Pas polemikave që shkaktoi ekspozimi i veshjeve të Çerçiz Topullit në një manekin, ku ra në sy një portret aspak dinjitoz për një figurë kaq të rëndësishme për historinë e pavarësisë së vendit tonë, kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi ka dhënë dorëheqjen. Vendimi i tij erdhi pas reagimeve të shumta dhe polemikave në rrjetet sociale, ku u kritikua mënyrë se si u shfaq manekini i tij në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës.
Hysi ia ka paraqitur dorëheqjen kryebashkiakut Flamur Golemi, ndërsa përmes një deklarate thotë se “gabimi” u rregullua. Ai e cilësoi dorëheqjen si një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin.
“Pas një periudhe pune të përkushtuar në shërbim të trashëgimisë kulturore, muzeve dhe Gjirokastrës, kam vendosur të jap dorëheqjen time prej pozicionit që mbaj. E bëj këtë vendim me përgjegjësi dhe me bindjen se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për çdo vendim veprim apo gabim që mund të ndodhë gjatë saj. Ajo që u konsiderua gabim u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër.
Largohem me mirënjohje për mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër për kolegët dhe veçanërisht për punonjësit e Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore me të cilët kemi punuar dhe realizuar ehumë më shumë më tepër sesa ishte bërë prej vitesh. Dorëheqja ime nuk është dorëzim nga ajo që besoj. Është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin!
Mbetem mirënjohës për punën e bërë, për përpjekjet tona dhe për çdo gjurmë që kemi lënë në muze dhe në kujtesën e Gjirokastrës. Do të vazhdoj ta dua dhe ta mbështes Gjirokastrën, trashëgiminë e saj dhe kujtesën tonë kombëtare , në çdo formë që do të më jepet mundësia. Ne u përpoqëm atë që u konsiderua gabim e korrigjuam dhe punën do t'a lëmë të flasë vetë”, thotë ai në deklaratë.
Manekini i kritikuar është ndryshuar dhe tashmë veshjet e heroit po ekspozohen në një manekin pa fytyrë, siç shihet edhe në fotot më poshtë.

Si ishte manekini ku u ekspozuan veshjet e Çerçiz Topullit
Si u ndryshua manekini ku po ekspozohen veshjet e Çerçiz Topullit
Në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës janë ekspozuar veshja origjinale e Çerçiz Topullit, me tipare karakteristike të zonës, brezi dhe armët që ai ka përdorur gjatë betejave për lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Ekspozimi i këtyre relikeve u bë me rastin e 90-vjetorit të kthimit të eshtrave të heroit në vendlindje. Më 15 shtator 1936, eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën nga Shkodra për t'u prehur në Gjirokastër.
Reliket tërhoqën vëmendjen e dhjetëra vizitorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët shfaqën interes edhe për historinë dhe veprimtarinë patriotike të heroit. Por, krahas interesit për reliket, manekini ku ishin vendosur veshjet e Çerçiz Topullit shkaktoi kritika në rrjetet sociale për mënyrën e realizimit të portretit të tij. Gazetari Mentor Kikia kërkoi heqjen e manekinit, duke e cilësuar atë një “dordolec”.
"Manekini, të cilit i kanë veshur rrobat që mbante heroi, ka tërhequr vëmendjen për shkak se kuratorët janë përpjekur t’i japin pamjen e një shtatoreje bashkë me imazhin që i ngjan disi heroit. Në fakt, nuk kanë krijuar as një shtatore dhe as thjesht një manekin, por një “personazh” qesharak, që mban veshjen, dylbitë dhe pushkën e heroit", shkroi Kikia.
Çerçiz Topulli ishte një revolucionar, veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Hero i Popullit. I lindur në Gjirokastër, ai u bë një nga udhëheqësit më me ndikim të çetave të armatosura që luftuan për autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë kundër Perandorisë Osmane dhe forcave të tjera të huaja. Ai drejtoi një prej çetave patriotike të rëndësishme në jug të vendit e cila përmendet në histori për betejën e Mashkullorës, në 18 Mars 1908. Në kujtim të tij në qendër të zonës historike të Gjirokastrës ngrihet një monument ndërsa sheshi mban emrin “Çerçiz Topulli”.
Portreti aspak dinjitoz i Çerçiz Topullit, vendosur në manekinin që do të ekspozonte veshjen e tij të lirisë, ka nxitur reagime të shumta, mes të cilave edhe nga radhët e opozitës.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, e cilësoi të papranueshme dhe fyese për historinë kombëtare. Zhupa kërkon heqjen e menjëhershme të kësaj paraqitjeje, ndërsa thekson se trashëgimia kulturore dhe figurat historike nuk mund të trajtohen si objekt talljeje apo eksperimente amatore.
“Të tallesh me figurën e Çerçiz Topullit në Muzeun e Gjirokastrës është e papranueshme dhe një fyerje për historinë tonë kombëtare. Çerçiz Topulli nuk është një personazh për t’u kthyer në karikaturë. Është njëprej figurave të Rilindjes Kombëtare, një patriot dhe luftëtar që i kushtoi jetën çështjes kombëtare. Një turist shqiptar apo i huaj që hyn në një muze të historisë sonë duhet të përballet me dinjitetin e heroit, me historinë dhe me të vërtetën, jo me një figurë groteske që e bën Çerçiz Topullin objekt talljeje. Është edhe më e rëndë që kjo paraqitje është vendosur pikërisht në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, në qytetin ku lindi Çerçiz Topulli dhe ku historia e tij është pjesë e identitetit të qytetit. Trashëgimia kulturore nuk është lodër dhe heronjtë e kombit nuk janë material për eksperimente amatore”, shkruajti Zhupa.
Në një linjë shkon edhe deputetja e PL, Erisa Xhixho që thotë se ky nuk është thjesht një manekin i realizuar keq, por është mënyra se si po trajtohet historia dhe një figurë që përfaqëson luftën për pavarësinë dhe çlirimin kombëtar shqiptar.
“Çerçiz Topulli ishte një nga figurat e shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare, patriot, veprimtar dhe luftëtar i çështjes kombëtare, i cili në fillim të shekullit XX luftoi kundër forcave osmane për lirinë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Ai u bë një nga simbolet e qëndresës shqiptare, veçanërisht në Jug të vendit. Dhe sot, në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, veshjet dhe armët e tij ekspozohen mbi një figurë që më shumë se një hero të kujton një personazh grotesk. Si mund të lejohet që një figurë e tillë e historisë sonë të paraqitet në këtë mënyrë?”, ishte reagimi i Xhixhos.
-
Gomar ti gomar kush te vuri sot a neser valon druri!
Përgjigju











Komente
Komento