Jemi mësuar ta konsiderojmë kontrollin vjetor të makinave si një proces që të ha kohë të çmuar dhe që mund edhe të kapërcehet. Ky ka qenë një mentalitet që gradualisht po lihet pas.

Kjo, pasi kompania SGS Automotive Albania, (degë e grupit lider në botë në fushën e inspektimeve, testimeve e certifikimeve), që ka koncesionin e këij shërbimi në Republikën e Shqipërisë, ofron jo vetëm një shërbim cilësor, që kontribuon deri në shpëtimin e jetës së njerëzve në llogari të fundit, por edhe ka gjetur rrugë e mundësi moderne për të shmangur radhët me mekanizma bashkëkohorë.

E nuk bëhet fjalë vetëm për nismën më të re, të krijimit dhe vënies në funksion të platformës së rezervimeve online www. automotivealbania.sgs për kontrollin teknik të makinave, por dhe për shumë më shumë se kaq.

Për t’u njohur me aktivitetin që ushtron kjo kompani në vendin tonë, intervistuam drejtorin e operimit të saj, Enis Myftiu.  
 
Kompania SGS ka ekskluzivitetin e kolaudimit të automjeteve në Republikën e Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve çfarë mendoni se ka sjellë pozitive në fushën e këtij sektori, që më përpara ka qenë ekskluzivitet i shtetit shqiptar?
Duke ju falenderuar së pari për këtë intervistë, dua të vë në dukje se bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare me një kompani ndërkombëtare, siç është kompania jonë, ka pasur dhe ka si qëllim që qytetarëve t’u ofrohet një shërbim i duhur në kontrollin teknik vjetor të mjeteve rrugore. Si një detyrim i të gjithëve ne, për të pasur mjete të sigurta në qarkullimin rrugor, ky shërbim është pjesë plotësuese e të gjitha angazhimeve, që vetë përdoruesit e mjeteve kanë për mjetet e tyre.
 
Angazhimi i kompanisë ka qenë në drejtim të investimeve të kërkuara për të përmirësuar pjesë të infrastrukturës dhe të mënyrës së kontrollit teknik nëpërmjet investimeve teknologjike.

Aty janë instaluar pajisje standarde të teknologjisë më të përparuar për kontrollin teknik të automjeteve, si në emetimin e tymrave dhe të gazrave apo edhe në kontrollin e sistemeve të drejtimit, të frenimit dhe të sistemeve të tjera në një automjet.

Konkretisht, mendojmë që, ndryshe nga mënyra e vjetër e kontrollit, e cila ishte e bazuar 90% në kontrollin manual ose vizual të një automjeti, futja e teknologjisë në kontrollin teknik ka sjellë një standardizim, një aplikim metodash bashkëkohore në kontrollin e mjeteve, njësoj siç janë ato të Bashkimit Evropian.
 
Këto standarde apo norma i keni regjistruar sipas kërkesave që paraqet Ministria e Transporteve e Shqipërisë, apo janë kërkesa të njëjta për të gjithë Bashkimin Evropian, ku ne synojmë të aderojmë?
Së pari, legjislacioni është baza mbi të cilën ushtrohet veprimtaria e të gjitha subjekteve ekonomike në Shqipëri dhe baza e legjislacionit për kontrollin teknik është përafrimi i rregulloreve, i udhëzimeve dhe i manualeve të kontrollit teknik me direktivën evropiane në fuqi mbi kontrollin teknik të automjeteve.

Manuali i kontrollit teknik, i miratuar si pjesë e bashkëpunimit të kompanisë sonë me autoritetet shqiptare, përmban norma të përditësuara sipas direktivës evropiane në fjalë. Ka pasur një rregullim të pjesshëm që zgjati për një periudhë kohore njëvjeçare, nga 1 korriku 2015, ku, në kuadrin e një fushate me sfond kontrollin më të mirë dhe reduktimin e emetimeve të automjeteve në qarkullim, u kalua, nga një kontroll ngelës këshillues, në një kontroll thjesht ngelës.
 
