Drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Bujar Leskaj, ka dal kundër propozimit që kreu i PD Sali Berisha ka bërë për kryetarët e degëve, të cilët nëse duan që të garojnë në Primare, do duhet që të japin dorëheqjen nga drejtimi i degëve të PD.
Në një shënim të gjatë në rrjetet sociale Leskaj thekson se kryetarët dhe sekretarët e degëve, janë individë, të cilët janë institucionet e vetme brenda Partisë Demokratike të dalë nga vota e demokratëve me parimin “një anëtar, një votë”,
Ai shton se drejtuesit politik duhet të jenë ata që ti nënshtrohen primareve ose në të kundërt të jenë në listën e hapur
Postimi i Leskajt
Roli i institucionit të kryetarëve të Degëve, ka qenë jetik në të gjitha zhvillimet që ka pasur Partia Demokratike këto vite, veçanërisht në vitet e Rithemelimit, për mbajtjen konstante të frymës së saj në bazë, duke mbajtur lidhjet jo vetëm me anëtarësine e bazën e Partisë Demokratike, por mbarëvajtur të gjitha format e organizimit të aktivitetit politik të saj.
Kryesia e Partisë Demokratike nuk duhet të harrojë se kryetarët e Degëve ishin nga të parët që u afruan në procesin e rithemelimit dhe qëndruan konseguent gjatë këtyre viteve.
Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, së bashku me Kryetarin e PDSh-së Prof.Dr.Sali Berisha, janë institucionet e vetme brenda Partisë Demokratike të dalë nga vota e demokratëve me parimin “një anëtar, një votë”, sikurse dhe aekretari i Përgjithshëm z.Flamur Noka, i votuar (me votim të fshehtë e garë) nga Këshilli Kombëtar.
Kujtoj, se në Qarkun e Vlorës, kemi dhe kryetar Degësh të votëbesuar dy herë, në harkun kohor të tre viteve, në Degën e PD Selenicë dhe Sarandë.
Në këndvështrim tim kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike nuk kanë pse të dorëhiqen nga pozicioni, të cilën e kanë fituar e mbajtur me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, si votëbesim e proces i mirëfilltë primaresh.
Çdo ndryshim i këtij parimi do të përbënte një shkelje të frymës demokratike që Partia Demokratike përfaqëson.
Kryetarët dhe sekretarët e degëve, janë individë, të cilët kanë mbartur aktivitetet partiake në degët e qyteteve të tyre, duke qenë valenca politike më e lartë e frymës së Partisë Demokratike në qytetet përkatëse.
Primaret, së pari duhet të fillojnë nga votëbesimi ndaj drejtuesve politikë në Qarqe ose në të kundërt çdo drejtues politik, po nuk ju nënshtruan Primareve, të vendosen në listën e hapur.
Në gjykimin tim, kryetarët e sekretarët e Degëve, qofshin aspirantë apo jo për deputetë të ardhshëm duhet të kualifikohen të votëbesuar, për t’u nominuar në përzgjedhjen e kandidatëve, në ndërtimin e listës përfundimtare.
Lista përfundimtare natyrisht duhet/do të vendoset nga kryetari i Partisë Demokratike dhe çdo kandidat duhet të pranojë paraprakisht një kod etiko-politik në respektimin pa kushte shtesë të çdo pozicioni të dalë nga ky vendim.
Sot për Partinë Demokratike është i nevojshëm sinergjizimi i strukturave, duke nisur nga kryetari Prof.dr.Sali Berisha, Kryesia e partisë, drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e degëve, kryesitë e tyre, çdo kryetar e sekretar grupseksioni e seksioni, anëtarët e demokratët e pandarë, si strategji e fitores, e cila funksionon në harmoni.
Nëse njëra nga këto hallka shkëputet, shkakton konfuzion, dobësi, destabilizim dhe çdo shpërqendrim nga këto prioritete e çdo gabim në primare do të ishte shumë e dëshiruar nga/për kundërshtarët tanë politikë, të cilët do të përfitonin të thellonin diversionin e tyre ndaj Partisë Demokratike.
Sot nuk na falet asnjë gabim !
Sali Berisha nuk ka vonuar dhe i është përgjigjur flak për flakë eputetit dhe kreut të PD të Vlorës. Me gjithë kritikat e deputetit të Vlorës, Bujar Leskaj, sipas të cilit krerët e degëve janë të vetmit që janë zgjedhur me votë në PD, Berisha thotë se me këtë normë statutore, gara në Primare bëhet e barabartë.
Një ditë më parë PD njoftoi se ka hedhur hapat e parë për mbajtjen e procesit të primareve, duke njoftuar edhe kryetarët e degëve që nëse duan të marrin pjesë në primare dhe të futen në garë për deputet, të japin dorëheqje.
Një njoftim që nuk është pritur mirë nga deputet i PD Bujar Leskaj ka vlerësuar kryetarët e degëve dhe sekretarëve si i vetmi institucion që i janë nënshtruar votimit dhe ka sugjeruar që pjesë e primareve të jenë edhe drejtuesit e PD, pra të jenë në listë të hapur.
-A do e pranojë Sali Berisha një sugjerim të tillë dhe kur do të nisë procesi i primareve?
Berisha: Tani, procesi i primareve është një proces statutor. Qëndrimi i kryetarëve të PD, ose kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të PD është statutore, ka një nen në statutin e PD, i cili thotë; në rast se kryetari i partisë do të kandidojë, ai duhet të japë dorëheqje para se të zhvillohen primaret.
Pse? Sepse ai tjetri që do të kandidojë, ai kërkon garë të barabartë dhe garë të barabartë, unë kryetar dhe tjetri i thjeshtë, nuk ka. Ndaj dhe kjo është një normë statutore. A do hynë në garë drejtuesit e PD, gara është e hapur për të gjithë.
– Po drejtuesit politikë të qarqeve?
Berisha: Drejtuesit politikë të qarqeve do të vendosë Këshilli Kombëtar. Por lista e mbyllur do të përcaktohet nga gara, nga primaret dhe rezultati në primare. Por meqë jam këtu tani, unë ftoj të gjithë demokratet, demokratët dhe të gjithë ata që duan të marrin pjesë në garën e primareve. Të fillojnë që sot garën për votën e diasporës. Dmth, të fillojnë që sot regjistrimin e numrit më të madh të mundshëm të qytetarëve me të drejtë vote në emigracion dhe diasporë. Do të jetë dhe ky një kontribut i tyre i madh dhe që padiskutim do të marrë vlerësimin e duhur.