Situata e mbetjeve urbane në Durrës mbetet një ende një problem serioz për banorët e qytetit bregedetar. Kështu tha një një deklaratë Anisa Ibraj, anëtare e Këshillit Bashkiak në bashkinë e Durrësit.

“Situata e mbetjeve urbane në Durrës është kthyer prej kohësh në një problem serioz për qytetin dhe banorët e tij. Nuk bëhet fjalë për një situatë  të izoluar apo për një problem të shfaqur vetëm gjatë ditëve të fundit. Është një problem i denoncuar në mënyrë të përsëritur, për të cilin  qytetarët kanë kërkuar ndërhyrje dhe zgjidhje konkrete, ndërsa sot jemi sërish përballë të njëjtave pamje dhe të njëjtit shqetësim.

Qytetarët e Durrësit paguajnë taksa dhe tarifa vendore, ndër të cilat edhe ato që lidhen me menaxhimin e mbetjeve. Për këtë arsye, është e papranueshme që në një qytet ku arkëtohen miliona për këtë shërbim, banorët të përballen ende me grumbullime mbetjesh pranë zonave të banuara dhe të detyrohen të protestojnë për të kërkuar një shërbim elementar”, tha ajo.

Ibraj shtoi se menaxhimi i mbetjeve lidhet drejtpërdrejt me standardin e jetesës, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik.

Mbetjet e Durrësit transportohen drejt landfillit të Sharrës, ndërkohë që prej vitesh është folur për incinerimin si pjesë e zgjidhjes së problematikës kombëtare të mbetjeve. Sot, inceneratori nuk ekziston. Përballë këtij realiteti, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë: çfarë shërbimi po financohet, si menaxhohen mbetjet dhe mbi çfarë baze justifikohen kostot që përballohen nga paratë publike?

Menaxhimi i mbetjeve lidhet drejtpërdrejt me standardin e jetesës, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik. Institucionet kanë përgjegjësinë të garantojnë një sistem funksional, të kontrolluar dhe të qëndrueshëm, jo thjesht të zhvendosin problemin nga një pikë në tjetrën”, tha ajo.

 Ndër të tjera ajo theksoi se Bashkia Durrës duhet t’u japë qytetarëve përgjigje konkrete mbi menaxhimin e mbetjeve, mënyrën e përdorimit të fondeve publike dhe zgjidhjen e problematikave të përsëritura në terren.

“Është kontradiktore të flasim për zhvillim të turizmit, investime dhe një Durrës konkurrues në rajon, ndërsa nuk arrijmë të garantojmë një nga shërbimet më bazë të një qyteti modern. Në këtë situatë, kërkesa ime është për përgjegjësi dhe transparencë institucionale. Bashkia Durrës duhet t’u japë qytetarëve përgjigje konkrete mbi menaxhimin e mbetjeve, mënyrën e përdorimit të fondeve publike dhe zgjidhjen e problematikave të përsëritura në terren.

Nuk mund të jetë normale që qytetarët të paguajnë në mënyrë të rregullt dhe më pas të detyrohen të protestojnë për të marrë shërbimet më minimale. Durrësi meriton një standard tjetër menaxhimi dhe qytetarët e tij meritojnë të shohin rezultatet e parave që paguajnë”, shtoi ajo.