Qytetarët thonë se tek pikat e kolaudimeve krijohet një radhë e konsiderueshme. A ka nevojë edhe për qendra të tjera apo janë qytetarët ata që tregohen të pakujdesshëm apo të parregullt?

Pikë së pari, do të thosha që çdo përdorues mjeti do t’i ulte në minimum shanset për kthim nga kontrolli teknik për shkak të një defekti të paditur, në rast se do të kryente rregullisht vetë mirëmbajtjen dhe kontrollin e automjetit. Kjo, në fund të fundit, do të ishte dhe shprehja më e mirë e një angazhimi më të plotë që mjeti në qarkullim të jetë vërtet i kontrolluar dhe i sigurt. Ndërsa radhët janë ndodhi që vjen nga disa faktorë. Ne, me anën e një sistemi prenotimi, të cilin e kemi aplikuar në forma të caktuara që para dy vjetësh, kemi mundësi ta rregullojmë fluksin e ardhjes së mjeteve pranë qendrave të kontrollit. Ardhja e pakontrolluar, e paprenotuar, sigurisht që ka sjellë edhe situata radhësh. Psh shumë preferojnë fundin e vitit ose i kanë sjellë mjetet e tyre pas ndonjë amnistie të përfituar. Kjo nuk varet nga ne. Ndaj ne vazhdojmë të apelojmë e të nxisim vazhdimisht qytetarët që të mos presin vetëm fundin e vitit por të prenotojnë edhe në muajt e tjerë. Vetëm kështu mund të shmangen radhët e gjata në tremujorin e tretë. Ajo çfarë ne kemi mundësi t’u ofrojmë qytetarëve është një sistem prenotimi, i cili sjell mbarëvajtje në fluksin e sjelljes së mjeteve në qendrat e kontrollit dhe kështu qytetarët kanë mundësi të planifikojnë kohën se kur duhet të vijnë për kontroll. Kështu harxhojnë minimumin e kohës së tyre duke ardhur në kohën kur kanë prenotuar.
 
Kur personi që ka prenotuar arrin në qendër në kohën e duhur, pas sa minutash futet në kontroll? Do të ketë përsëri pritje?
Nëse oraret e publikuara respektohen nga qytetarët, koha e pritjes për të futur një mjet në kontroll do të jetë pak minuta, ajo kohë që nevojitet për procedurat administrative pranë recepsionit. Këshillojmë që qytetarët të mos lënë në momentin e ardhjes në pikën e kontrollit për të bërë edhe procese të tjera, siç janë pagesa dhe detyrime vjetore të automjeteve, apo edhe pagesa e detyrime të tjera si sigurimet motorike të detyrueshme. Kontrolli teknik vetë zgjat rreth 10-20 minuta mesatarisht, koha më normale është 15 minuta. Por kontrolli teknik do të vazhdojë për aq minuta sa është i nevojshëm të përfundojë, për aq kohë sa gjykohet dhe verifikohet gjendja e mjetit.
 
Ndodh që qytetari para se të hyjë, te dera, ndeshet me një fenomen që ka qenë shumë i përhapur, tani është shumë më i kufizuar, sidoqoftë janë disa persona që u thonë shoferëve: “Ke nevojë për ndihmë?” Çfarë ndihme mund t’u japin ata?
Flasim për persona që nuk janë personel i kompanisë. Duke qenë se janë konstatuar herë pas here njerëz që kryejnë një veprimtari të tillë, ne jemi interesuar dhe kemi qenë gjithnjë të angazhuar të bashkëpunojmë me organet ligjvënëse në Shqipëri duke bërë denoncimet përkatëse. Për këtë na kanë ndihmuar edhe mediat. Ka shembuj kur janë treguar me zë dhe me figurë raste të tilla. Për sa na përket ne, u kërkojmë qytetarëve të mos ushqejnë fare një veprimtari të tillë, të mos bëhen pre e ofertave të tilla. I vetmi detyrim financiar që qytetarët kanë për kontrollin teknik është fatura që lëshon kompania. Fatura, të cilat kanë çmimet e miratuara nga autoritetet shqiptare. Çdo veprim tjetër financiar me qëllime të tilla është i dënueshëm.
 
