Sot Kryetari i Gjykatës së Lartë hapi vitin e ri gjyqësor me një fjalim të saktë, të matur, profesional dhe në thelb të duhurin. Një fjalim që artikulon vizionin e drejtësisë që të gjithë do të donim të kishim dhe për të cilën vijojmë të artikulojmë qëndrime shpesh edhe kritike.

Por fatkeqësisht, ky vizion nuk përputhet me realitetin. Dhe ky realitet fillon pikërisht nga vetë Gjykata e Lartë. Në vitet pas konstituimit të saj, pas reformës së vitit 2016, Gjykata e Lartë ka treguar paaftësi ose pamundësi për të ndërtuar standarde të qëndrueshme në zbatimin e ligjit, për të unifikuar praktikën gjyqësore dhe për të krijuar precedentë që mbrojnë realisht të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe shtetin e së drejtës.

Në vend të kësaj, shpesh ka mbrojtur në mënyrë korporatiste një “drejtësi exceli”, të orientuar drejt bilanceve të dënimeve apo uljes së stokut të dosjeve, e jo drejt drejtësisë reale, cilësore dhe të individualizuar për çdo çështje.

Thuhet me të drejtë se një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar. Imagjinoni një padrejtësi të vonuar çfarë është. Një drejtësi shkatërruese, për palët, për vetë autoritetin e drejtësisë dhe për besimin publik ndaj saj. Sot, për të qenë i sinqertë, shumë klientë i këshilloj ti zgjidhin çështjet e tyre me marrëveshje, edhe me kosto, sesa t’i drejtohen sistemit gjyqësor.

Arsyeja është e thjeshtë: sistemi nuk krijon besimin se drejtësia do të vihet realisht në vend. Parashikueshmëria e vendimeve është minimale, edhe pse ligji është i shkruar shqip për të gjithë njëlloj. Ai zbatohet ndryshe nga gjyqtarë të ndryshëm, ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar autoritetin e nevojshëm për të stabilizuar praktikën dhe për ta bërë ligjin të parashikueshëm. Si pasojë, ligji është bërë i paparashikueshëm dhe për rrjedhojë, i pabesueshëm si rregullator i shoqërisë.

Kjo sigurisht nuk është përgjegjësi personale e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Ai, fundja, është i pari ndër të barabartët. Por duhet pranuar me ndershmëri institucionale se Gjykata e Lartë, si trupë kolegjiale, nuk e ka përmbushur misionin kushtetues për të cilin është krijuar. Dy standarde për çështje të njëjta. Anashkalim i argumenteve thelbësore të procesit të rregullt ligjor, veçanërisht kur cenohet pozita e individit përballë prokurorisë, në kundërshtim me Kushtetutën, e cila e vendos në themel të rendit juridik mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut (neni 15/1).

Shqyrtim i çështjeve i bazuar te “rasti” dhe jo te çështja; krijim de facto i normave të reja aty ku ligji është i qartë; mungesë unifikimi pikërisht aty ku ai është jetik për sigurinë juridike. Në jo pak raste, këto devijime nga ligji nuk janë vetëm produkt i paaftësisë, por edhe i një konformizmi të qëllimshëm për të kënaqur pritshmëritë e turmave dhe për të ruajtur rehatinë institucionale, duke shmangur vendime të guximshme që do të garantonin realisht të drejtat e njeriut dhe procesin e rregullt ligjor.

Rezultati është një korporatizëm gjyqësor që ka dëmtuar rëndë të drejtat themelore, shtetin e së drejtës dhe besimin e publikut te drejtësia. Siç u tha me të drejtë edhe sot: besimi te gjyqësori nuk ndërtohet me statistika dënimesh apo tabela Exceli, të cilave herët a vonë “u del boja”, por me cilësi, arsyetim, transparencë, autoritet profesional dhe përgjegjshmëri.

Fjalimi i sotëm i Sokol Sadushit zgjon shpresën që nuk do jetë vetëm fillimi i një viti të ri gjyqësor kalendarik, por fillimin e një viti gjyqësor të rilindur për Gjykatën e Lartë: në mbrojtje të Kushtetutës, të lirive themelore dhe ta vendos këtë gjykatë në lartësinë që vetë Kushtetuta i ka rezervuar./Marrë nga profili i autorit në Facebook