Nutricionisti Altin Joka ka folur në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, në   lidhje me piramidën e re ushqimore që është miratuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij piramida është një skemë e përgjithshme mesatare, por njerëzit kanë metabolizëm dhe stil të ndryshëm të jetës.

“Unë personalisht, nuk kam njohur asnjëherë asnjë piramidë ushqimore, pasi ato janë shumë të ndryshme në botë, përshembull nordikët nuk kanë piramida ushqimore por ngjyrat në pjatë, në Azi është ndryshe piramida, ndërsa Australia i ka hequr piramidat ushqimore me kohë. Popullata nuk i ka dëgjuar piramidat ushqimore, njerëzit nuk kanë ecur në bazë të saj. Pyetja është çfarë zgjidh kjo piramidë,  e zgjidh luftën kundër kancerit, diabetit, problematikën me hormone? Mendoj që jo!”, tha Joka.

Nutricionisti shpjegoi se trupi ka nevojë të kuptojë sinjalet hormonale. Ushqimi është një mekanizëm që ndikon nëpërmjet mikrobiomës dhe kjo bëhet në profil unik bacterial. Sipas tij, ne nuk duhet të merremi me piramida të përgjithshme.

“Kjo ështënjë simbolikë politike në SHBA, këto në fakt janë udhëzime, rekomandime ushqimore. Ne kemi nevojë për profil ushqimor të personalizuar dhe jo skema universale” shpjegoi Joka.

Nutricionisti u shpreh skeptik për rezultatet. Sipas tij nëse duhet të luftohen kompanitë industrial, kjo nuk është kjo skema e duhur.

“Mendoj që duhen bërë ligje për uljen e nivelit të kripës, sheqerit, aditivëve që përdoren tek ushqimet. Piramida nuk zgjidh sëmundjet, ne sot kemi sfidë me sëmundjet. Ne duhet të kemi qasje të personalizuar, duhet të ulim nivelet e kripës, sheqerit dhe vajrave industrialë, nuk duhen subvencionuar industritë që i prodhojnë këto. Këtu kemi të bëjmë me interesa biznesi”, përfundoi Joka.