'Po i shërben Serbisë', 'e keni tradhtu UÇK-në', largimi i avokatit të Veselit nxit kritika ndaj Qeverisë Kurti

'Po i shërben Serbisë', 'e keni tradhtu UÇK-në', largimi i avokatit të Veselit nxit kritika ndaj Qeverisë Kurti

Avokati Ben Emmerson

Largimi i avokatit Ben Emmerson nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili po gjykohet në Hagë, ka nxitur reagime të shumta. Derisa dyshimet e para janë se ai është larguar për shkaqe financiare, përfaqësues të veteranëve të UÇK-së, politikanë dje e analistë kanë drejtuar gishtin nga Qeveria Kurti.

Ata kanë akuzuar ekzekutivin se në mënyrë të qëllimshme po i redukton fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Në këtë mënyrë, kanë thënë ata, Qeveria po ia bën argati Serbisë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë me dije se me reduktimin e fondeve për ish-krerët e UÇK-së Qeveria e Kosovës po i ndihmon të keqes dhe po e dobëson mbrojtjen

“Pas largimit të avokatit kryesor të Hashim Thaçit, sot qenka larguar edhe avokati kryesor i Kadri Veselit! Largimi i tyre për mungesë të fondeve është lajm i mirë për kundërshtarët e UÇK-së, Serbinë dhe Gjykatën Speciale! Ata që po i reduktojnë apo ndalojnë këto fonde, janë duke i shërbyer së keqes. Por, pavarësisht kundërshtarëve të lirisë, le të kuptohet se pushtuesi nuk mund të kthehet më”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe më i ashpër ka qenë ish-komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha. Ai ka thënë se Qeveria Kurti për karburante po harxhon dhjetëra miliona euro, ndërsa për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK po i redukton fondet.

“Brenda 3 viteve, Albini rreth 30 milion € i ka ka bër “rrush e kumbulla” për naftë duke u shetitur me xhipa të zi nëpër Kosovë e 31 milion € për eksursione me aeroplan, kurse hijenave të regjimit nuk ju pengon, ndêrsa Kosova sipas logjikës së tyre të sëmur, çenka fikën që 4 milion € e paska paguar avokatin e Kadri Veselit! Ne e kuptojm se Serbia në Kosovë ka lën shumë mbeturina “kopila” që me kundërmimin e tyre po infektojn edhe një pjesë të “miletit”, mirpo nuk po i kuptoj disa tê ashtuqujtur intelektual që po bien viktima të propagandës që ju serviron regjimi përmes komiteteve të veta”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vlerësuar se me veprimet e tyre presidentja, kryeministri dhe kryediplomatja po i shërbejnë Serbisë.

“Pas largimit të avokatit kryesor të presidentit Thaçi, sot qenka larguar edhe avokati kryesor i Kadri Veselit! Largimi i avokatëve të krerëve të UÇK-së për mungesë të fondeve është lajm i mirë vetëm për Serbinë dhe Gjykatën Speciale! Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla, të cilët po e refuzojnë rritjen e fondeve për mbrojtjen e UÇK-së, po vazhdojnë t’i shërbejnë Serbisë!”, ka shkruar Behrami në profilin e tij në “Facebook”.

Dyshohet se largimi i Emmersonit erdhi për shkaqe financiare Gjykata Speciale ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emerson, për tërheqje nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvednit, Kadri Veseli. Sipas Gjykatës Speciale kjo nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emerson. Veseli dhe Emersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme. Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Nder të tjera, thuhet se vendimi do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme. Gazeta Nacionale ka mësuar përmes burimeve se arsyeja e tërheqjes së njërit nga avokatët më me nam në botë, u bë për shkaqe financiare. Ndaj këtyre akuzave ka reaguar edhe edhe Ministria e Drejtësisë. Sipas MD-së, këto akuza janë lajme të pabaza dhe tedencioze..

“Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përmes këtij reagimi demanton lajmet e pabaza dhe tendencioze që po përhapen rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Për sqarim të opinionit publik, deri më sot, Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim. Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta”, është thënë në njoftimin e MD-së.

Kjo është largimi i dytë i madh nga procesi kundër krerëve të UÇK-së. Kohë më parë është larguar edhe avokati i Hashim Thaçit Gregory Kehoe. Edhe ky i fundit ishte larguar për shkak të financave./Nacionale

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik