Po s’rrodhi uji do të turbullohet
Buxheti i ri dhe investimet

Po s’rrodhi uji do të turbullohet<br />Buxheti i ri dhe investimet
TIRANE- Unë e di se taksa e qarkullimit në Shqipëri është më e ulët në vendin tonë se sa në vendet e rajonit. E di gjithashtu që kjo taksë është rritur në 2007, 2010, madje dhe këte vit. Por a e justifikon kjo rritjen e akcizës nga 70 në 170 lekë, që dë të thotë me rreth 7% të çmimit total të naftës në situatën e sotshme? Edhe kjo çështje është një temë për diskutim. Thuhet se të ardhurat që Qeveria do të mbledhë nga kjo taksë do të jenë diku tek 50 milionë USD, por rritja e kësaj takse do të rrisë nga ana tjetër në mënyrë automatike çmimet e prodhimit, transportit në bujqësi. Duke bërë një shpjegim të thjeshtë makroekonomik kokludojmë se nafta në terma të tilla njihet si mall joelastik.

Pra, duke qenë se është i pazëvendësueshëm (jo për shembull si rasti që nëse rritet çmimi i nje malli çfaredo ti mund të marrësh një mall tjetër për ta zëvendësuar dhe nuk e merr fare mallin e parë) dhe i domosdoshëm, njerëzit janë të detyruar ta marrin atë sepse përbën një domosdoshmëri unike. Ekzistojnë teori që thonë se, nëse rritet akciza e naftës, një pjesë të rritjes së saj mund ta mbajë dhe firma që tregton karburant duke mos ia shkarkuar të gjithë barrën konsumatorit. Gjithsesi, ky tregtar nuk do të mbante më shumë se 10% të kësaj barre në rastin më të mirë. E them në rastin më të mirë, pasi në vendet e konsoliduara tregtari i karburantit përpiqet ta mbajë këtë 10% të barrës duke patur frikë se, nëse ky nuk e bën këtë, konsumatorët do të shkojnë diku tjetër dhe sasia e mallit (naftës), që ai shet, do të bjerë.

Në Shqipëri kjo nuk ka gjasa të ndodhë, pasi ne jemi vend i vogël që vetëm importojmë dhe tregtarët e karburantit e dinë mirë se ne nuk kemi ku të shkojmë dhe do ta marrim naftën me çmimin që ato do të ofrojnë. Pra, rritja e naftës çon në një efekt domino, ku mund dhe do të rritet çmimi i biletave të transportit urban, i energjisë, çmimi i prodhimit, i mallrave mbase edhe të shportës etj. Askush nuk mund ta përcaktojë se çfare efekti monetar do të shkaktojë kjo tek ekonomia dhe popullata. Por një gjë është e sigurt: impakti do të jetë më i madh se të ardhurat që mblidhen nga kjo akcizë. Thënë kjo, dhe nëse po supozojmë se për shkak të kësaj rritje dhe rritjes potenciale, që mund të ndodhë nesër të çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, konsumatorët do të dëshironin të kalonin në transportin urban; por a i plotëson ky transport kushtet që me të vërtetë këta konsumatorë do të ndjeheshin më komodë?

Absolutisht jo, pasi ne nuk kemi hekurudhë, ne nuk kemi tramvaj, transporti ynë urban (dhe këtu e kam fjalën për mijëra furgona) më së shumti është informal dhe i pamenaxhueshem. Shumë shumë njerëzit do të orientoheshin drejt blerjes së makinave më të vogla, biçikletave, apo të gjejnë punë sa më afër shtëpive. A është kjo e mundur? Në parim po në realitet jo. Jo, sepse nëse lëviz me biçikletë në rrugët tona mund të iki koka, pasi nuk ka korsi të veçanta për to. Kush i ka tashmë makinat zor se mund t’i shesë, pasi pak ka që blejnë, vështirë se në kushtet e sotme mund të gjesh punën pranë shtëpisë. Pra, unë nuk besoj se në Shqipëri rritja e akcizës së karburantit do të ulte konsumin dhe për pasojë ndotjen e mjedisit. Por cila është ana tjetër e medaljes në lidhje me këtë çështje? Shohim që në buxhetin e shtetit ka një mbështetje totale për shtresat në nevojë: subvencionim për 5 mallrat kryesore të shportës, subvencionime të mëdha për bujqësinë etj.

