Po ç’patët me sharlatanët, a derëzi?!

Po ç’patët me sharlatanët, a derëzi?!

Foto ilustruese

Një gjë dua t’u them që në fillim miqve intelektualë që shkruan një letër për t’u mbyllur derën sharlatanëve:

Kjo që keni nisur, kjo është punë e kotë!.

Sharlatanët, që thoni ju, këtu do të jenë, ndoshta edhe kur ju nuk do të jeni. Sharlatanët janë të përjetshëm dhe të përbotshëm. Ndoshta ata (që ju i lini pa emra) por iu thonë ‘këta sharlatanët’. Të lidhur do të jeni sa të jeni. Mbase edhe mund te bashkekzistoni me kënaqësi. Kot e patët këtë përrallë.

Përralla ishte kjo:

Disa njerëz të zakonshëm marrin penën e shkruajnë ose marrin rrugën dhe dalin në ekran e flasin për historinë dhe për gjuhën. Historinë e ngatërrojnë, ndërsa gjuhën e katranosin; po kështu është.

Këta duhen zhdukur (!?), të mos na dalin më para sysh.

Kam frikë se me këtë thirrje, ju të dashur intelektualë, i zgjuat sharlatanët dhe i bëtë të fluturojnë në tufa.

Sharlatanët që po thoni (fjalën ‘sharlatanë’ lexojeni kudo në thonjëza), janë si thëllëzat e dushkut. I zgjon prej këtu por ato shkojnë e fshihen dhe shumëzohen në një lisnajë tjetër. Këta, domethënë njerëzit, si shpend të shumëzueshëm, por që po quhen sharlatanë, këta shkojnë në një ekran tjetër, ose krijojnë ekrane pa fund në internet, në facebook, në instagram, në X…

Dy raste njohim që sharlatanët u ndaluan.

Rasti i diktaturës në Shqipëri dhe rasti i Europës para shekullit 16. Në kështjellat e Europës ishin mbyllur të marrët. Por kur u liruan, u kuptua se ishin magjepsës.

‘Marrësia magjeps’, ka thënë filozofi Artur Shopenhauer.

Tani nuk po e ndajmë dot, cili magjeps më shumë, grupimi juaj i ‘saktësisë precize’, apo sharlatanët që thonë çfarë u thotë mendja.

Ne fund te fundit edhe ata u bënë ashtu sharlatanë duke dashur t’u ngjajnë ju. Domethënë duan të jenë dikush, të shkruajnë, të publikojnë, të dalin në televizion… Është në natyrën e njeriut që të ngjajë te dikush e të provojë. Ju e nxorët emrin në libra dhe ekrane tv.,  dhe ata deshën të bëhen të famshëm si ju. Por me mënyrën e tyre. Ata fituan më shume klikime, ju mbetët mbrapa. Atëherë cili peshon tjetrin?

Gjithnjë kështu ka qenë, jo vetëm sot kur ka klikime.

Kam dy ngjarje nga përvoja ime në media:

E para, në selitë e redaksive të gazetave kryesore të Tiranës, në vitet para ’90. Redaksia ishte në katin e katërt, me shkallë, ngjitu e ngjitu. Mbrëmjeve vonë dëgjoheshin ca hapa që çapiteshin ngadalë dhe me ndrojtje. E dinim se një nga ata ishte. ‘Ata’ ishin një bezdi për ne; i quanim edhe ‘budallenj’. Vinin e sillnin nga një copë letër për ‘ta botuar’. Ndonjë prej tyre edhe mundi të botonte shkrime e sot është me emër.

Mediat kështu janë, janë si ‘mjalti’ për këta njerëz që duan të kenë emër.

Ngjarja e dytë, me dy burra me të njëjtin emër ‘Spiro’.

Të dy nga Gjirokastra. Spiro Kufo kishte qenë korrespondent i ‘Zërit të Popullit’ në Gjirokastër, por tani e kishin sjellë në redaksi. ‘Spiro’ tjetër ishte Kiço Thanas Spiri, që njihej vetëm si ‘K. Th. Spiri’. Shkruante vjersha, shkruante pa fund. Shoku i tij i vegjëlisë, Kufo, nuk po ia botonte, pra i kishte mbyllur ‘ekranin’.

Një ditë në redaksi Posta sjell një thes të tërë me letra, në adresë të Spiro Kufo. Në shpinë të thesit shkruhej: ‘Këto vjersha K. Th. Spiri i shkroi/ Që t’i lexojë/ t’i korrektojë dhe t’i botojë/ Truthari Spiro Kufoi”

… Atëherë, si mund të ndalet tufa e këtyre njerëzve në redaksitë e mediave? Ata janë kudo e kudo.

A ka mënyrë? Të thyhen të gjithë ekranet?, ndoshta kjo është zgjidhja. Por them se edhe nëpër ciflat e qelqit të ekraneve do të ketë si sharlatanë ashtu edhe ‘intelektualë’.

Më vjen në mendje rreziku i kundërt, që një ditë sharlatanët të kthehen në zot të ekraneve dhe të mos lejojnë të vijnë historianët dhe gjuhëtarët precizë.

Po ç’patët me ta, a derëzi preciziozë? Qëkurse e kërkoni botën ‘vetëm precize’, që këtu nisin dyshimet.

Nuk dua të dyshoj për shkak të konkurrencës apo xhelozisë suaj ndaj atyre. Edhe mund të jetë kjo arsyeja, sepse ata kanë më shumë popull me vete. Popullit mjaft t’i thuash se ‘kur ishe ti, gjermanë e grekë vareshin nëpër pemë’, dhe u bëre i madh. Një ditë populli këta historianë mund t’i zgjedhë presidentë. Këto shenja i ka dhënë populli, dhe ju e dini nga shkencat humane se ‘populli nuk gabon kurrë’.

Ju e dini veten si Franz Kafka? Se Kafka e krijoji ‘Majmunin Akademik’. Por e la vetëm me kaq, te majmuni, nuk shkoi te sharlatanët. Majmuni i Kafkës një ditë e tradhtoi tufën e tij dhe u bë ‘Majmun Akademik’. U betua se nuk do te mendonte më me stomak, si të tjerët. Por prapë majmun mbeti. Veçse e krijoi Kafka si për ironi ndaj jush.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lindi: 21/02/2024 12:04

    Ja ke fut kot Frrok. Ata we shkruar beneire se Kultura eshte me vlere dhe duhet ruajtur e zhvilluar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?