Zbulohet plani antikorrupsion i qeverisë, të pandehurit 'VIP' do rriten me 10% në 2019-2020

Qeveria shqiptare paralajmëron rritjen me 10 për qind të numrit të çështjeve dhe të pandehurve që do të dërgohen në gjykatë për korrupsion gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020. Në këtë objektiv përfshihet edhe rritje e numrit të rasteve të korrupsionit në nivele të larta ose të pandehurit VIP, konkretisht për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuara në nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal.

Objektivi i qeverisë shqiptare, i cili vjen edhe në kuadër të një prej kushteve kryesore të Brukselit për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, parashikohet në raportin e Koordinatores Kombëtare Kundër Korrupsionit, Etilda Gjonaj, mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2018-2020. Sipas raportit, dosjet e referuara në gjykatë do të rriten 5 për qind në 2019 dhe me 5 për qind në 2020 krahasuar me vitin 2019.

Objektivat për tu arritur në, 2019 dhe 2020 janë: rritja me 5 % krahasuar me vitin paraardhës e numrit të çështjeve dhe pandehurve të dërguar në gjykatë; rritja me 5 % krahasuar me vitin paraardhës e numrit të çështjeve dhe pandehurve të dërguar në gjykatë. Hetimet, të zbatuara nga agjencitë e zbatimit të ligjit nën koordinimin dhe udhëheqjen e Prokurorisë, do të çojnë në përgatitjen e akuzës nga Prokuroria dhe paraqitjen e tyre në Gjykatë. Rritja e efektivitetit të hetimeve pritet, ndër të tjera, të rrisë numrin e akuzave. Një vlerësim i plotë do të marrë në konsideratë rastet dhe personat. Performanca do të vlerësohet duke matur rritjen e numrit të përgjithshëm të akuzave për korrupsion. Treguesi do të matet si nga numri i rasteve dhe numri i personave të përfshirë në akuza. Një nën tregues shtesë përfshihet, për të vlerësuar performancën në kontekstin e veçantë të të ashtuquajturave "raste të korrupsionit në nivel të lartë". Në këtë kuadër, "rastet e nivelit të lartë" përcaktohen si ato që lidhen me nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal (që parashikojnë një dënim minimal prej 1 dhe 4 vjet)”, thuhet në raport. 

Sekuestrimi i pasurive 
Në raportin mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit parashikohet rritja e kërkesave për konfiskimin e pasurive të paligjshme me 5 për qind gjatë vitit 2019 si dhe me 5 % në 2020. “Objektivat për t’u arritur në 2018, 2019 dhe 2020 janë: në vitin 2018 të krijohet mekanizmi i raportimit të kërkesave për sekuestrim. Në vitin 2019 sistemi i raportimit do të jetë funksional dhe të dhënat do të raportohen. Në vitin 2020 të arrihet rritja e kërkesave për sekuestrim me 5 % krahasuar me vitin 2019. Sekuestrimi dhe konfiskimi i të ardhurave nga krimi paraqesin një mjet kritik represiv për korrupsionin, duke hequr stimujt financiarë për veprimtarinë kriminale. Rritja e efektivitetit të hetimeve (të cilat ndër të tjera mund të përfshijnë hetime më të mira financiare dhe procedura të gjetjes së aseteve) pritet, ndër të tjera, të rritet numri i kërkesave për sekuestrim të paraqitura nga Prokuroria në Gjykatë”, thuhet në raport. 

Sekuestrime edhe në nivele të larta 
Në objektivin për konfiskimin e pasurive përfshihen edhe rastet e niveleve të larta. “Deri në fund të vitit 2017, këto të dhëna nuk gjurmohen nga statistikat e Prokurorisë. Mekanizmi përcjellës për statistikat e harmonizuara për korrupsionin dhe krimin e organizuar do të përditësohet për të gjeneruar këto të dhëna dhe të përfshijë shifrën në të gjitha raportet gjashtëmujore. Treguesi do të vlerësohet duke matur së pari përmirësimin e sistemit të ndjekjes (procesit) dhe më pas rritjes së numrit të përgjithshëm të kërkesave për sekuestrim në rastet e korrupsionit (performanca). Treguesi do të matet si nga numri i rasteve dhe numri i personave të përfshirë në akuza. Një nën-tregues shtesë do të përfshihet, që nga viti 2020, për të vlerësuar performancën në kontekstin e veçantë të të ashtuquajturve "raste të korrupsionit në nivel të lartë". Në këtë kuadër, "rastet e nivelit të lartë" përcaktohen si ato që lidhen me nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal (që parashikojnë një dënim minimal prej 1 dhe 4 vjet)”, thuhet në raport. 

