Kryeministri Edi Rama nga Dibra ku njoftoi para banorëve të këtij qarku nisjen e punimeve për Rrugën e Arbrit, tha se projekti i qeverisë demokrate nuk u finalizua dot asnjëherë. Rama tha se projekti për Rrugën e Arbrit i shërbente qeverisë Berisha si një ‘piramidë elektorale’.
Rama u ndal edhe tek kushtet teknike të projektit të demokratëve, ku mes të tjerave theksoi se në projektin e vjetër në tunel nuk parashikohej tunel emergjence.
Kur morëm mandatin, ne na u desh të pagunim 5 kontrata me vlerë 2.9 miliardë lekë për ta hapur rrugën e Dibrës si skenë për daulle dhe shirita. E njëjta situatë ishte në të gjithë Shqipërinë. E dini sa ishin detyrimet e programit transport rrugor në fund të 2013? 43 miliardë lekë të reja, që ne u detyruam katër vjet ti shlyejmë një për një.
Na u desh të paguanim 4 kontrata për rrugën e Tiranës, Kukës-Krumë, e për çdo rrugë tjetër. 67 kontrata të pa likujduara. Kilometrat lexohen tek rruga jo në foltore me tam-tame, për t’i hedhur hi syve një populli të tërë. Thonë që s’kemi bërë rrugë, qorrët që s’duan të shikojnë, shurdhët që s’duan të dëgjojnë. Por ne, jo vetëm që i përfunduam po dhe i likujduam. Buxheti për këtë vit, është shumë herë më i lartë se për vitin parardhës. Do përfundojnë shumë shpejt. Do përgjysmojmë distancën. Do përfundojmë rrugën e Arbrit, thonin. Ku i kanë? Shiritat i prenë për të gjitha këto. E dini pse? Se i gjithi ky ishte një piramidë elektorale. Ta dëgjojnë të gjithë për Rrugën e Arbrit pse s’fillon pse s’fillon. Kishte lënë një projekt, një aventurë shqiptaro-kineze në formë vrimash. Na u desh të negocionim atë marrëveshje, humbëm kohë por bëmë gjënë e duhur. Sot, rruga që ndërtojmë me gjithë mirëmbajtjen kushton 250 milionë euro. Mirë që kushton më pak, por standarti i parashikuar nga inxhinierët e Saliut, do hynit në tunel pa tub emergjence. Rruga ishte tamam si gjarpër që rrotullohej e rrotullohej, në lartësi që janë ngricat gjithë kohën. Njësoj si Rruga e Kombit, që sot e diskutojmë ka pika ku rrezikohet jeta e njeriut. Me Partinë e Babales morën në qafë gjithë shqiptarët.
Edi Rama, Kryeministër