Kryeministri Edi Rama tha së gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes në Uashington, arriti të përcjellë botërisht "shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës".
Në podkastin e tij "Flasim", kreu i ekzekutivit tha se tashmë ka "besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë", "e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare".
Sa i përket Bordit të Paqes, numri një i qeverisë tha se "Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale".
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama për pjesëmarrjen në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington:
Vizita në Uashington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës.
Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare.
lajm në përditësim...
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vizita e tij në Prishtinë, në vigjiljen e Ditës Kombëtare të Pavarësisë së Kosovës, ishte shumë e veçantë, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit lidhur me prokurorinë e Hagës dhe pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës.
Në rubrikën “Shënimet e Javës” në Podkastin “FLASIM”, Rama u shpreh se shkaku i vizitës ishte ftesa e profesor Ahmed Shalës në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një vepër që, sipas tij, duhet lexuar për të kuptuar më thellë procesin në Hagë kundër udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Shumë e veçantë ka qenë vizita e kësaj here në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës, pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën, si edhe po ashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga prishtina profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.
Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin.
Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tone të filluar më herët.
Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush!",- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është kryer një transferim i rëndësishëm financiar që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sistemit të pensioneve, duke përmbushur angazhimet ndaj gjyshërve të Shqipërisë.
Në rubrikën “Shënimet e Javës” në Podkastin “FLASIM”, Rama u shpreh se fondet e kursyera buxhetore të vitit 2025 janë depozituar në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, në një shumë prej 167 milionë euro.
"Këtë javë është kryer edhe një transferim i rëndësishëm financiar që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sistemit të pensioneve dhe me ccka jemi zotuar për për gjyshet dhe gjyshërit e kësaj republike.
Sikundër e kishim paralajmëruar, fondet e kursyera buxhetore të vitit 2025 do të depozitoheshin në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, gjë që sapo është bërë në një shumë prej 167 milionë euro.
Transferimi i këtyre 167 milionë eurove në këtë fond e rrit kapacitetin e sistemit për të përballuar, qoftë ato që janë zotime të marra gërmë për gërmë, shifër për shifër dhe muaj për muaj e vit për vit ndaj pensionistëve, por edhe detyrimet afatgjata duke garantuar kështu rritjen e premtuar të pagave mujore për pensionistët, si dhe qëndrueshmërinë e sistemit",- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se rreth 720 efektivë policie që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun e lartë, do të përfitojnë rritje të menjëhershme page.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij flasim, ku tha se ata që do të përfitojnë janë Forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale.
Sipas Ramës, një inspektor në RENEA do të paguhet tanimë afro 1.600 euro, ndërsa një drejtues në këtë strukturë do të arrijë në afro 2.300 euro.
Po ashtu kryeministri njoftoi se për forcat operacionale, paga e një inspektori do të shkojë rreth 1.200 euro, ndërsa për një kryekomisar mes 1.600 dhe 1.700 euro.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page. Forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të mbështeten ende më shumë për punën sfiduese dhe të vyer që bëjnë në shërbim të komuniteteve, në shërbim të atdheut tonë të përbashkët.
Një inspektor në RENEA do të paguhet tanimë afro 1.600 euro, ndërsa një drejtues në këtë strukturë do të arrijë në afro 2.300 euro. Për forcat operacionale, paga e një inspektori do të shkojë rreth 1.200 euro, ndërsa për një kryekomisar mes 1.600 dhe 1.700 euro.
Bashkë me investimet serioze në teknologji, trajnim dhe pajisje, kjo rritje është një pjesë tjetër e qasjes konstante për forcimin e rendit dhe vendosjen e një raporti sa më të drejtë mes kërkesës për rezultate dhe vlerësimit sa më të përshtatshëm të këtyre rezultateve.
Kryeministri Edi Rama thotë se projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime.
Kreu i qeverisë thotë se zona ku do të zbatohet projekti TID "është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar".
Në fund, Rama premtoi se shpronësimet do të bëhen "me ndjeshmëri e me drejtësi ndaj banorëve".
"Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar.
Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë.
Historia ndërkombëtare tregon se asnjë vend nuk ka zbuluar, nuk ka konservuar dhe nxjerrë në pah trashëgimi të këtyre përmasave pa ndërmarrë shpronësime. Në Romë, mijëra e mijëra prona u shpronësuan për hapjen e Forumeve Imperiale. Në Athinë, u realizuan shpronësime masive për zonën përreth Akropolit dhe krijimin e parkut arkeologjik.
Ne do të bëjmë pikërisht këtë, me ndjeshmëri e me drejtësi ndaj banorëve, po me vendosmëri ndaj interesit kombëtar",- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama theksoi se draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që sipas kryeministrit përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane.
Teksa ripërsëriti ambicien që negociatat e Shqipërisë me BE-në të mbyllen brenda vitit 2027, Rama tha gjithashtu se ecurinë e vendit tonë me ritme të shpejta në procesin e integrimit e konfirmuan edhe takimet që delegacioni pluralist i Parlamentit Europian zhvilloi në Tiranë gjatë kësaj jave.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë.
Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane dhe në ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë dhe domethënës në procesin e negociatave me nënvizimin rreth ambicies sonë që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027, duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimin rajonal dhe përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Kjo draft-rezolutë është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë: Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe takimet që delegacioni pluralist i Parlamentit Europian zhvilloi në Tiranë gjatë kësaj jave.
Komente








