TIRANË- Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka deklaruar se platforma e opozitës për të dalë nga kriza përmban 5 pika dhe një marrëveshje me kushte me Ramën, jo si kryeministër, por si kryetar i PS-së.

I ftuar në Report Tv, aleati i Bashës ka zbuluar 5 shtyllat kryesore ku bazohet kjo platformë. Ndryshimet Kushtetuese, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore, Dekriminalizimi i politikës dhe i institucioneve dhe "çlirimi" i mediave . Këto janë pikat me të cilat opozita do t'i prezantohet mazhorancës për të arritur një marrëveshje për daljen nga kriza, por me një kusht: Që të negociohen të gjitha pikat në bllok dhe jo të shkëputura nga njëra-tjetra.

Ai është ndalur të flasë edhe për aksionin opozitar, ku ka zbuluar se para datës 18 tetor, ditë në të cilën do të jepet vendimi për çeljen ose jo të negociatave me BE-në, nuk do të ketë protesta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:36
Ndoka për Report Tv: Gati të negociojmë me Ramën si kryetar i PS-së (VIDEO)

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi zbuloi sot në studion e Report Tv, 5 pikat e platformës të përgatitur nga Partia Demokratike për daljen nga kriza. Ndërsa në një intervistë po për Report Tv, aleati i tjetër i Bashës, Nard Ndoka deklaroi se për opozitën është e rëndësishme data 18 tetor.

"Për ne si opozitë e bashkuar ka shumë rëndësi data 18 tetor. Integrimi vërejmë se nuk është axhendë e kryeministrit Rama. Ramës i dhanë të njëjtat kushte dhe Rama merr një fletore vizatimi duke u  paraqitur si detyra. Pritëm që të hapte një komunikim me opozitën për të realizuar kërkesat, ka një avantazh që opozita është pro integrimit dhe ka një dakordësi. Basha na informoi me kontaktet që kishte pasur me faktorin ndërkombëtar, tregoi gatishmërinë e opozitës për të për mbushur kriteret" tha ai. 

Për Ndokën opozita duhet ti kthejë besimin qytetarëve shqiptarë. Ndoka u shpreh se opozita është e gatshme që të ulet me Ramën si kryetar i PS dhe jo si kryeministër. "Për ne si opozitë është e rëndësishme që opozita të kthehet si një besim për qytetarët. Ne e diskutuam disa pika për të marrë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Platforma ishte diskutimi i fundit kemi propozimet e tona, pati mirëkuptim, e shohim pozitiv këtë draft që ofron zgjidhje për krizën. 

Ne ulemi me cdo faktor politik ne nuk hyjmë me Ramën kryeministër por si kryetar i PS, po. Nuk duam të jemi pengesë por  po jemi dakord për reformat integrim dhe detyrat që ka vendosur BE" tha ai. Deklaratat e 2 aleatëve të Bashës u bënë pas një darke informale që kryetari i PD-së kishte thirrur për të diskutuar vijimin e aksionit opozitar

Ora 13:50
Shehi zbulon se kur do të nisin protestat e opozitës

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka zbuluar se kur do të nisë aksioni opozitar.

"Basha e dha një sinjal nga Brukseli, deri në ditën e negociatave më 18 tetor nuk do të ketë protesta", tha Shehi.

Ora 13:41
Shehi zbulon në Report Tv platformën e PD për daljen nga kriza: Ja 5 pikat e panegociueshme

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka zbuluar në Report Tv 5 pikat e platformës së PD për daljen nga kriza dhe ai ka thënë se marrëveshja mund të arrihet jo vetëm për pika të caktuara, por për realizimin në bllok të tyre.

"Ka një platformë, mbi të cilin mund të negociohet. Disa ndryshime në rrafshin Kushtetues, t'i balancojmë këto institucione. E dyta, brenda sistemit të Drejtësisë. Ndryshimi për Kodin Zgjedhor. Kodit të vjetër i kaloi koha. Nuk është vetëm ky çelësi i artë që mund të zgjidhë krizën, por është vetëm një instrument. Ne jemi gati të negociojmë, por jo vetëm për këtë çështje, por të këtyre pikave në bllok. Dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve, është një çështje tjetër dhe "çlirimi i mediave". Kjo platformë të con në zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore. Rama në marrëveshje jo si kryeministër, por si kryetar i PS-së", tha Shehi.