Plotësimi i  1 vendi vakant në Kushtetuese, Gjykata e Lartë: Kanë aplikuar 5 kandidatë, lista në KED

Plotësimi i  1 vendi vakant në Kushtetuese, Gjykata e Lartë: Kanë aplikuar 5 kandidatë, lista në KED

Gjykata e Lartë dhe 3 prej kandidatëve

Brunilda Kadi, Ilir Toska, Holta Zaçaj, Manjola Xhaxho dhe Tartar Bazaj për të plotësuar në Gjykatën Kushtetuese vendin e lënë vakand nga Gani Dizdari që duhet plotësuar nga Gjykata e Lartë.  Lajmin e ka bërë me dije vetë Gjykata e Lartë e cila thotë se lista i ka kaluar KED-së.

"Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 125 pika 1 të Kushtetutës si dhe nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në datë 15.11.2021 ka bërë shpalljen publike për plotësimin e 1 vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese të krijuar pas largimit të z. Gani Dizdarit (mandati i plotë 9 vjeçar) që duhet plotësuar nga Gjykata e Lartë. Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave të kandidatëve, kanë paraqitur kërkesë për të konkurruar në këtë vend vakant, këta kandidatë: 1. Brunilda Kadi; 2. Ilir Toska; 3. Holta Zaçaj;  4. Manjola Xhaxho; 5. Tartar Bazaj

Bazuar në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, (të ndryshuar) lista e kandidatëve, si edhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre, i janë dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si organi kompetent për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese", ka njoftuar Gjykata e Lartë.

Gjykata e Lartë ka rinisur procedurat për plotësimin e 3 vakancave që kanë mbetur në Gjykatën Kushtetuese, anëtarë që duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion. Mungojnë kandidaturat pasi shumë pak plotësohen kriteret kushtetuese, ndaj edhe në KED ende nuk ka asnjë proces.   Një prej vendeve vakant është ai i gjyqtares Vitore Tushës, të cilës i mbaroi mandatin 9-vjeçar. Po ashtu vakant është edhe vendi i Fatmir Hoxhës, i cili u shkarkua në vitin 2018, si dhe i Gani Dizdarit, që u shkarkua në vitin 2019.

Aktualisht Gjykata e Lartë ka 7 anëtarë, të ndarë në 3 Kolegje. Konkretisht në Kolegji Penal janë gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni, Albana Boksi, Klodian Kurushi, Sokol Binaj. Në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë është caktuar vetëm Ervin Pupe dhe në Kolegjin Administrativ vetëm Sokol Sadushi.

Kujtojmë se nëse në Gjykatën e Lartë nuk plotësohet kuorumi për të zhvilluar një mbledhje të vlefshme për zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.  Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 anëtarë dhe për ta bërë një mbledhje të vlefshme për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses duhet të marrin pjesë gjysma e anëtarëve pra mbi 13 anëtarë.

Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

 

Procedura e zgjedhjes nga Gjykata e Lartë të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

1. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit. Kryetari i Gjykatës së Lartë pranon kandidaturat brenda 30 ditëve nga njoftimi, i bën ato publike dhe ia dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet.

3. Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Lista me kandidatët u bëhet e njohur më parë të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.

4. Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur.

5. Emri i gjyqtarit të zgjedhur i njoftohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Berat/ E zuri poshtë një masiv guri teksa po punonte, arrestohet investitorja, në kërkim administratori dhe drejtuesja teknike

Berat/ E zuri poshtë një masiv guri teksa po punonte, arrestohet investitorja, në kërkim administratori dhe drejtuesja teknike