TIRANE-Pak ditë pasi shumica prezantoi draftin me ndryshimet në Reformën Zgjedhore, të cilën opozita e ka bojkotuar, sot kryetari i PD, Lulzim Basha ka prezantuar para deputetëve demokratë dhe opozitës platformën që sipas tij do të "çlirojë zgjedhjet" nga krimi, shitblerja e votës dhe kapja shtetërore. Platforma e opozitës mbështetet në katër pika, që sipas Bashës janë thelbësore;
1. Dekriminalizimi i procesit zgjedhor, ku përfshihet edhe vettingu i politikanëve
2. Masat kundër shitblerjes së votës
3. Reduktim shpenzimeve të fushatës, financim shtetëror 100%
4. Përdorimi i teknologjisë në votim, votim dhe numërim elektronik
Pasi të zgjidhen këto mund të hapet diskutimi për sistemin, mendimet e mia dihen, por do i nënshtrohen aleancës opozitare dhe etj. Qëndrimi im është që cfarë do sistemi të shkojmë duhet një studim dhe diskutim i hapur për përfaqësimin më të mirë të qytetarëve. Reduktim të numrit të deputetëve që mund të kthehen në 100, parlamenti me dy dhoma. Të gjitha propozimet të hapura për diskutim.
Lulzim Basha
Më pas Lulzim Basha u ndal te deklarata e Rexhep Rrajës pak ditë më parë pasi doli nga gjykata, ku deklaroi se ‘Basha do e shohë në zgjedhje’. Basha tha se djali i deputetit kërcënoi opozitën me hakmarrje elektorale.
Sot kemi nevojë për një reformë për të cliruar zgjedhjet nga krimi dhe nga kapja shtetërore. Gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës nga krimi, pavarësisht ndryshimeve që mund të miratohen. Ngjarjet kriminale në ditët e fundit dhe në tërësi kanë pasur të përbashkët, lidhjen e autorëve me zgjedhjet. Bajrajt e Shkodrës u kthyen në punëtorë elektoralë të PS, nga Bushati te politikanët socialistë në Shkodër. Edhe në Elbasan nga Celajt te Sanxhaktarët. Saimir Tahiri u lidh me krimin që në opozitë dhe u kthye në nyjë me kupolën rilindase. Në Durrës bandat e Lul Berishës, Dervishit qeverisin bashkinë. Në Vlorë nga banda e Habilajve te ajo e Xhafajt. Në Dibër Ymer Lala, në Korcë Rragani, në Tiranë nga Shullazi te Dajti me shokë. Prokuroria mban peng hetimet. Në polici dhe prokurori ka regjistrime telefonash mes Dakos dhe grupeve kriminale, apo ashtu Manjës, Ballës, Gjiknurit dhe Ramës me kriminelët e vendit. Kjo martesë e krimit me politikën u demonstrua në rastin e Rexhep Rrajës, i cili e kërcënoi opozitën me hakmarrje elektorale. Në Krujë ne nuk konkurrojmë me socialistët, por kriminelët.
Lulzim Basha
Por nga mbledhja e grupit të PS, Rama u shpreh sot se Basha nuk e do reformën zgjedhore, pasi e do pushtetin në tavolinë. Ai tha se bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Bledi Çuçi ka punuar gjithë verën për konsensus, por opozita ka refuzuar edhe votimin elektronik.
Janë dëshpëruar nuk kanë idenë dhe vizion, me vota nuk na mundin dot. Tani që jemi gati, ka punuar gjithë verën Cuci për dakordësi dhe për votimin elektronik në dy tre zonë dhe thonë nuk duan. Po cfarë duan? Ua them se ma ka thënë Luli. Pushtetin në tavolinë me marrëveshje, një herë ti dhe një herë unë, por është e vetmja gjë që Lulit nuk ia jap dot, i jap gjysmën e zemrës, po jo këtë. Janë të pafytyrë dhe të pa besë.
Edi Rama
Gjatë takimit ku u prezantua platforma e opozitës për zgjedhjet foli edhe zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama. Ai u shpreh se duhet të çlirohen zgjedhjet nga krimi për të rikthyer besimin qytetar tek vota e lire dhe e ndershme.
I akuzuari Rraja, djalë i një deputeti të Rilindjes, nuk foli thjeshtë dhe vetëm në emër të vet kur tha do të shihemi në zgjedhje. Ai foli si zëdhënës i maxhorancës të cilën ai e ka mbështetur për t,a sjellë në pushtet dhe që maxhoranca e kriminalizuar për shkak të burimit nga një vatër kriminale e përdor këtë si mbështetje elektorale.
Dhe e patë çfarë ndodhi? Ajo që ndodh përgjithësisht dhe që është e njohur në teoritë e kriminalogjisë. Në përpjekje për të mbuluar një krim, kryetari i Rilindjes zbuloi krimin tjetër, kur kanosi oficerin e policisë që denoncoi një akt kriminal.
Ajo që ne duhet të bëjmë dhe ku duhet të fokusohemi është asnjë hap më tej pa dekriminalizuar zgjedhjet. Asnjë hap më tej pa dhënë garanci, që qytetarët shqiptarë të kuptojnë që këtu nuk është interesi i opozitës por është interesi i shoqërisë shqiptare, i qytetarëve shqiptar dhe i të ardhmes së tyre, që ky vend të mos jetë njolla e zezë, apo njolla e turpit në Evropë, me zgjedhje të vjedhura dhe të kriminalizuara.
Kjo do të thotë se do të na duhet një përmbysje e madhe, për të ndërtuar një sistem të ri politik, që lind dhe ngrihet prej një sistemi zgjedhor përfaqësues, të ndershëm dhe të barabartë për të gjithë. Pra reforma e vërtetë fillon nga dekriminalizimi dhe trajtimi i sistemit zgjedhor që përmes tij të mund mundësohet vlefshmëria e barabartë e votës, pavarësisht se ku voton apo për kë voton. Sistemi politik në vend është i kalbur dhe kërkon reformë të thellë. Kjo reformë e sistemit politik fillon nga zgjedhjet.Luan Rama