25-vjeçari me origjinë shqiptare, Agim Kruezi, i cili u shpall fajtor për planifikimin e një akti terrorist në Australi është dënuar me 17 vite burg.

Gjatë seancës gjyqësore, gjyqtarja Rosalyn Atkinson zbuloi se Kruezi nuk ndiente keqardhje dhe nuk i kishte refuzuar pikëpamjet e dhunshme ekstremiste.

Ju mbeteni një rrezik serioz për publikun.

Tha Atkinson gjatë seancës

Gjatë dhënies së dënimit ishte e pranishme edhe familja e tij, të cilët u përlotën teksa po lexohej vendimi por i premtuan të birit se do të shkonin ta vizitonin.

Kruezi mund të ketë të drejtën e lirimit me kusht pas 13 vjet, por qeveria ka të drejtën të kërkojë që ai të mbahet në paraburgim edhe pas përfundimit të dënimit për shkak të rrezikut.

Në momentin e arrestimit në dhomën e tij u gjet një pushkë gjysmë automatike, dy maska fytyre, dy thika të mëdha dhe një flamur i Shtetit Islamik i varur në murin e dhomës së gjumit.