NJU JORK - Objektivi ynë është i qartë, shkatërrimi i ISIS-it, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama. Më poshtë vijon strategjia e këtij plani, njësoj siç e përshkroi presidenti amerikan gjatë fjalimit drejtuar kombit në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv ku theksoi se "për çdo pikë të këtij plani, Amerikës do t'i bashkohet një koalicioni i madh". Pikat e këtij plani janë pasqyruar me fjalët e presidentit Obama:
* FUSHATË AJRORE SISTEMATIKE, PËRFSHIRË SIRINË
"Së pari, do të bëjmë një fushatë sistematike ajrore kundër këtyre terroristëve dhe do t'i ndjekim kudo qofshin. Kjo do të thotë se nuk do të hezitoj të reagoj kundër ISIS-it edhe në Siri, ashtu si në Irak. Për atë që kërcënon Amerikën nuk mund të ketë asnjë parajsë të sigurtë".
* EDHE 475 USHTARË TË TJERË, POR JO PËR TË LUFTUAR
"Së dyti, do të rritim mbështetjen tonë ndaj trupave që luftojnë kundër këtyre terroristëve në terren. Në qershor dërgova disa qindra ushtarë amerikanë për të vlerësuar sesi të mbështesim më mirë trupat irakiane, ndërkohë që tani do të dërgojmë edhe 475 të tjerë. Këta trupa nuk do të kenë mision luftarak. Nuk do të ketë një Irak apo një Afganistan të dytë".
* NDËRPRERJE FINANCIMESH DHE LUFTË KUNDËR PROPAGANDËS
"Së treti, do të vazhdojmë të mbështesim kapacitetet tona kundër terrorizmit për të parandaluar sulmet nga ana e ISIS-it. Duke punuar me partnerët tanë do të dyfishojmë përpjekjet tona për të ndërprerë financimet e tyre, për të përmirësuar shërbimet sekrete, për të forcuar mbrojtjen, për të luftuar ideologjinë e tyre të deformuar dhe për të frenuar fluksin e luftëtarëve të huaj brenda dhe jashtë Lindjes së Mesme".
* NDIHMA HUMANITARE
"Së katërti, do të vazhdojmë të sigurojmë ndihma humanitare për civilët e pafajshëm, të cilët janë shpërngulur nga kjo organizatë terroriste. Ndërmjet tyre ka myslimanë shiitë dhe sunitë që janë në rrezik të madh, ashtu si dhjetëra mijëra të krishterë dhe minoritete të tjera fetare"./ATSh/