Një incident ka ndodhur në Pejë dhe njëri nga të plagosurit është Mustafë Ahmetxhekaj, familjar i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Mësohet se Ahmetxhekaj është nip i familjes Haradinaj, saktësisht nip i babait të Ramush Haradinaj, të ndjerit Hilmi Haradinaj. Sipas të dhënave të siguruara deri me tani Mustafë Ahmetxhekaj është plagosur me tre plumba në këmbë. Sipas Besnik Ibraj, shefit të repartit të emergjencës në Pejë, Ahmetxhekaj është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejshëm dhe është jashtë rrezikut për jetë.
“Rreth orës 13:00 kemi pranuar dy pacientë të plagosur. Njëri ka qenë i plagosur me tre plagë shpuese, tejshpuese në regjionin e kofshëve dhe njëri në regjionin e gjurit. Njërit nga pacientët i janë trajtuar plagët dhe për shkak të ekzaminimeve të tjera shtesë është dërguar për në QKUK”, ka thënë Ibraj.
Përpos Ahmetxhekajt në këtë incident mbeti i plagosur edhe një kalimtar rasti.
I dyshuari i këtij rasti është identifikuar nga Prokuroria e Pejës dhe i njëjti është vënë në kërkim./ Kallxo.com