Poema e fundit e Perikli Jorgonit
para aksidentit

Poema e fundit e Perikli Jorgonit<br />para aksidentit
Një poezi e mbetur përgjysmë në ditën e fundit të jetës. Një natë para se të ndërronte jetë, Perikli Jorgoni ishte ulur, siç bënin shpesh, në tavolinën e punës me bashkëshorten Elidën. "Ai tha që do të bëj një poemë për Llukë Kaçaj, baritonin e famshëm", rrëfeu Elida në intervistën që dha më 14 dhjetor për "Shqiptarja. com", ditën e homazheve. Ishte e dërrmuar nga dhimbja, por mori zemër dhe premtoi se do të na e sillte poezinë e mbetur përgjysmë për botim, sapo të shkonte në shtëpi. Ajo tregon: "Ai e nisi dhe unë e shtypja në laptop. Përjetimet e tij ishin të fuqishme dhe ne hodhën aq sa mundi për të vazhduar ditën e nesërme, por ja që të nesërmen nuk mundi…". Në fund të poezisë automatikisht laptopi ka regjistruar orën e saktë, kur është ndërprerë puna me shkrimin e kësaj poezie për të vijuar ditën tjetër (Date modified: 11/12/2012 - 20:15°°). Por atë ditë poeti nuk u kthye dot në shtëpi, për shkak të aksidentit tragjik. Vargjet për fatin tragjik të Lukë Kaçaj i kanë jehuar në kokë deri në çastin e fundit, sepse do të vazhdonte pjesën tjetër aty ku e kish lënë:
"Bërtitën, u xhindosën, sikur po ngjante gjëma,/Sikur shembej kupola e po i zinte brenda,.."
Elida Jorgoni nuk e kishte aq të lehtë të na e dërgonte këtë poezi, por gjeti forca dhe e mbajti fjalën. Poezia erdhi dje për gazetën "Shqiptarja.com" e shoqëruar me shënimin e saj: "Perikliu atë mbrëmje më tha se ishte mjaft i ngarkuar e se kishte shumë vargje, që i silleshin në mendje. Më tha: "Kaq për sot dhe nesër ta përfundojmë Llukë Kaçajn". - Unë e pyeta, se çfarë tjetër ke në mendje? Ai më tha se kishte gati dy poema, për Papa Kristo Negovanin dhe për Papa Llambro Ballamaçin. Unë e pyeta, se kur të erdhi frymëzimi? Ai më tha se sot gjatë gjithë ditës e besoj, se do t'i plotësoj më mirë nesër. Unë i thashë, se Korça ka detyrime për Papa Llambron, se pllakën e varrit tek Varrezat e Dëshmorëve në Korçë e ka të thyer dhe se tek shtëpia e tyre, e tij dhe e të vëllait të masakruar nga banditët grekë në atë pranverë të vitit 1914, nuk ka një pllakë përkujtimore. Nga kjo shtëpi, trupat e dy vëllezërve priftërinj, të thelëzuar janë tërhequr zvarrë dhe në errësirën e natës, vrasësit i flakën në kodrën e Shën Ilias. Ai më tha, se do të interesohej për këtë në fillim të vitit 2013 dhe se do të bisedonte me kryetarin e Bashkisë të Korçës, Niko Peleshin. Mjerisht, la pa përfunduar poemën për Llukë Kaçajn dhe nuk i shkruam dy poemat për dy priftërinjtë atdhetarë shqiptarë...

POEMA E DRAMËS TË SHPIRTIT

(Kujtimit të baritonit me famë ndërkombëtare, Llukë Kaçajt)
Nga Perikli Jorgoni

1.
Sa forcë karakteri edhe ç'durim i rrallë
Të duhet, mos përfillësh kaq zgjyrë, llohë e baltë,
Që vjen e të përplaset në zverk e në fytyrë,
Kur shpifja e mashtrimi të sulen bulçifryrë,
Kur laro e zuzarë, spurtdhjakë e zagarë
Jetojnë në mes pallatesh si princa e pashallarë.

2.
Si nuk të plasi zemra, s't'u ça plot mllef prej dhimbje
Si zhgualli i breshkës, si boçja e një pishe,
Kur pe me sy papritur, me ngjethje e i habitur,
Mes skuthash e tinëzarësh finokë e të lajthitur
Dhe ndonjë shok a mike, që shpirti yt i pastër
Kujtonte se i kishte të besës e të afërt,
Se me ta shpesh ke qeshur, ke bredhur e ke pirë
Diku në një gosti, raki apo një birrë.

3.
Nuk prisje që ky gjyq, i ngrehur e i shtirë,
Të nxirrte pa një njollë, shëndoshë e të dëlirë,
Kur trupin në qelitë kallkan në errësirë
Ta kishin rrahur rëndshëm, sa sytë t'i kishin nxirrë,
Ndaj brinjët e kokallat të thernin e s'bëje gjumë
I shembur në mes rreckash plot pluhur edhe zhul.

4.
Gjithçka do të duroje, edhe pse mjaft i tretur,
Me sy të futur thellë, pa gaz e si të mekur,
Mos dilje nëpër rrugë pa nder e si cofëtinë,
Sa njerëzve t'u ngjallje keqardhje e lemerinë,
Më mirë në llum kënete, në puse e minierë,
Edhe pse larg muzikës, që fort deshe ngaherë.

5.
Prandaj përpara gjyqit, që nisi të gjykonte,
Teksa gjindja e lodhur e shtangur po dëgjonte,
S'u theve si një degëz e njomë e për mëshirë
S'u lute i tmerruar nga kthina e zinxhirë,
Por kur pe nënë Tonen të mbledhur e të ngrysur,
Tek fshihte tinës lotët, tek rrekej për të mbytur
Rënkimet e gulçimet, që s'mund t'i ndrydhte brenda
Në shpirtin e munduar shkallmuar keq nga brenga,
Kur pe si Ana e dashur, ia plasi vajit e qeshi
Dhe ra përdhe si zogëz nga shqota e rrebeshi,
Nuk munde të përmbahesh, por brofe shpejt që pranë,
Ti ndodheshe, por rojet t'u turrën e s'të lanë.

6.
Bërtitën, u xhindosën, sikur po ngjante gjëma,
Sikur shembej kupola e po i zinte brenda,......
.......
Date modified: 11/12/2012 - 20:15°°


Shkrimi u publikua ne suplementin RILINDASI, të Shqiptarja.com  Versioni print

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës