Berat- Një mësues në shkollën e mesme të bashkuar Mbrakull, në Poliçan është denoncuar në polici pasditen e djeshme nga një nxënës, maturant në këtë shkollë.
Nxënësi D.L,18-vjeç, banues në fshatin Mbrakull, mësohet se ka deklaruar në polici se është kërcënuar nga mësuesi i fizkulturës, pas përfundimit të mësimit.
Nga ana e tij, mësuesi Ervis Shpata,35-vjeç, ka deklaruar në polici se nxënësi kishte një muaj që e shante dhe ofendonte në rrjetet sociale (me profil) fals dhe pasi e ka marrë vesh ai e ka kapur nxënësin pas përfundimit të mësimit dhe i ka thënë të mos vazhdojë më me këto sharje e fyerje në rrjetet sociale.
Mësuesi Shpata ka konfirmuar se ai vetëm ka komunikuar 2 minuta me nxënësin pas përfundimit të mësimit por nuk e ka kërcënuar. Pas deklaratave të bëra nga të dyja palët, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për mēsuesin Ervis Shpata,35 vjeç, për veprën penale "Kanosja".
“Ditën e djeshme ka bërë kallëzim shtetasi D. L., 18 vjeç, (nxënës), i cili pretendon se është kanosur nga shtetasi E. Sh, (Ervis Shpata) për arsye se ky i fundit dyshon se nxënësi e ka ofenduar në rrjetet sociale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime dhe hetime të mëtejshme.