Folëm për emetimin e gazrave, për të cilat tani ka një kontroll shumë të rreptë. Po kur shikojmë një makinë që, kur ecën, lëshon një tym, që duket edhe me sy që është i palejueshëm, mund të mendojmë që kjo makinë nuk e ka kaluar kontrollin, apo ndoshta është cilësia e karburantit që e krijon një gjë të tillë?
Kontrolli teknik është një kontroll aty për aty i gjendjes së mjetit. Shkaqet që mund të çojnë në situata të caktuara gjatë periudhës së përdorimit të mjetit mund të lidhen me shumë faktorë. Ne jemi përgjegjës për momentin kur mjeti është paraqitur për kontroll. Në qoftë se ajo situatë, gjatë kontrollit teknik, nuk ka nxjerrë problem, ne kemi për detyrë që të bëjmë verifikimet dhe të japin certifikatën e kontrollit teknik. Më tej është përgjegjësia e vetë drejtuesit të mjetit që ta mirëmbajë mjetin. Ne nuk bëjmë as analizat e karburantit që përdoret për mjetet. Për këtë ka institucione përkatëse, të cilat japin verdiktin mbi cilësinë e karburantit në bazë të analizave që ato kryejnë.
 
Edhe një herë lidhur me dobitë e prenotimit, se për këto interesohemi të gjithë. Çfarë u këshilloni qytetarëve para se të vijnë tek ju për kontrollin periodik?
Unë u bëj apel qytetarëve që ta shfrytëzojnë sa më shumë sistemin e prenotimit. Mjafton të hyjnë në faqen e internetit në www.automotivealbania.sgs ose të telefonojnë në numrin 04 4503503 dhe mund ta zgjedhin vetë ditën dhe kohën më të përshtatshme, në çdo pikë testimi e certifikimi, jo vetëm në Tiranë por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai në radhë të parë u kursen kohë. U jep mundësi që të planifikojnë veprimtarinë e tyre. Kontrolli teknik është i detyrueshëm, pra, rrjedhimisht dihet që kemi një moment kur mjeti duhet sjellë për kontroll teknik. Por qytetarëve u ofrohet një mundësi të fitojnë në kohë, duke bërë prenotimin në pikën ku ata dëshirojnë të bëjnë kontrollin teknik. Mund ta bëjnë drejtpërdrejt online në faqen e internetit që kemi vënë në dispozicion, ose duke telefonuar në numrin tonë të publikuar për shërbimin ndaj klientit.
 
Zakonisht sa kohë përpara duhet bërë prenotimi?
Aktualisht ka një kalendar të publikuar deri në fund të muajit të ardhshëm. Këtu publikohen edhe oraret e lira, që qytetarët të kenë mundësi të prenotojnë sipas dëshirës dhe radhës në vazhdim. Ne, periodikisht bëjmë rifreskimin e kalendarit në mënyrë që atyre qytetarëve që u vjen koha për të prenotuar të kenë mundësi të prenotojnë në kohën e duhur. Forma e parë e prenotimit ka qenë ndryshe. Operatorëve tanë u vinte një kërkesë me email dhe ata i përgjigjeshin po me email. Tani forma është ndryshuar, është e drejtpërdrejtë. Pra, jep mundësinë e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të orarit dhe konfirmimin e menjëhershëm brenda një minute. Gjithashtu publikohen çdo ditë listat edhe pranë qendrës përkatëse, lista të cilat shfrytëzohen për t’i dhënë prioritet qytetarëve që kanë prenotuar oraret për atë ditë. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com