Në një analizë më të thellë: nëse qeveria do të luftojë monopolet (siç ka premtuar), vetëm duke hequr monopolin e kontrollit teknik të makinave, ku ne paguajmë mijëra lekë në vit, a do të paguanim më pak? Sigurisht që po. Nëse do të hiqet monopoli i ngjyrosjes së karburantit ku çdo njeri nga ne paguan ekstra 3 lek/liter, a janë këto para që do t’i kursejmë? Po. Sikur Qeveria të ndërhyjë për të ulur tarifën, që çdo shofer paguan për kartonin jeshil kur del jashtë nga rreth 40 euro për dy javë që u bë diku nga korriku 2013 në 10 a 15 euro siç ishte më parë, a do të hynin këto të ardhura tek buxheti i çdo familjeje? Po. Nese qeveria shqiptare do te ulte taksën ferr që paguajne kamionistët tanë kur hyjnë në Itali prej 18 Euro, a nuk do të ishte ky një perfitim i madh për ta? Po.

Dhe nëse Qeveria në 2 vitet e ardhshme do të rehabilitonte hekurudhën Tiranë-Durrës dhe Bashkia ta mbështeste me tranvaj të ri, a nuk do të ishte ky një përfitim goxha i madh për këdo? Sigurisht që po. Pra, sikurse e përmenda dhe më sipër duhet gjykuar me mendje të ftohtë dhe duhet bërë një balancë për të parë se nga anon peshorja. Viti që vjen (madje 6-mujori i dytë) do të na tregojë më saktë se nga ajo peshon. Pak a shumë këtë ka thënë dhe FMN.

Një shqetësim tjetër, që unë duhet ta ndajë me lexuesin, dhe meqënëse e nisa parashtrimin tim të gjatë me rrugët dhe duke dashur ta mbyll me rrugët, është edhe fakti se sa transparente do të jetë shpërndarja e pagesave të prapambetura për firmat e ndërtimit por jo vetëm. Sikurse e dimë, vetëm për 2014 ato do të jenë në shumën rreth 235 milionë USD. Për TVSH dhe tatim-fitimin e papaguar, FMN dhe ministri i Financave deklaruan publikisht se po krijohet një “site” i hapur dhe transparent për shpërndarjen e këtyre fondeve, i aksesueshëm nga publiku. Madje FMN do të sjellë dhe një auditor ndërkombëtar për të vëzhguar proçesin. Ndërkohë, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës deklaroi se, që nga janari i vitit që vjen, do të fillojë shpërndarja e fondeve për firmat e ndërtimit dhe për këtë do të vijë një firmë e specializuar italiane. Me rrugët është disi më e vështirë, pasi problematika e trashëguar është shumë e madhe.

Pra, shumë nga rrugët, për të cilat do të shlyhen detyrimet, jane lënë ashtu për një kohë të gjatë: pra të pambaruara, disa kanë mbaruar, disave nuk u është hedhur tapeti, konsumi i tyre i përditshëm vazhdon se mbi to kalojnë çdo ditë automjete, dimri i ka bërë akoma më keq sikurse dhe mungesa e mirëmbajtjes. Kjo nxjerr në pah nevojën e organizimit të një strukture të specializuar për përcaktimin real të gjëndjes së rrugëve me një objektiv të qartë, të dhëna të sakta, përbërje edhe nga shoqatat e prekura dhe ekspertë nga Banka Boterore. Kjo do të rriste transparencën që kjo Qeveri e ka shpallur si një nga prioritetet e saj. Në fund të fundit, transparencë në këtë rast do të thoshte që taksat tona, që do të shlyejnë borxhet për biznesin, nuk do të mund të trajtoheshin nga dikasteri përkatës si një rosto që ai po ia servir biznesit, i cili nga ana e vet do të paguajë bakshishin, në kembim të “nderit” që po i bëhet. Kjo nuk është një lëmoshë por një borxh për nje punë të bërë dhe djersë të derdhur.
*) Master planifikim infrastrukture

 Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit