Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj thotë se qeveria po mbron zëvendëskryeministren Belinda Balluku përmes Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e tij në Kuvend, Shehaj u shpreh se plani i kryeministrit Edi Rama, është t'i drejtohet Komisionit të Venecias, për të fituar kohë.
Shehaj iu drejtua edhe kreut të grupit të PS, Taulant Balla, duke i thënë se edhe atij do i vijë fundi.
“Tani, lajmi i ditës duhet të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me kërkesën e Edi Ramës, për ndalimin e pezullimit të Belinda Ballukut, zëvendës së tij, të cilën SPAK e ka kapur duke vjedhur dhe duke abuzuar me paratë e qytetarëve. Por lajmi nuk ishte ky, lajmi ishte shkarkimi i drejtorit të 16 të Kadastrës së Vlorës në pak vite. 16 drejtorë të Kadastrës, ose janë shkarkuar, ose kanë dhënë dorëheqje, sepse padrejtësia më e madhe që i është bërë këtij populli, ka të bëjë me pronat, keni vjedhur pronat, ju keni mohuar të drejtën e pronës, i keni rrjepur, i keni telendisur. Jeni pasuruar duke vjedhur pronat. Ky parlament në 35 vjet, padrejtësia më e madhe, ka qenë e drejta e pronës. Kjo është padrejtësia më e madhe, në këto 35 vjet nuk keni pasur drejtësi. Tani, Gjykata Kushtetuese ndërkohë, ka mbetur shpresa e fundit për ju, për të korruptuarit që t’i shpëtojnë drejtësisë, shpresa e vetme e ministres Balluku, që ka kërkesë për arrest, ju e mbroni këtu. Ka 3 muaj që ka një hetim. Ka kërkesë pezullimi, arrestimi, e keni marrë në mbrojtje, keni një plan diabolik në lidhje me Gjykatën Kushtetuese.
Unë e kuptoj shqetësimin tënd Taulant, jam Taulanti dua 100 mijë euro. Do kthehemi te thelbi. Gjykata Kushtetuese ka gjasa të marrë vendim, ose të mos marrë vendim, t’i drejtohet Komisionit të Venecias, të fitojmë kohë, ja që shpëtuan nga sikleti i Belinda Ballukut. Vendimi për fatin tuaj, për fatin e të korruptuarve nuk është marrë këtu, por në Perëndim, u ka gjetur belaja. Po i shpikni të gjitha. Është koha juaj, koha e të korruptuarve, që kanë vjedhur qytetarët shqiptarë, Taulant, shumë shpejt do të vijë fundi edhe ty”, theksoi ai.
Lajmi kryesor:
Debate në Kuvend për protestën e PD! Koçiu: Policia veproi sipas ligjit, u sulmua me molotov! PD: Dhunuat qytetarët












