Një 46-vjeçar, i dënuar me 4 vjet e 3 muaj burg, para 4 vitesh, për “plagosje me dashje” e “prishje të qetësisë publike”, është ekstraduar në vendin tonë.

Zyra Qendrore Interpol Tirana, ekstradoi nga Milano në Itali drejt vendit tonë, Arjanit Dinon, lindur në Ballsh të Fier.

Dino ishte dënuar pasi, më datë 12.06.2013, në Ballsh të Fierit, në një lokal ku ka pasur të pranishëm edhe klientë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur në këmbë me armë zjarri pistoletë Bilal Lamajn.

Nga plagosja te prostitucioni, Dino i njohur për policinë
46-vjeçari është një emër i njohur për autoritetet pasi, në zgjedhjet e qershorit 2013, plagosi me pistoletë Bilal Lamajn, në qytetin e Ballshit, sepse ky i fundit nuk i kishte mbështetur motrën, të cilën e kishte kandidate për deputete.

Pasi dhunoi Bilal Lamajn, që e kishte shok fëmijërie, 46-vjeçari u arratis në Itali. Edhe në itali Arjanit Bino filloi të merrej me prostitucion dhe drogë në zonën e Abrucos.

Ai u arrestua në vitin 2014 pasi ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i ncili detyronte vajza moldave të ushtronin prostitucion.

Arjanit Binos iu gjet edhe një sasi droge në momentin e arrestimit. 46-vjeçari nga Ballshi duhet të vuajë në Shqipëri tashmë dënimin me 4 vite e 3 muaj, për plagosjen e shokut të tij.


Njoftimi i plotë i policisë:
Rinas
Më datën 29.08.2017, Zyra Qëndrore Interpol Tirana, ekstradoi nga Milano/Itali drejt vendit tonë, shtetasin shqiptar :
- Arjanit Dino, 46 vjeç, lindur në Ballsh - Fier.
Ky shtetas , më datë 12.06.2013, në Ballsh - Fier, në një lokal ku ka pasur të pranishëm edhe klientë , pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur në këmbë me armë zjarri pistoletë, shtetasin B.L.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier , me Vendimin Penal datë 24.09.2013, e ka dënuar me 4 vjet e 3 muaj burg për kryerjen e veprave penale "Plagosje e lehtë me dashje", “Prishje e rendit dhe qetëtësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, parashikuar nga nenet 89, 274 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali , duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë. 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com