin. Unë nuk gjej dot asnjë arsye për të mos protestuar, jo pse protestoj.
Protestuesit
Nisur nga debatet për taksat, disa prej tyre, thonë se kjo çështje do të jetë pjesë edhe e marrëdhënies në çift.
A e di përse kemi ardhur? Kemi ardhur se po na degjeneron Edi Rama. Rrezik me na mar edhe gratë prej dyshekut. Edhe shpirtin që kemi t’ia japim deri sa do na vejë taksa të flemë edhe me gratë.
Protestuesit
Megjithatë shumë qytetarë zgjodhën ta ndiqnin protestë edhe të rehatuar në parkun Rinia
Ke zgjedhur të protestosh që këtu?
Po
Po përse po proteston?
Për të drejtat tona
Edhe përpara ministrisë. Mund të protestojmë ku të duam. Duhet të vazhdojnë protestat. Jo dy tre orë si thotë Lulzim Basha
Qytetar
Edhe reperi Stresi i është bashkuar sërish protestës së Partisë Demokratike për largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në një prononcim për Report Tv, Arkimed Lushaj u shpreh se ndodhej në protestë së bashku me 100 mbështetës të tij për largimin e Edi Ramës.
Jam që nga '95-a në çdo protestë të PD. Jemi këtu për një kauzë tonën që të gjithë shqiptarët e dinë. Shpresoj dhe zotin është me ne që t'i mposhtim këta komunistët. Sot protestohet jo vetëm për Fatmir Xhafajn, protestohet kundër Edi Ramës, kundër këtij sistemi korruptiv edhe komunist, fashist dhe enverist që janë njerëzit më të poshtuar sot për sot. Jam sot këtu me 100 çuna të mi.
Arkimed Lushaj (Stresi)
Protesta përfundoi pas dy orësh, por la pas dëme materiale, prej tyre dëmtimin e rrjetës metalike, në segmentin nga ministria e brendshme deri në bashkia e Tiranës. Sakaq, mbetje të shumta plastike u hodhën në gjithë bulevardin Dëshmorët e Kombit. Pas protestës, çdo gjë iu kthyer normalitetit në qarkullim dhe në higjenën e rrugës. Punonjësit e bashkisë pastruan gjithë papastërtitë e protestuesve.