Pavarësisht pasigurive globale, qeveria parashikon që ekonomia shqiptare të rritet mesatarisht me 3.9% në vit gjatë periudhës 2027-2029, ndërsa prioritetet buxhetore do të jenë mbrojtja, investimet në infrastrukturë dhe mbështetja për bujqësinë. Programi parashikon rritje të fondeve për mbrojtjen dhe zhvillimin rural, vijimin e projekteve të mëdha rrugore, si edhe nisjen e studimit të fizibilitetit për aeroportin e Gjirokastrës.

***

Pavarësisht sfidave sidomos ato ndërkombëtare, qeveria është ambicioze sa i takon rritjes ekonomike, shtimit të punësimit dhe vijimit të investimeve. Në programin buxhetor afatmesëm 2027-2029, thuhet se perspektiva e zhvillimit ekonomik vijon të ndikohet nga pasiguritë ndërkombëtare, veçanërisht konflikti në Lindjen e Mesme dhe luhatjet e çmimeve të naftës e lëndëve të para, por ekonomia po rritet.

“Rritja ekonomike parashikohet në normën 4.0 përqind për vitin 2026 dhe përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2027-2029 parashikohet mesatarisht rreth 3.9 përqind në vit”, thuhet në dokument.

Turizmi dhe ndërtimi identifikohen përsëri si sektorët kryesorë të rritjes ekonomike, ndërsa bujqësia dhe industria do të kenë kontribut neutral në këtë 3-vjeçar. Sa i takon konsumit projektohet në rritje me 2.9% për çdo vit, ndërsa investimet publike do të zgjerohen me 4.9% gjatë kësaj periudhe.

Sa i takon prioriteteve sipas sektorëve, vëmendja do të jetë kryesisht tek ‘mbrojtja’ në përmbushje edhe të detyrimeve të NATO-s. Referuar tabelave të shpenzimeve buxhetore të kësaj periudhe, për herë të parë mbrojtja do të kalojë me buxhet edhe Ministrinë e Shëndetësisë që aktualisht mban fronin. Në vitin 2029, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes do të rritet në 93.9 miliardë lekë nga 69.2 miliardë lekë këtë vit. Nga rreth 1 miliard euro me kursin e sotëm, 850 milionë euro parashikohen vetëm për armatim dhe forcat luftuese.

Më pas në vend të dytë zbret shëndetësia me në total 86.9 miliardë lekë buxhet, për të vijuar me projektet aktuale por edhe të reja.

Vëmendje në tre vitet e ardhshme do t’i kushtohet edhe bujqësisë si sektor që prej vitesh është në rënie. Për këtë ministri planifikohen të shpenzohen 19.6 miliardë lekë në vitin 2029, nga 16.4 miliardë lekë këtë vit, dhe shtesa më e madhe shkon tek programi ‘zhvillimit rural’, ku përfshihen skemat kombëtare të mbështetjes. Synimi është që numri i përfituesve nga skemat mbështetëse në bujqësi të arrij në 76 mijë në fund të trevjeçarit, kurse vlera e eksporteve bujqësore është projektuar në 64 miliardë lekë.

Sa i takon investimeve publike do të fokusohen në infrastrukturën rrugore, nga vijimi i zgjerimit të segmentit Tiranë–Durrës, përfundimi i Elbasan–Qafë Thanë, Elbasan-Lekaj e deri tek koncesioni i rrugës Shëngjin-Velipojë.

Ndërsa tek projektet e transportit ajror rikthehet në tavolinë ‘aeroporti i katërt’ i vendit, që pritet të ndërtohet në Gjirokastër. Edhe pse nuk është buxhetuar si projekt ende, Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) ka kërkuar 230 milionë lekë buxhet shtesë për studimin e fizibilitetit për projektin e aeroportit të Gjirokastrës.

“Kjo shumë do të përdoret për angazhimin e ekspertëve të jashtëm dhe zhvillimin e procedurës së prokurimit për hartimin e studimit të fizibilitetit”, thuhet në kërkesën e këtij institucioni.