Po opozita ç'do bëjë? (Manual përdorimi)

Po opozita ç'do bëjë? (Manual përdorimi)

Lulzim Basha, Sali Berisha gjatë përvjetorit të RD

Një miku im dashamirës që kishte lexuar postimin tim të mëparshëm, më shkruan një mesazh, ku, jo pa shpoti, pyetjes sime se çdo bëjë opozita, i përgjigjet se “ajo do të presë radhën për të ardhur në pushtet” dhe në fund më pyet: “apo jo…?” Përgjigjen ndaj tij po e ndaj edhe me ju, meqenëse ka lidhje edhe me postimin e mëparshëm në Facebook.

1.Opozita duhet të zhbëjë idenë brenda mendjes së saj se, pavarësisht se si ecin punët, ajo do të vijë në pushtet. Logjika politike e kërkon që ajo të vijë në pushtet, por jo detyrimisht. Koha ka treguar që, pavarësisht pakënaqësisë së madhe me pushtetin, njerëzit kanë nevojë për një alternativë të besueshme. Në këtë kuptim, opozita duhet të bëjë “detyrën” e saj politike, që të shndërrohet në alternativë dhe ta meritojë besimin e njerëzve.

2.Partia Demokratike, si partia kryesore e opozitës, meqenëse është ende në proces riorganizimi në qendër, duhet të mbledhë sa më parë Këshillin Kombëtar dhe të plotësojë hierarkinë e saj drejtuese me figura të reja politike, të cilat duhet t’i përgjigjen zhvillimeve të reja brenda PD-së. Duhet zgjidhur ngërçi institucional i lidershipit të Bashës, i cili, nga njëra anë, ka zgjedhur të lërë jashtë parlamentit hierarikinë drejtuese aktuale të partisë (përveç nënkryetarëve) dhe, nga ana tjetër, është i destinuar të bashkëpunojë dhe t’u japë atyre pushtet brenda strukturave partiake.

3.Duhet sqaruar përfundimisht dhe duhet thënë në mënyrë të hapur (pa nënkuptime) se cili është raporti i PD-së me LSI-në dhe partitë e tjera aleate për zgjedhjet lokale të qershorit të këtij viti. Kjo është shumë e rëndësishme, ngase, pavarësisht se çfarë do të bëjë PD-ja në lidhje me koalicionet, militantët dhe strukturat e PD-së e kanë të nevojshme një sqarim të tillë.

4.Brenda janarit, pas sqarimit të koalicionit, duhen përzgjedhur dhe duhen prezantuar në zonat e tyre kandidatët potencial të PD-së në zgjedhjet lokale të këtij viti, të cilët duhet të jenë njerëz me integritet të lartë moral, me integritet, mundësisht intelektual (të paktën, jo budallenj dhe qesharakë), dhe të pakonsumuar politikisht.

5.Grupi parlamentar i PD-së duhet të shpërndahet në zonat e tyre respektive ku, së bashku me kandidatët për zgjedhjet lokale, duhet të fillojnë punën derë më derë dhe dorë më dorë me njerëzit. Pavarësisht situatës së përgjithshme politike që po kalon vendi, shpeshherë ajo që ndodh në poltikën e madhe është shumë larg njerëzve të zakonshëm, ndaj ata kanë nevojë të takohen dhe të sqarohen. Po ashtu, është në natyrën njerëzore që ata kanë nevojë të respektohen, të përfillen dhe të “prekin” njerëzit e politikës, tek të cilët duhet të kenë besim.

6.Deputetët e zonave duhet të jenë prezent jo vetëm fizikisht në zonat e tyre, por edhe duke ngritur problematika konkrete të këtyre zonave. Ata duhet të përdorin të gjitha mjetet, duke filluar nga televizinet lokale dhe kabllore, veçmas takimeve të përditshme dhe të paorarshme me njerëzit. Secili prej tyre duhet të ngrejë shqetësimet e zonës së tij. Duhet të marrë fund procedura e narrativës, ku, fjala vjen, deputeti i Elbasanit ngre shqetësimet e Durrësit ose e kundërta etj. Çdo deputetë duhet të mbajë përgjegjësi dhe të japë llogari për zonën e tij elektorale.

7.Pas përgatitjes së terrenit, nëpërmjet një plani, Basha duhet të fillojë t’i bjerë Shqipërisë kryq e tërthorë, takime në çdo fshat dhe bashki, ku njerëzve t’u jepet shpresë dhe t’u krijohet besimi i ndryshimit dhe i fitores. Besimi dhe shpresa nuk mund të krijohen nga ekrani i televizorit.

8.PD-ja duhet të heqë dorë nga konferencat e shtypit, ose, më saktë, duhet t’i reduktojë ato sipas modelit të denoncimeve. Shqiptarët e lexojnë vetë realitetin më mirë se kushdo. Përveç aferave të mëdha, si në rastin e Unazës së Madhe etj., denoncimet e tjera, në shumicën e rasteve, janë pa efekt konkret tek njerëzit. Ato thjesht u japin idenë disa deputetëve se duke dhënë një konferencë për shtyp e kanë bërë detyrën ditore. Deputetët që zgjidhen për të kryer denoncimet duhet të kenë lidhje dhe njohje me problematikën e ngritur.

9.PD-ja duhet të krijojë Zyrën e Propagandës dhe ta unifikojë narrativën e saj. PD-ja ka Zyrë Shtypi që zbardhë takimet e kryetarit, njofton konferencat e shtypit, zbardh këto konferenca, bëjnë tekstet e konferencave aktuale për shtyp etj., mirëpo nuk ka një Zyrë Propagande me njerëz që e njohin komunikimin publik, arrijnë t’i përkthejnë dhe t’i bëjnë të lexueshme dhe kuptueshme për të gjithë shtresat e shoqërisë mesazhet që PD-ja synon të përçojë tek ata (spin doctor-ët). Po ashtu, kjo zyrë duhet të unifikojë dhe duhet të menaxhojë komunikimin e deputetëve dhe të drejtuesve të tjerë të PD-së në qendër dhe në bazë, qoftë në media, qoftë në rrjete sociale, daljet publike etj., në mënyrë që tè mos të duket sikur njeri ia fut gozhdës e tjetri patkoit.

10.PD-ja duhet të vijojë investimin në burime njerëzore, duke filluar nga baza në qendër, duke kërkuar dhe gjetur ekspertizën brenda vetes, por edhe rreth e afër saj. Ajo duhet të jetë e sinqertë, pikë së pari, me veten, sipas parimit që njerëzit i njohin të gjithë dhe nuk ka proces më të vështirë se sa t’i hedhësh njerëzve hi syve e të mundohesh t’ua hedhësh atyre, ngase, përveç vetes, nuk mundet të gënjesh asnjë dhe pastaj rri e hap sytë se çfarë na ngjau që dolëm keq dhe pse.

Unë rendita 10 pika në mënyrë modeste. Kuptohet që PD-ja ka njerëz shumë më të mençur dhe shumë më të ditur e me më shumë eksperiencë në këtë drejtim. Që ndryshimi nuk ndodh brenda një kohe të shkurtër dhe me telekomandë, kjo është mëse e ditur, por edhe që për të ndryshuar diçka të vogël, duhet të bësh një përpjekje edhe më të madhe, edhe kjo është e pamohueshme.

Pavarësisht situatës në të cilën ndodhet vendi, mendoj se PD-ja duhet të bëjë pjesën e saj të detyrës, që e gjithë kjo pakënaqësi të përkthehet sot në besueshmëri ndaj saj dhe nesër në vota në shportën elektorale./Facebook/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori