Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana tha se duhet të bëhet me ligj që qytetarët të shkojnë të votojnë. Në një intervistë për Report TV, duke komentuar pjesëmarrjen e ulët në votim deri më tani, ajo tha se vetëm në këtë mënyrë, gara, fryma dhe rezultati i zgjedhjeve do të jetë ndryshe. 

Ajo e drejtoi gishtin nga qeveria dhe PD-ja, e cila zgjodhi të mbështesë kandidatë të pavarur. Sipas saj, demokratët duhet të kishin me kandidatët e vet politikë dhe nuk duhet t’i ishte trembur asnjë beteje.  

“Vlora e ka braktisur Edi Ramën, e ka bojkotuar. Unë ju siguroj që nga ana e vlonjatëve ka pasur bojkot. Pjesëmarrje e tillë nuk është njohur asnjëherë. Mendoj se kjo është këmbanë alarmi. Patjetër që nuk dua të them vetëm qeveria, këtu kemi të bëjmë me disa skenare. Me votues që pavarësisht nëse votojnë apo jo, janë zgjedhje që i fiton PS. Nga ana tjetër PD duhet të kishte dalë me kandidatët e vet. Në zgjedhje politike ne duhet të jemi me kandidat politik, ne jemi PD, aset kombëtar dhe nuk duhet t’i trembemi asnjë beteje. Nga ana tjetër, që kemi një narko qeveri, një narko pushtet. Mendoj se të rinjtë, zoti Celibashi mu duk si zëdhënës i Ramës. E kam shprehur edhe në KQZ. Duhet të jenë pak më serioz dhe dinjitoz.”, tha ajo. 

Sipas saj, fakti që qytetarët kanë bojkotuar një të drejtë legjitime të tyre, për të votuar, është një këmbanë alarmi për politikën, qeverinë dhe opozitën. 

"Fakti që sot qytetarët e kanë braktisur kutinë e votimit, që duhet të jetë moment historik për të vendosur për fatet e tyre dhe kur një popull bojkoton është këmbanë alarmi për politikën, qeverinë kryesisht, por edhe për opozitën. Është moment reflektimi i thellë për të ofruar alternativa dhe për të bërë garë. Treguesi është bojkotimi i këtyre zgjedhjeve. Dikur kemi pasur figura politike për kryetarë bashkie, sot kemi njerëz anonimë. Pashë disa intervista, ku qytetarët thoshin nuk shkojmë të votojmë se janë kandidatë që na i ka zgjedhur partia. ", shtoi ajo.