Plani dhe Task-Forca Antikorrupsion
Me vendimin Nr. 241, dt. 20.04. 2018 të qeverisë  u miratua plani i veprimit 2018-2020 në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020, Pasaporta e Indikatorëve, krijimi, funksionimi dhe detyrat e Komitetit Koordinator për zbatimin e SNKK-së dhe Task-Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion. Krijimi i Task-Forcës Ndërinstitucionale Antikorrupsion, përgjegjëse për inspektimet ndërinstitucionale, sipas Planit të Veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit, kryesohet nga ministri i Drejtësisë, Koordinator Kombëtar Antikorrupsion dhe ka në përbërje përfaqësues nga Kryeministria, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Inspektoriati Qendror. Komiteti Koordinator kryesohet nga Ministri i Drejtësisë dhe ka në përbërje 10 anëtarë, në nivel zëvendësministri nga secila ministri linje.

Plani për goditjen e grupeve kriminale gjatë 2019-2020 
Në raportin e Koordinatores Kombëtare Kundër Korrupsionit, Etilda Gjonaj, mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2015-2020 reflektohet një plan për goditjen e grupeve kriminale në Shqipëri gjatë dy viteve të ardhshme. Në raport thuhet se grupet kriminale e kanë shtrirë veprimtarinë e tyre në fushën e krimeve ekonomike e financiare në më shumë sesa në një shtet.

Policia e Shtetit ka marrëveshje bashkëpunimi me Interpol dhe Europol si dhe me struktura homologe të vendeve të tjera, për të luftuar këto krime. Bazuar në këto marrëveshje strukturat ligjzbatuese nëpërmjet policisë së shtetit shkëmbejnë informacion në mënyrë të vazhdueshme. Në fokus të punës së policisë së shtetit do të jetë shkëmbimi i informacionit të prodhuar nga policia e shtetit me strukturat homologe për goditjen e krimeve ekonomike e financiare me qëllim organizimin e operacioneve policore të përbashkëta për goditjen e këtyre krimeve”, thuhet në raport.

Ndërkaq, një nga objektivat është marrja e të dhënave të reja për grupet kriminel. “Objektivat për tu arritur në 2018, 2019 dhe 2020 janë: Përditësimi i procesit të monitorimit të brendshëm për të marrë të dhëna të detajuara të grumbulluara dhe të zbërthyera. Publikimi i të dhënave; Rritja prej 5% në raport me vitin 2018; Rritje prej 5% në raport me vitin 2019, respektivisht. Rritja e bashkëpunimit operacional me vendet e treta dhe organizatat / rrjetet mbikombëtare të zbatimit të ligjit (duke përfshirë, ndër të tjera, Europol, Interpol, Frontex, Egmont, CARIN, etj). Siç është theksuar në Raportin e Bashkimit Europian të vitit 2016, "Shqipëria ka një marrëveshje operacionale bashkëpunimi me Europol dhe që nga viti 2009 një oficer ndërlidhës në selinë e Europol. Shqipëria mbetet një partner reaktiv dhe jo proaktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Trende të ngjashme janë vënë re edhe në lidhje me bashkëpunimin me Interpol".

Që nga viti 2017, ndjekja e shkëmbimit të informacionit me vendet e treta dhe organizatat/rrjetet mbikombëtare të zbatimit të ligjit nuk është e standardizuar. Treguesi do të vlerësohet duke matur së pari përmirësimin e procesit të monitorimit të brendshëm të Policisë Shqiptare për të marrë të dhëna të zbërhtyera (proces) dhe më pas rritjen e numrit të përgjithshëm të informacionit të shkëmbyer me vendet e treta dhe institucionin mbikombëtar”, vijon raporti. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë