Nga Visar Zhiti
Ndaj së keqes të duhet medoemos një kundërvënie. Por sa do shumë të pllakosë ajo, e keqja nuk duhet të luftohet me të keqen, ndryshe është e njëjta gjë.
Të vjen të thërrasësh në ndihmë... poezinë, jo vetëm të shkruarën, por dhe të përjetuarën, e mbetur në ajrin e ditëve... kultura, aty janë “armët” e brendshme të njeriut, mrekullia e tij, kur ndërkaq pikërisht ajo është nëpërkëmbur më shumë dhe institucionalisht është drejtuar nga më të pa besueshmit e saj.
Do të doja pikërisht të sillja një poezi, vezullimin “e thikës” së saj, që duhej të shërbente veç për të qeruar “mollën e mëkatit”, që të mos ta kafshojmë atë si të egrit, po mendoja...
Poezia na bën hyjnorë dhe profetizues... por le të zbresim në tokë nga Pegasi me flatra, në baltë, ku shpesh ka rënë jeta. Poezia na ka mbrojtur, por, ah, edhe është përdorur, gjithsesi ka qenë lehtësuese dhe në të keq, madje ajo di të jetë dhe opozitarja më e bukur. Sepse poezia është kundër shëmtisë dhe, duke qenë vetë harmoni, është dhe kundër çrregullit, duke qenë e sinqertë, është dhe kundër mashtrimit. Është kundër varfërisë, për pasurimin, por veç atë shpirtëror, më të vështirin, më të lehtin...
Poezi dhe është hakmarrë, se u është dashur dhe për propagandë, për të hymnizuar diktatura e sundimtarë. Në perandorinë komuniste, kur në letërsi e arte ishte e detyruar metota e realizmit socilist, por jo e realitetit social, poetët duhej t’i këndonin partisë, asaj që kishte sjellë relitete të rënda tjetërusese, gjëma aq të mëdha.
Zgjodha një poezi të një poeti që jetoi nën diktaturë, larg në Moskë, që ishte i njohur dhe tek ne nga që s’lejohej të njihej, teksa përflitej si “poet oborri”, por dhe si disident, veçse “disident i emëruar” është quajtur, por mua sot më intereson ajo poezia e tij për partinë, e shkruar kur ishte dhe i ri, siç duket përfitoi dhe nga zbutja disi e diktaturës “në vendin e tij revizionist”, ishte viti 1972, se dhe e keqja lodhet si në përgjumjet e frikshme të kuçedrës, por ajo poezi mundi të botohej vetëm pasi u shemb Muri i Berlinit, që ndante botën dhe kohën më dysh dhe fill pas tij ra dhe perandoria komuniste e diktaturat e saj.
Kumti i asaj poezie të gati gjysmë shekulli më parë duket se vlen dhe për sot, sidomos në vendin tonë, ku gjendja ka më shumë nevojë për qytetarë të çliruar se sa për militantë fanatikë të partive, të cilat duan të sundojnë për interesa oligarkike, ku shpesh na kanë dalë në krye të shtetit e janë bërë edhe presidentë “çalamanët moralë”, siç thotë poeti, militarë të diktaturës, që kanë qenë gati të zbraznin kallashin mbi njerëz për të mbrojtur statujat me bronz stalinian, teksa ende mungon partia e vuajtjeve dhe dhëmbjeve, e ëndrrave të të burgosurve politikë, partia e nënave, partia e njeriut, sipas poetit..
Nëpër protestat e reja studentët grisen flamujt partiakë dhe po ngrenë shpresat që dhe Shqipëria e vonë të bëhet vend sa më normal, mundësisht, pa korrupsionin asfiksues, pa “Klanin” e zi të oligarkëve, me afera të dyshimta, që sa më të pasur bëhen, aq më mediokër bëhen, bisha që në vend të brirëve kanë antena televizive, që si dema u janë vërsulur partive, që ende lëkundin cohat e kuqe të flamujve të leckosur të së dikurshmes.
Mbase dhe kjo poezi e djeshme, që unë e përktheva që atëhere kur ajo u botua për herë të parë në 1991 në shtypin e huaj e poeti i saj më pas emigroi dhe vetë nga Moska në SHBA, në vendin kampion të lirisë dhe demokracisë, pra dhe kjo poezi që dëshmon, besoj, se na thotë diçka që duhet, sidomos për të rinjtë, “në kryengritjen e tyre morale”, siç shkruan një student.
Diku përdoret fjala “krimb”, që unë e kam shkruar kështu: “krim(b)”, është lojë e përkthimit, kam dashur të kujtoj dhe krimet, ma dha begatia e shqipes, realiteti i tanishëm. Në strofën e katër në vargun e fundit përmenden Aushvici, kampi nazist i internimeve në Poloni, ndërsa Songmi është lokalitet në Vietnamin e Jugut, kampin e të cilit e shkatërruan amerikanët, ndërsa gulagu Magadan është në Siberinë e internimeve. Lexuesi është i lutur të kujtojë dhe burgjet shqiptare, të Burrelit, kampet e kënetave, të aeroportit, Spaçin dhe Qafë Barin, ku ndodhën dhe dy revoltat e të burgosurve, të vetmet në të gjithë parandorinë komuniste.
Dhe një sqarim i fundit, në strofën e fundit poeti flet për “çalamënë moralë”, natyrisht që nuk është fjala për cene fizike, ato duan ndihmën dhe dhembshurinë e të gjithëve dhe s’është fjala as për ish presidentin shqiptar B. Nishani, ngjashmëria është krej e rastit ashtu siç ndodh në letërsi.
Ndjesia që krijon kjo poezi dhe kumti i saj tronditës, mendoj se vlejnë, më shumë se sa për nesër, për sot. Dhe e sotmja për poezinë ndonjëherë :është e pakufi...
Evgeni Jevtushenko
MONOLOGU I NJERIUT TË PASNESËRM
As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie,
njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.
Pa parti Noja me atë arkën e tij,
Globi shtyn errësirërat pa parti.
Por Djalli, me pikpamje djalliste,
shpiku partitë, - ç’gusto neveritëse!
Në zemër të mollës futi krimbin, -
krim(b) dhe gjarpër një ishin,-
politikën - profesion
me prejardhje djallëzore,
që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.
Politika shpiku policinë,
Politika shpiku kryetarët.
Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,
jo partitë dhe nënndarjet.
Po ku është partia e vejushave,
invalidëve, pelegrinëve,
ku është partia e familjes, e fëmijëve?
Partia e syve të skuqur ku është vallë,
në hirin e Aushvicit, Songmit,
Gulakut të gjallë?
Por një ditë, një ditë, një ditë,
për stërnipërit tanë të gjitha partitë
do të kujtohen si një gjë e tejshkuar
si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.
Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,
pa çalamanë moralë në pushtet,
e gjitha një e asnjë parti,
veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.
Shkruar në 1972.
Botuar për herë parë në 1991