Nadir Çausholli, pronari i CFO Pharma ka reaguar pasi ndaj biznesit të tij u qëllua me breshëri kallashi më 18 mars. Në një postim në Instagram, Çausholli shkruan se policia ende po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa thekson se informacionet e para janë se të shtënat me armë mund të jenë bërë për gjobvënie.
Në postimin e tij publik, Çausholli hedh poshtë disa lajme që kanë qarkulluar në media se pistë hetimi janë fajdet, duke thënë se nuk janë të vërteta, por mashtrime.
SI.E./Shqiptarja.comReagimi i plotë i Nadir Çaushollit
![]()
Mos i vrisni njerëzit për herë të dytë!
Realisht, ashtu siç e keni dëgjuar, kompania CFO Pharma është qëlluar me armë nga persona që aktualisht nuk dihet kush janë. Policia po punon, gjithashtu edhe unë, bashkë me ta. Informacionet paraprake për sulmin janë për gjobëvënie, që të mos lodheni me hamendësime.
Nuk mjaftojnë plumbat fizikë që u zbrazën te kompania ime, por duhet të shoh dhe të dëgjoj çdo vjellje vreri gazetaresk në disa media online, ku disa e bëjnë këtë për efekt të reklamave që nuk i bëj tek ata (konkretisht JOQ, Boldnews, të cilin e kemi kallëzuar, Zëri i Sajmirit, etj.), dhe disa të tjera të reja që e bëjnë për shikueshmëri.
Shpikin fillimisht që paskam aksionarë persona që nuk ekzistojnë. Pastaj shpikin që kam dhënë apo marrë fajde. Shumë shpejt do të thonë që ato plumba i shkaktoi Nadiri.
Më vjen shumë keq për realitetin në të cilin jetojmë. Duan të bëjnë mashtrimin lajm, vetëm që të klikohen.
Do doja t’ju bëja një paralelizëm: Nëse unë postoj që kam dëgjuar se një gazetar mashkull shkon me një gazetar tjetër mashkull, postimi im do të bëhej lajm kryesor në media dhe të gjithë do të mendonit: “Përderisa ky e poston, ka diçka të vërtetë për këta gazetarët.”
Në të vërtetë, unë, që do të shpikja lajmin e pavërtetë, do fitoja lekë dhe shikueshmëri, por do njollosja padrejtësisht figurën e njerëzve që s’kanë lidhje. Ata ndoshta do më ofronin edhe lekë që unë të hiqja lajmin.
Realiteti që unë arrij të lexoj, ma besoni, është shumë i shëmtuar, pasi di shumë gjëra që njerëzit e thjeshtë dhe normalë nuk i kuptojnë dhe nuk i besojnë që ndodhin — që nga presioni i gjobave të alabakëve dhe kriminelëve, por edhe i disa mediave online apo individëve pa identitet, të cilët e justifikojnë ekzistencën duke shpikur.
Do doja shumë që të gjithë të ndihmojnë që të mos ekzistojnë lajme të pabazuara, sepse i vrisni njerëzit për së gjalli.
Ma besoni, të bësh biznes në vendin tonë, fillimisht duhet të përgatitesh për koston e gjobëvënies nga disa media. Nuk ndodh në botë kjo!
Unë jetoj në Tiranë dhe jeta më ka përballur me shumë njerëz, për të cilët — pavarësisht këtyre lajmeve — besoj se gëzojnë shumë respekt dhe nuk influencohen fare. Lerini njerëzit të qetë në hallet e tyre kur nuk i ndihmoni dot.
Mos justifikoni paaftësinë tuaj për të bërë diçka reale duke vjellë vrer, por gjeni një punë tjetër, sepse Shqipëria nuk ka nevojë për 1000 portale dhe 100 televizione.
Realisht, nuk kam fare frikë nga plumbat realë, ndonëse ndoshta jam edhe i kërcënuar për jetën, krahasuar me këto llafe të shëmtuara dhe mënyrën e të bërit lajm.
Të gjithë ju, para se të shani të tjerët, dilni para pasqyrës dhe shiheni pak atë që keni përballë: a është aq i kulluar sa të merret me tjetrin? Nuk dua ta komentoj këtë pjesë më shumë, se do bëhem si shumë nga ju.
Tani mund të vazhdoni duke më sharë që jam kriminel, drogaxhi, kontrabandist, kontrovers dhe çdo lloj fjale që mund t’ia vidhnit nga fjalori dikujt tjetër.
Komente

